Nga Beqë Cufaj
Meqë tashmë kanë filluar të kthehen, po i presim edhe ne. Natyrisht, me këtë takatin tonë të brishtë, i cili nuk e ka as shansin më të vogël të ndalë rrjedhën çmendurake të lokomotivës (së avullt!) propagandistike që pushtetarët tanë e kanë. Nëpër televizorët, gazetat, radiot, portalet e lajmeve.
Një uri e paparë e cila luftohet me gusto imazhesh, fotografish, komunikatash, deklaratash… premtimesh e kremtimesh që s’ua gjen shoqet në Ballkan as në Evropë. Politikanë shqiptarë të të gjitha trojeve kishin mësyer (sërish) drejt Nju-Jorkut. Dhe atje, si lukuni na shisnin pa ç’na shisnin.
Që ne shqiptarët – të Kosovës e Shqipërisë por pa i lënë anash as ata të Maqedonisë… jemi kryeqendra, epiqendra, qendra, bërthama… e botës. Pa çka se e dijnë dhe e dijmë që krahasuar me civilizimin perëndimor – nuk e tejkalojmë një Bathore Tirane!
Të jemi të qartë: vetëm në vende me semi-demokraci mund të ngjajë që publiku (opinioni) mund të lodhet siç këta tanët na lodhin me këto ritualet e tyre banale e bizare dhe për këtë të tmerrshme protokollare nga këto e këso samitesh si ky i OKB-së. Me ato fotografi e komunikata. Intervista e deklarata.
Pa fijen e turpit e lëre më nevojës për paaaaaak më pak modesti. Ncuk. Ky rit, edhe sot e mot, në vitin 2011 i ngjet atij të Zululandeve të Afrikës e Azisë. Sepse, në Evropë dhe frymën e politikës perëndimore, një politikan, burrshtetas, i cilitdo rang, do ta ketë të vështirë, bile të pamundur që medieve – qofshin foto apo edhe filmime, t’u shesë protokoll.
Prandaj, ec e mos u trishto a tërbo kur e sheh Jakaya Kikweten. Presidentin e Tanzanisë! Edhe ky burrështetas i këtij vendi të varfër por të madh afrikan, u fut në mes, mu në mesin e ndarjeve shqiptaro-shqiptare. Në mesin e mbylljes që Doktor Berisha i bëri Bursës Nasdaq dhe hapjes që 24 orë më pas homologu i tij shqiptar nga Kosova, Hashim Thaçi po aty, në “zemrën” e Wall Street-it i ra gongut të hapjes.
Të jemi të sinqertë: nuk është ironia te fakti që Nasdaq-un e hap kushdo që rreth vetes ka pushtet, para dhe lobistë. Shumë më tepër, dhe kjo është tragjikomedia, është që si Doktor Berisha ashtu edhe Thaçi, do të duhej ta kruanin kokën dhe t’i thonë – së pari vetes e më pas edhe njëri-tjetrit: a nuk është ironi që hapim e mbyllim Bursën më të madhe të botës por në të njejtën kohë ne, shefat e këtyre dy shteteve, jo vetëm që nuk kemi bursa, por jemi larg, aq larg themelimit të bile një burse (gjith)shqiptare saqë gjumi natën nuk na merr… Ncuk.
Krejt i keni aty. Në arkive mediash e homepage-t e… zyrave të tyre mobile. Zyra e Presidentes njofton për darkën me Këshillin Shqiptaro-Amerikan në Nju-Jork me fotografinë e presidentes pranë Blair-it dhe me gjysmën (e përsëris!) gjysmën e kokës së Thaçit. Zyra e Kryeministrit po për darkën me Blair-in – dhe për këtë presidenten që mezi shihet në atë foto (e terruar!) po pranë Blair-it. Një fitues kemi këtu: Blair-in, mes presidentes e kryeministrit.
Ah po. Aty është edhe doktori-Berisha, i cili shikon drejt kamerës mbase duke menduar në Bamirin dhe duke ia thënë me atë shikim: e sheh Bamir unë në Nju-Jork (pa çka se nuk ma vari kush!) e ti në Bulevard me ata aleancistët tu! etj. Etj. Ah po! I harruam edhe ata tre tjerët: zëvendëskryeministrin e Parë të Qeverisë së Kosovës, Pacollin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hoxhajn.
Edhe këta na kanë dërguar sa fotografi dhe po aq komunikata. Për aktivitetet e tyre. Herë së bashku e herë ndaras – por më shumë kjo e dyta (si në rastin e takimit me zonjën Clinton!). Për t’u mbyllur kapaku, në darkën me Blair-in e kishim edhe zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferin. Këtij të shkretit, Qeveria e tij nuk ia ka hedhur në web asnjë foto…
Po çfarë ka të keqe këtu, mund të pyes dikush? Është në detyrën e tyre të bëjnë PR dhe e bëjnë mirë bile… kur shumica e medieve shqiptare e “hanë” këtë karrotë! Në Prishtinë po se po e në Tiranë edhe më lehtë, sepse Doktori edhe ashtu nuk duron langojë përskajt. Kësaj mëdyshjeje do t’ia shtroja këtë argument: në tetor, si zakonisht, nga Brukseli, do ta kemi atë “hajmalinë” prej 100 faqesh që i thonë Raport i Progresit e që qysh tash mund ta quajmë Raport Regresi a Stagnimi.
Ndër shqiptarët e Ballkanit. Do t’i fërkojmë sytë kur ta lexojmë dhe shohim që po këta njerëz që na lodhnin nga Nju-Jorku me albumet e tyre, jo vetëm që s’i kanë kryer detyrat e shtëpisë por na lanë të fundit në Ballkan në procesin e integrimit europian. E dini ku është ironia: që bash këto e këso albumesh të fotografive u ndihmojnë të qëndrojnë në pushtet. Sepse më lehtë është të shesësh e blesh foto sesa të qerverisësh e plotësosh kushte për Raporte Progresi!