Akuzat për vrasjet e pasluftës, tension në politikën kosovare

0
16

Nga Tema

Akuzat e dy ditëve më parë të Nazim Bllacës, i cili pohoi se ka marrë pjesë në 17 vrasje, kanë krijuar tension në politikën kosovare. Përfaqësues të partive të ndryshme, duke përfshirë edhe presidentin e Kosovës, kanë kërkuar që drejtësia të hetojë menjëherë lidhur me këto deklarata. Kryeministri, Hashim Thaçi, ka mbledhur dje Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa EULEX ka marrë përsipër hetimin e deklaratave të Bllacës. Në mbrëmje ai është deklaruar i arrestuar nga policia e EULEX.

Hetimet

EULEX ka marrë përsipër hetimin e deklaratave të bëra dy ditë më parë nga Nazim Bllaca, i cili pranoi publikisht se ka marrë pjesë në disa vrasje të pasluftës, si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës. “Përafërsisht bëhet fjalë për 17 raste. Është fjala për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj.”, – ka pohuar zëdhënësja e EULEX në Kosovë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, e ka mohuar faktin se prokuroria ka lëshuar fletë-arresti ndaj Ballcës, ndërsa nuk bëri të ditur, nëse një gjë e tillë do të ndodhë në orët në vijim.

Ky i fundit pohoi se Bllaca është marrë në pyetje ditën e djeshme. “Ne mund të bëjmë me dije se sot në orët e pasdites, më urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Nazim Bllaca është shoqëruar për t’u pyetur në Prokurorinë Speciale në Prishtinë. Shoqërimi i tij është bërë nga Policia e Kosovës, së bashku me zyrtarë të policisë së EULEX”. Policia e Kosovës pohoi se ka ndërmarrë veprimet e saj të menjëhershme duke siguruar banesën e Nazim Bllacës në Ribar të Madh, e cila është sulmuar, dhe atë të deputetëve Adem Salihaj dhe Gani Geci. Ndërkohë, kryeministri, Hashim Thaçi, ka mbledhur gjatë ditës së djeshme Këshillin e Sigurisë Kombëtare, si dhe ka zhvilluar takime me presidentin Fatmir Sejdiu dhe zyrtarë të EULEX. “Kemi diskutuar të gjitha çështjet e ngritura ditëve të fundit, të cilat kanë rrethana të cenimit të sigurisë nacionale”, – tha Thaçi. Sipas tij, qëndrimi i përbashkët i të gjitha institucioneve për këtë rast do të jetë unik dhe në përputhshmëri me ligjin, pa ndikime politike.

“E kemi dhënë provimin më 15 nëntor dhe këtë do ta vazhdojmë edhe më 13 dhjetor e nuk do të lejojmë që ky sukses të këputet në mes. Jemi të vendosur që çdo rrethanë të qartësohet deri në fund. As të akuzuarit dhe as akuzuesi nuk do të mund t’i ikin transparencës”, – u shpreh kryeministri Thaçi. Shefi i EULEX, Yves De Kermabon, tha se sapo është kthyer nga Brukseli dhe se ky mision do të ketë bashkëpunim të plotë me institucionet e Kosovës në lidhje me këtë çështje. Ai tha se menjëherë ka pasur takim me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në vend, Pieter Feith, presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi për të diskutuar lidhur me akuzat e ngritura për vrasjet e pasluftës.

Pohimi që tronditi Kosovën

Nazim Bllaca është shfaqur publikisht në Prishtinë ditën e diel dhe ka pranuar se është autor i një vrasjeje dhe pjesëmarrës edhe në 17 raste të tjera, që nga vrasjet, rrahjet dhe shantazhet. Ai nuk ka dashur të publikojë emra viktimash, duke thënë se kjo është e ditur për prokurorinë e EULEX. “Kam punuar për strukturat e SHIK prej vitit 1999 deri më 2003 dhe eprorë të mi kanë qenë Azem Syla dhe dhëndri i tij, Shpresim Uka. Nga ky i fundit i kam marrë emrat se kush duhet të ekzekutohet”, – ka thënë Bllaca përpara gazetarëve. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se i janë ofruar edhe shuma të mëdha parash, 400 mijë deri në 600 mijë euro, vetëm e vetëm që të mos i bëjë publike këto informata.

Menjëherë pas deklaratës së Bllacës, deputetët e LDD, Adem Salihaj dhe Gani Geci, në një konferencë për mediet ua kanë shpërndarë gazetarëve CD me dëshmitë për vrasjet e pasluftës në Kosovë, në mënyrë që populli, sipas tyre, ta marrë vesh se çfarë ka ndodhur dhe kush janë vrasësit. Adem Salihaj ka thënë se CD me dëshmitë i është dorëzuar EULEX para 1 muaj e 20 ditësh, por misioni evropian nuk e ka marrë seriozisht punën. “Tani e tutje ne ndihemi të rrezikuar, pasi ka njerëz të krimit të organizuar në institucionet më të larta shtetërore”, – ka thënë Salihaj. Ndërsa Gani Geci ka shpjeguar mënyrën se si dëshmitari iu është ofruar për të biseduar. Geci ka thënë se nuk e kanë publikuar materialin më herët, duke mos dashur të pengojnë procese të rëndësishme në Kosovë.

Sejdiu: Të zbardhen dhe dënohen autorët e krimeve

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka reaguar dje lidhur me akuzat e Nazim Bllacës, i cili pohoi se ka marrë pjesë në 17 ekzekutime, mes të cilave edhe ndaj disa zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sejdiu ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar të gjitha krimet e bëra në Kosovë dhe për dënimin e autorëve të tyre. “Presidenti ka përcjellë me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit pas prezantimit të deklaratave publike të një qytetari, shtetas i Republikës së Kosovës, për krimet dhe veprat e tjera të jashtëligjshme të bëra në Kosovë, në të cilat, sipas tij, ai është pjesëmarrës dhe dëshmitar”, – thuhet në një deklaratë të Presidencës së Kosovës.

“Po ashtu, presidenti Sejdiu iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të ruajnë qetësinë dhe të kontribuojnë në stabilitetin e vendit, duke besuar dhe duke mbështetur institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare të drejtësisë, në veprimin e tyre me sa më efikasitet për zbardhjen e të gjitha rasteve të dyshimta, si dhe për nxjerrjen e autorëve të tyre para drejtësisë. Në funksionin e president, ashtu si deri tani, do të angazhohem për funksionimin e plotë të institucioneve, të funksionimit të shtetit ligjor dhe të sundimit të ligjit”, – përfundon deklarata e presidentit Sejdiu.

Haradinaj: Drejtësia nuk po vepron për akuzat e Bllacës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh dje se drejtësia në Kosovë nuk është duke vepruar, pas akuzave të hedhura nga ana e Nazim Bllacës. “Është për çudi që drejtësia nuk po vepron, në kuptimin që disa veprime kanë qenë menjëherë të nevojshme. Nuk ka logjikë që një njeri në qendër të kryeqytetit të deklarohet se ka bërë këtë apo atë dhe të vazhdojë të jetë i lirë. Në çdo demokraci normale pjesëtarët e rendit do ta kishin pritur atë, do ta kishin legjitimuar dhe do ta kishin ftuar që të vazhdojë bisedat rreth asaj se çfarë ka deklaruar ai, për të parë se a qëndrojnë këto deklarata të tij apo jo”, – tha Haradinaj.

Haradinaj shtoi se vërtetësinë e deklaratave të Bllacës duhet ta tregojnë institucionet e drejtësisë: “Për aspekte të tjera, se a është e vërtetë apo jo, mbetet të japin fjalën mekanizmat e drejtësisë dhe ta vërtetojnë, por që është një ngjarje e ndjeshme dhe që po i shkakton dëm vendit mosreagimi adekuat, kjo është më se e vërtetë”. Dëshmitari i shumëpërfolur i CD për vrasjet e pasluftës një ditë më parë ka thënë se ka marrë pjesë në 17 raste vrasjesh, plagosjesh, rrahjesh dhe shantazhesh, të cilat, sipas tij, janë kryer me urdhër të SHIK dhe eprorit Azem Syla, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1998.