28 Dhjetor 2014
Replikë me shkrimin e Albatros Rexhajt: “Pse e vrava Zonjën Z”, botuar në Gazetën Express
Nga Agim Baçi
Nuk ka ndonjë aspekt të këndshëm replika me shkrimtarët, sepse mund të ndodhë fare mirë keqkuptimi, që të lexohet sikur ka diçka personale. Madje, edhe shkrimi i vetë Albatros Rexhajt të hënën në “Gazeta Express” të Prishtinës me titullin “Pse e vrava Zonjën Z” të jepte këtë ndjesi, edhe pse autori ishte mbështetur në një replikë me qëndrime të kulturuara, e jo siç ndodh rëndom me të kritikuarit, që përdorin etiketime ekstreme apo banale. Megjithatë, duket se Albatrosi ishte rreshtuar në turmën e lexuesve të tij, që e kishte marrë kritikën time, botuar dy javë më parë në gazetën “Mapo” me titullin “Letërsi mes e poshtë” si një kritikë xhelozie, apo edhe më keq, të një prapaniku. Nuk po them konservatori, se mbase ashtu jam, por fjala konservator nuk ka kuptimin që i dha diktatura – por kuptimin e qëndrimit mbi disa norma e vlera të përhershme të Njeriut.
Gjithsesi, të qenurit në këto pozita, konservatori – siç e quan Albatrosi -, nuk më ka penguar kurrë ta vlerësoj femrën dhe të besoj se çdo dhunim ndaj saj është dhunim ndaj shoqërisë – e si pasojë është edhe humbje e të gjithëve ne. Veçse unë nuk e shoh lirinë e femrës të përdorur mes këmbëve, por në mendjen e saj. Nuk e shoh tek vendimi i saj për të provuar sa e aftë është të jetojë si burrë, por tek mrekullia e saj që të jetojë si një femër e përhershme, e plotë dhe e tillë, siç e ka dhënë Zoti. Kjo s’do të thotë që të mos vendosë ajo për të ardhmen e saj.
Kjo nuk do të thotë se e shoh femrën si një vegël mahnitëse për dëshirat e burrit. Madje, kur funksionon mes e poshtë, ose kur ka preokupimin kryesor të vendosë të ecë përmes përvojave të pandalshme të përdorimit të trupit, ajo bëhet një vegël e tillë. Pikërisht këtu ka zënë fill edhe qëndrimi im kritik lidhur me atë tekst, që le ta quajmë letrar, megjithëse në kopertinën e tij libri nuk thotë asgjë, se kujt i drejtohet. Domethënë i ngjan një komunikimi të papërcaktuar, ashtu siç mbetet bota e vetë personazhit. Dhe, unë nuk akuzoj autorin se përse e çoi në vetëvrasje. Fatmirësisht autori nuk gjykohet për një gjë të tillë.
Por, gjithçka imja është më së pari në aspektin e vlerave artistike. Dhe çalimi nis pikërisht këtu, pasi letërsia, sipas meje, nuk është as “vetëm një gjë e mirë” e as “vetëm e shkruar bukur”. Por është“një gjë e mirë e shkruar bukur”. Në këtë aspekt Albatrosi çalon nga të dyja anët e kësaj medaljeje. Dhe në këtë drejtim nuk i vijnë dot në ndihmë fanset në facebook. Madje edhe të bërit replikë të autorit me kritikun është diçka absurde, pasi autori mbaron misionin e tij me librin duke e shkruar. Më pas komentet janë pjesë e lexuesve dhe e komentuesve dhe jo e autorit, pasi përndryshe gjithçka merr kuptimin e një lajmi gazete që mund të përgënjeshtrohet.
Ndaj, autorit mund t’i vijnë në ndihmë kritikë të tjerë, por ma do mendja se nuk kanë shumë se ç’të thonë, pasi libri është i dominuar nga dëshira për t’i thënë femrës se je e lirë të bësh ç’të duash dhe s’ke të drejtë të gjykohesh. Një libër që pasqyron një protestë pak a shumë adoleshentësh, ose e njerëzve të dështuar, të cilët pasi nuk kanë patur fuqi kurrë që të kuptojnë tjetrin, i akuzojnë të tjerët se po i gjykojnë moralisht. Tamam siç ndodh me vetë Albatrosin – që është edhe shkruesi – që më akuzon se i kam bërë gjyqin moral. Ky në fakt është një zhgënjim i madh, pasi besoj se autori në këtë rast duhej minimalisht të ishte pasuruar me një qëndrim më shumë për librin. Ose duhet ta botonte duke pohuar se duhet ta lexojnë vetëm ata që e pëlqejnë filozofinë e tij. Por ai në shkrim thjesht ka cituar personazhin e tij, “Zonjën Z”, dhe me akuzën, njëlloj si personazhi, se po e gjykoj moralisht.
Në teoritë letrare, libri është aq herë sa lexohet. Dhe leximet janë ato që ridimensionojnë vlerat letrare, ashtu siç ka ndodhur me autorë që në kohën e vet kanë jetuar në mosnjohje, por tashmë janë të gjithëstudiuar, ashtu edhe në të kundërt, që shumë “gjeni” të kohës së vet janë magazinuar në harresë. Arsyeja se përse libri i Albatrosit duhej komentuar, ishte fakti i përhapjes së tij publike. Dhe, për më tepër, që komenti po bëhej thjesht në raportin e fansave. Mirëpo, kurrë shijet letrare nuk kanë qenë raport turmash, e as sugjerim prej tyre. Vlerat e përçuara letrare kanë patur ndihmesë debatet profesionale, të mbështetura në disa parime, që përgjithësisht mbështeten tek ajo që na bën Njeri, që në fton të ngrihemi edhe kur rrëzohemi, që të kuptojmë se gabimi është njerëzor dhe pranimi i tij na bën edhe më njerëzor, duke na zhdukur nga mundësia e vetmisë.
Natyrisht që njeriu është gabimtar dhe mrekullia e letërsisë është pikturimi i njerëzores përmes gabimit. Por zgjidhja kurrë nuk i ka ardhur nga kuptimi i aftësisë për qejf, por nga kuptimi mbi atë që i jep kuptim gëzimit dhe dhimbjes, lotit dhe buzëqeshjes, ku padyshim futet edhe kënaqësia apo trishtimi që vjen prej seksit apo mungesës së tij. Por pikërisht këtu vjen dallimi, që ajo pjesë duhet bashkangjitur me vlerat shpirtërore. Përndryshe, ose janë makinë pjellore, ose makinë qejfi – e që të dyja nuk janë as të bukura e as njerëzore. Madje janë fyese për femrën.
P.sh, mrekullia e Madamë Bovarisë të Floberit nuk është tek aftësia e saj për të tradhtuar të shoqin, por tek të gjitha trandjet shpirtërore dhe humbjen që i provoi ajo aftësi. Edhe Albatrosi ka dashur të japë një Ana Kareninë, por pa mundur as t’u afrohet dilemave të saj, që ishin për moskuptim të dashurisë, e jo për të provuar teknikat e reja të seksit. Kështu që vetëvrasjet e tyre nuk janë njëlloj.
Albatrosi thotë në shkrimin e tij se teknikat e reja krijojnë papërcaktueshmëri stili, dhe si rrjedhojë, edhe liri të reja në të shkruar. Po, Albatrosi ka të drejtë në një pikë, që askush nuk mund të pengojë askënd të shkruajë. Por kur vjen puna tek gjykimi që e lidh letërsinë me letraren, me njerëzoren, me thirrjen për Njeriun, kjo Liri është kthyer në prangën e vlerave, sepse promovon atë trishtim që vjen nga paplotësia. Dhe kritika ime konsiston pikërisht në ndaljen e teksteve të tilla që mbështesin njeriun drejt lirive absurde, që e bëjnë çdo ditë të humbë nga mrekullia e të qenurit një qenie plot vetëdije, nga mrekullia e të qenurit i aftë të ringrihet pas çdo rrëzimi. Dhe nuk ka pse ata të plaken për të kuptuar rrugën e gabuar.
Lexuesve nuk ka pse t’u vëmë litarë për të zbritur lirisht në greminë. Letërsia e vërtetë nuk e ka bërë këtë kurrë, as në rastet e librave të Bukovskit apo Tupjes, të cilët autori kërkon t’i marrë si avokaturë se po shkel në rrugë të njohur. Përkundrazi, letërsia ka qenë litar për të dalë nga gremina e për të ngritur kokën lart, drejt të besuarit se mundesh edhe atëherë kur askush nuk beson te ty.