ResPublica.al, 6 janar 2013
Argita e Jamarbër Malltezi
Vajza e Kryeministrit, Argita Berisha-Malltezi ka dalë vetë personalisht për të sulmuar kreun e opozitës. Ndër të tjera, cituar nga Top-Channel ajo i ka kërkuar Edi Ramës të bëjë publike pasurinë e vet dhe të së shoqes:
“Një javë më parë, ne ju bëmë thirrje dhe përsëri ju ftojmë Z. Rama, që për 13 vite ministër dhe kryetar bashkie, i deklaruar si i pastrehë dhe me pasuri 3 mijë euro, të bësh publike dhe me të njëjtin standard transparence të ardhurat e tua si dhe të ndriçosh, ndër të tjera, një nga pasuritë e bashkëshortes tënde Linda Basha, e cila ka deklaruar se është përfituese e një huaje pa interes, pra dhuratë, prej jo më pak se 100 milionë lekësh, nga një person anonim.
Shtojmë këtu se kjo shumë nuk është deklaruar si e derdhur me bankë, por është marrë nga Linda Basha me para të thata në dorë. Ju bëjmë me dije se në doktrinën e larjes së parave, huaja pa interes dhe, e theksojmë, nga persona anonimë, konsiderohet tejet e dyshimtë për pastrim parash”.
Ajo që të bën përshtypje, është fakti që këto akuza artikulohen nga një person, formalisht jashtë PD. Si natyrë, ato janë akuza që mbartin ngarkesë politike dhe zakonisht artikulohen nga politikanët, dhe thuajse kurrë nga qytetarë të thjeshtë. A mos vallë kjo është një shenjë e parë e futjes së vajzës së Kryeministrit në domenin politik shqiptar? K.C.