Albtelekomi drejt shitjes tek një kompani e lidhur me ushtrinë kineze?

0
60

Kompania që po tenton ta blejë përbën shqetësim për sigurinë kombëtare amerikane. Më 2008 Raporti Ushtarak i Pentagonit për Kongresin thekson se penetrimi në tregun amerikan i firmës 3COM CORP HUAWEI përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Amerikës. Në maj 2010 HUAWEI bleu firmën amerikane 3 Leaf Systems për 2 milion dollarë. Shitja u bllokua në shkurt 2011 nga Komiteti Amerikan i Investimeve të Huaja me arsyetimin se cenon sigurinë kombëtare të SHBA-së

Nga Gjergj Thanasi

Siç është bërë e zakonshme këto vitet e fundit, shqiptarët e mësojnë nga mediat e huaja bërjen në Shqipëri të privatizimeve, dhënieve me koncesion apo gjoja tenderave me vlera të mëdha prej miliona eurosh. Në ambientet e biznesit rajonal e më gjerë po flitet për një shitje të gjigantit shqiptar të telefonisë fikse, Albtelekomit. Si blerës i mundshëm i Albtelekomit përflitet kompania e fuqishme kineze HUAWEI Technologies Co. LTD. Firma kineze nuk është e panjohur për Calik Holding dhe Turk Telekom, pronarë të 76% të aksioneve që nga 1 tetori i vitit 2007. Në mars të vitit 2008 Telekomi, tashmë i privatizuar, krijoi firmën e telefonisë së lëvizshme Eagle Mobile, e cila brenda një viti kapi 10% të tregut shqiptar të telefonisë së lëvizshme me një numër të konsiderueshëm prej 385.000 abonentësh.

Privatizimi i Albtelekomit pati një odise të gjatë, që nga aventura e firmës mashtruese gjoja amerikane New World Telecom, e demaskuar me kurajo nga patrioti shqiptaro-amerikan, Gerri Kokalari, e deri tek parablerja e Albtelekomit nga Calik Group në kohën e Kryeministrit Nano. Në atë kohë opozita shqiptare dhe personalisht z.Berisha e sulmuan fuqimisht këtë shitje si mega- hajdutëri. Në Parlamentin shqiptar opozita e udhëhequr nga Dr. Berisha shkaktoi edhe incident diplomatik gjatë vizitës së Kryeministrit Erdogan. Me ardhjen e PD-së në pushtet, privatizimi turk i Albtelekomit ngeci në vend për disa kohë. Më pas PD-ja në pushtet me forcën e kartonit miratoi në parlament shitjen e Albtelekomit sipas “formulës” Nano.

Firma HUAWEI Technologies Co LTD. është furnizuesi më i madh në Kinë dhe i dyti në rang botëror i pajisjeve për rrjete telekomunikacioni me një prezencë realisht globale dhe me partneritete me shumicën dërrmuese të gjigantëve botërorë të fushës së telekomunikacioneve.

Besohet se blerja e Albtelekomit nga gjiganti kinez HUAWEI është në proces e sipër, ndër të tjera edhe sepse qeveria shqiptare, personalisht Kryeministri Berisha po e inkurajon këtë blerje. Vetë Kryeministri, në prani të personelit të Ambasadës shqiptare në Pekin, i nxiti investitorët kinezë ta blinin Albtelekomin pavarësisht se çmimi që kërkonin turqit mund të dukej i lartë. Nga pala kineze të pranishëm ishin shoqja Meng Wangzhou, anëtare e bordit të drejtorëve dhe shoku Ren Shulu anëtar i bordit mbikëqyrës të kompanisë.

Nëse kjo shitje do të realizohet, pa dyshim do të jetë një allishverish me leverdi për pronarët turq, veçanërisht tani që Albtelekomi po ndeshet me një tendencë të klientëve shqiptarë për të anuluar kontrata me të. Anulimi i këtyre kontratave, si për shërbimin telefonik edhe për atë të internetit, vjen për shkak të tarifës mujore të mirëmbajtjes, e cila konsiderohet nga klientët si e lartë dhe në rritje. Po ashtu disa reklama të Albtelekomit janë konsideruar si mashtruese (misleading) jo vetëm nga konsumatorët, por edhe nga entet shtetërore përkatëse. Z. Anila Jani, zv/Kryetare e Komisionit për mbrojtjen e konsumatorit dhe Drejtoreshë e Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Tregut dhe të Ndihmës Shtetërore në METE, në prezencë të gazetarëve lokalë të Durrësit dhe Kavajës ofroi disa shembuj sesi Albtelekomi ka shkelur të drejtat e konsumatorëve shqiptarë. Problematike, mashtruese dhe zhvatëse për konsumatorët shqiptarë po rezulton edhe oferta për internet me 999 lekë në muaj. Nëse këtyre tre arsyeve i shtojmë edhe çalimin e kujdesit për klientit, gjë që e kam provuar personalisht, mund të themi se konsumatorët shqiptarë janë në të drejtën e tyre të ndërpresin kontratat me Albtelekomin. Konsumatorët shqiptarë nuk kanë asnjë paragjykim ndaj pronarëve turq të Albtelekomit, thjesht gjykojnë me realizëm ofertën e Albtelekomit për to. Këtë mendim e mbështes edhe me fluksin e kërkesave të konsumatorëve shqiptarë për të mbartur numrat e tyre nga kompani të ndryshme celulare drejt Kompanisë Eagle Mobile, e cila ka të njëjtët pronarë, por performancë të ndryshme krahasuar me Albtelekomin.

Problemi i vetëm i kësaj shitje do të jetë reagimi i aleatit tonë të madh, Amerikës dhe aleatëve të tjerë të NATO-s. Ky depërtim kinez në Ballkan me shumë gjasa mund t’i detyrojë aleatët tanë t’i “shkulin veshin” Kryeministrit Berisha. HUAWEI ka një histori të gjatë shqetësimesh të karakterit të sigurisë kombëtare.

Shkurtimisht po përmendim disa raste:

-Angli, viti 2005, Partia Konservatore kërkon hetim për blerjen e kompanisë angleze Macon.

-Në SHBA, Alex Allan, shef i Komitetit të Shërbimeve të Inteligjencës (si puna e Bahri Shaqirit tonë) shpreh shqetësim për lidhjen e ngushtë të HUAWEI me Ushtrinë Popullore Kineze.

-Më 2008 Raporti Ushtarak i Pentagonit për Kongresin thekson se penetrimi në tregun amerikan të firmës 3COM CORP HUAWEI përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Amerikës. Në maj 2010 HUAWEI bleu firmën amerikane 3 Leaf Systems për 2 milion dollarë. Shitja u bllokua në shkurt 2011 nga Komiteti Amerikan i Investimeve të Huaja me arsyetimin se cenon sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Probleme të sigurisë kombëtare kompania HUAWEI ka shkaktuar edhe në Indi, Australi dhe Indonezi si p.sh spiunazhi ekonomik në dëm të firmës indoneziane Excel Comundo Pratana në shkurt 2004. HUAWEI ka pasur probleme të ngjashme me firmën Cisco Systems në shkurt 2003, me gjigantin Motorola në korrik 2010 etj, etj.