Albin Kurti: Policia më tërhoqi zvarrë më 14 janar

0
45

TemA Online, 20 Janar 2012

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Albin Kurti ka theksuar se në ditën e protestës së 14 janarit në afërsi të Merdares ishte tërhequr zvarrë nga policia.

“E di që së paku dy prej policëve më kanë kapur për gjymtyrë dhe kanë filluar të më tërheqin zvarrë prapa kordonit të policisë, mirëpo në ato momente, mbase fare pak sekonda mbi trupin tim janë vendosur shumë duar të protestuesve, të cilët janë munduar të më tërhiqnin në anën e kundër”, tregon lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurtin në një intervistë për “Kosova Sot”.

Sipas tij, policia kishte zbatuar një plan për të bllokuar protestuesit për të mbërritur në afërsi të pikave kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë.

I pyetur lidhur me disa komente në rrjetet sociale, deputeti i PDK-së Berat Buzhala dhe zv. ministri nga PDK-ja Ilir Mirena që përqeshën protestën, Kurti theksoi se “nuk mund t’i komentoj ato, sepse nuk mund t’i marr seriozisht. Unë nuk mund t’i marr seriozisht këta njerëz”.

Ai ka shtuar se Lëvizja “Vetëvendosje!” gjithmonë ka qenë paqësore dhe do të jetë paqësore dhe për vazhdimin e protestës më 22 janar.