Nga Mero Baze, Gazeta Tema
Para nisjes në Beograd, opozita shqiptare, në përpjekje për t’u distancuar nga vizita, kërkoi publikisht që Edi Rama të mos flasë në emër të të gjithë shqiptarëve në Serbi. E kërkoi këtë një zyrtar i lartë i opozitës, që nuk i përputhet lartësia e vendit me shkurtësinë e mendjes. Quhet Aldo Bumçi.
E kërkoi në emër të opozitës shqiptare, me shpresën se Edi Rama do të sillej si ata. E kërkoi duke u bazuar jo vetëm tek ajo çfarë ai vetë dhe partia e tij kanë bërë në politikën e jashtme, por dhe tek paragjykimi, që kanë krijuar për kundërshtarin, duke e njohur sipas mendjes së sëmurë të Sali Berishës.
Tani që vizita mbaroi dhe Edi Rama është rikthyer në zyrën e vet, përmes një tuneli flamujsh shqiptar nga Presheva në Morinë, është me vend të bëjmë një rishikim të asaj se përse i duhej Sali Berishës dhe përse i duhet Edi Ramës, Kosova.
Përgjatë karrierës politike 23 vjeçare, Sali Berisha dhe Kosova kanë një histori të pazakontë keqpërdorimi ndaj njëri-tjetrit.
Berisha dhe qeveria e tij pas vitit 1992, u bë një mbështetëse reale e përpjekjeve për pranimin e shtetit paralel të Kosovës, duke u ofruar atyre ndihmë logjistike diplomatike dhe reputacionin ndërkombëtar të mirë, që gëzonte vendi pas rënies së komunizmit. Por, e gjitha kjo zgjati vetëm dy vjet.
Pas keqpërdorimit skandaloz, që Berisha i bëri Kosovës dhe liderëve të saj në referendumin për Kushtetutën në vitin 1994, mes tij dhe Rugovës pati një ftohje të beftë. Prej vitit 1995 e më tej Rugova kishte dy personalitete në raport me Berishën, atë publik dhe atë personal.
Publikisht, dukej sikur ai ishte një aleat i Berishës. Personalisht ishte një kritik i tij dhe aspak miqësor me të. Pasi u zhvesh nga kredencialet e një lideri demokrat para Perëndimit, Berisha mendonte se aseti i tij i vetëm politik për të mbijetuar ishte Kosova dhe vazhdoi në rrugën e keqpërdorimit të saj. Pas zgjedhjeve skandaloze të vitit 1996, i lodhur nga refuzimi i Rugovës dhe padëgjueshmëria e tij, ai tentoi ta ndryshojë lidershipin e Kosovës, duke e spostuar Rugovën me një vijë më radikale folklorike dhe të papërgjegjshme. Jo aq për ta kontrolluar, por për të frikësuar Perëndimin që po e izolonte.
Ai mendoi se duke përdorur Kosovën, Perëndimi do ritrokiste në derën e tij, si çelësi i krizës. Në të vërtetë, Perëndimi trokiti në zyrën e tij disa muaj më vonë, në pranverë të vitit 1997, me një forcë shumëkombëshe, që mori përsipër stabilitetin e një vendi të futur në luftë civile për shkak të pushtetit të Berishës. Dhe Berisha shkoi në shtëpi.
Pas daljes në opozitë Berisha tentoi t’i rikthehej Rugovës si aleat, por ai e refuzoi deri në fund. Nuk pranoi të takohej me të dhe nuk bëri asnjë gjest miqësor ndaj tij. Qëndrimi i Rugovës u dha fund përpjekjeve të Berishës për një paternalizëm kombëtar mbi Kosovën, duke i dhënë po ashtu Kosovës disa elementë të një shoqërie të pavarur nga Shqipëria.
Çlirimi i Kosovës dhe fillimi i një epoke të re qeverisje, e la sërish Berishën jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë atje. Kjo u bë më e qartë kur atë refuzuan ta presin në Kosovë në vitin 2000 dhe kur Rugova nuk denjoi as të shprehte keqardhje për këtë gjest. E vetmja fuqi reale ishte patriotizmi i tij folklorik që dominonte pjesën jourbane të Kosovës, ku Berisha investonte përmes njerëzve të tij, të ngrihej miti se ai kishte ikur nga pushteti për shkak të Kosovës. Në të vërtetë, edhe për shkak të saj kishte ikur, por jo për shkak të dashurisë për të, por për shkak të keqpërdorimit të saj.
Përveç një vizite të thatë dhe formale në Tiranë, si president në vitin 2004, Rugova i humbi kontaktet me Tiranën dhe Berisha arriti të shkojë në Kosovë për herë të parë ditën që Rugova ishte i vdekur. Nuk e priti, sa ishte gjallë.
Epoka post-Rugovë në LDK dhe Kosovë, shënon fillimin e një ndikimi të ri të Berishës mbi liderët jo autoritarë që kacavirreshin në LDK, të cilët për të kapur një karrige, filluan të ngjiten pas Berishës, meqë ky ishte rikthyer në pushtet në Tiranë. Roli i tij filloi të ridimensionohet sërish si paternalist mbi Kosovën, aq sa në disa raste Thaçi ka pasur frikë reale se Berisha po përpiqej ta largonte nga pushteti, duke u përfshirë në lojën politike atje. Për këtë flasin dhe dokumente të Wikileaks, që i referohen Thaçit.
Ndërkohë, Perëndimi i qëndroi larg Berishës në përdorimin e tij për çështjen e Kosovës. Roli ndërkombëtar i Shqipërisë për Kosovën, për shkak të Berishës ishte zero. Askush nuk donte t’i jepte atij në dorë një bombë, që mund t’i vriste të gjithë. Ai nuk u përfshi kurrë në raportet me Serbinë dhe nuk u lejua kurrë të përfshihet në ndonjë axhendë lobuese për Kosovën. Shumicën e energjive ai i harxhonte ndërkohë me servilizma ndaj qeverisë greke, ngaqë ishte djegur një herë prej saj dhe me lobime personale për pushtetin e tij. Frattini, i cili është sot këshilltar i Vuçiçit, ishte dhe këshilltari i Berishës për politikën e jashtme dhe lobues i problemeve të tij në Bruksel.
Diferenca e thellë në raportet Shqipëri-Kosovë -Serbi nisi me Edi Ramën, për shumë arsye.
Arsyeja e pare, është se Perëndimi beson që Edi Rama është një politikan liberal pro-perëndimor dhe ata kanë ende besim se ai nuk rrëshqet në nacionalizëm.
E dyta, është se Perëndimi beson që Edi Rama nuk ka tendenca të bëhet një lider paternalist për Kosovën, që të diktojë aty zhvillimet politike dhe lidershipin.
E treta, është se Perëndimi beson që Edi Rama është rasti i duhur për ta përballur Shqipërinë me Serbinë, pasi ka staturën e duhur për të çuar dialogun përpara pa humbur mbështetjen tek shqiptarët. Beteja e tij e djeshme në Beograd, që edhe mbrojti shqiptarët, edhe nuk degradoi vizitën, (por deri në mesnatë vazhdoi të bisedonte me Vuçiçin), tregon se ai ka një përkushtim real ndaj vizionit europian të dialogut. Ai nuk bëri gjeste nervozizmi ndaj Vuçiçit. Përkundrazi, e varrosi atë kur i tha “Aleksandër, eja në Tiranë dhe thuaj të gjitha çfarë mendon për ne. Ne nuk do të ndihemi të poshtëruar”.
Ishte në të vërtetë ky moment që e fundosi Vuçiçin para Perëndimit, por që rrezatoi dhe krizën reale mes dy vendeve.
Sot Edi Rama u kthye në Shqipëri nën një rrezik real, jo për arsye sigurie apo fizike, por për shkak të entuziasmit që kishte ngjallur tek shqiptarët. Gazetat e Tiranës, por sidomos të Prishtinës, ishin gdhirë me mitin e “udhëheqësit” të ri, të madh dhe kryeministrit mbarëkombëtar. Por, ai e shmangu këtë rrezik. Në Preshevë, ai ia kushtoi fjalimin e tij standarteve të lirisë së shqiptarëve, si një standart europian dhe vazhdoi rrugën përmes një tuneli flamujsh shqiptar deri në Morinë, pa u përlotur si Berisha, kur mori një medalje qytetar nderi në Gjakovë.
Pra, Edi Rama sot i shpëtoi mrekullisht rënies në folklorizëm banal dhe në një triumf provincial ballkanik, të asaj çfarë ka ndodhur në Beograd. Ai vlerësoi më shumë faktin që me Vuçiçin në darkë ishte marrë vesh për shkëmbime studentësh, sesa atë që bëri për Kosovën.
Është e vërtetë se sot ai ia mori Sali Berishës Kosovën, Preshevën dhe gjithë ata njerëz që ai ka pas instrumentalizuar duke folur për një armik kombëtar si Edi Rama. Por, kjo nuk e bën atë një lider të pushtetshëm mes shqiptarëve, por një lider të përgjegjshëm të tyre. Edi Ramës nuk i duhet Kosova për pushtet në Shqipëri. As nuk i duhet të zgjedhë mes liderëve të Kosovës, Thaçin, Haradinajn, Mustafën apo Kurtin.
Atij i duhet Kosova, si një shtet që tenton të ketë një standart perëndimor dhe që t’i japë një dorë stabilitetit në rajon. Atij i duhet Kosova, siç i duhet Merkelit, Barrosos apo Cameron. Ai shkoi në Beograd si kryeministër i Shqipërisë dhe u kthye si i tillë, duke përfaqësuar atje çdo shqiptar.
Natyrisht, Aldo Bumçin, Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe disa familjarë të tyre, ndoshta nuk i përfaqësoi. Por, sot nuk e di nëse ata janë të gëzuar, apo të mërzitur për këtë!