TemA, 7 Mars 2013
Topi nuk përjashtoi bashkëpunimin me Aleancën Kuq e Zi në zgjedhje, por thotë se shanset që ai të bashkëpunoje me Berishën janë zero. “Probabiliteti më i madh është që të hyjmë në zgjedhje të vetëm,” tha Topi. Ai shtoi se nëse largohet Berisha, ka mundësi bashkëpunimi me PD. Në këtë rast bëhet fjalë për situatat paszgjedhore. Kreu i FRD tha se skena politike do ndryshojë ndjeshëm nga këto zgjedhje.
Topi deklaroi se referendumi për tre ligjet është elektoral. Ai e quajti skandal atë që po ndodh me kontaminimin e qumështit në Shqipëri
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, në një intervistë në Top Story ka lëshuar akuzën se ai dhe partia e tij po survejohen nga struktura inteligjente të pushtetit. Ai tha se ka të dhëna të sigurta për këtë gjë dhe se nuk e ka fobi çështjen e përgjimit. Madje ai shtoi se është Berisha që ka fobi nga FRD
Topi tha se survejohen aktivitetet e FRD dhe më pas pushohen nga puna njerëzit që janë pranë FRD.
“Në takimin e zhvilluar në qytetin e Durrësit, fotografët e linjës inteligjente të partisë dhe qeverisë kanë fotografuar njerëz që janë marrë më pas në analizë në struktura dhe u ka shkuar mandati për t’i larguar nga puna,” tha Topi.
Madje ish- presidenti ka akuzuar opozitën, e cila nisi një betejë për çështjen e përgjimit nga ana e pushtetit, por e la në mes të rrugës.
Topi tha se shanset e bashkëpunimit të tij me Sali Berishën janë zero. Por ai tha se pas largimit nga PD të Berishës, gjërat mund të ndryshojnë për këtë.
“Kam parë tek ai një metamorfozë vetëm e vetëm në shërbim të pushtetit të tij, një sjellje arrogante, madje unike në të gjithë komunikimin politik sa kemi mundësi ne të njohim,
Në këndvështrimin tim dhe në këndvështrimin e FRD, ai është personazhi kryesor i tradhtimit të interesave mbi të cilat u ngrit PD,” tha Topi.
Kreu i FRD nuk ka komentuar rikthimin e Eduard Selamit në PD.
“Dëshiroj të konservoj atë komunikim korrekt që unë kam pasur dhe ka raste që është mirë të mos bëhesh pjesë e komenteve,” tha Topi.
Kreu i FRD tha se nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit ne AK, por nuk do bashkëpunojë me PS-në, të cilën e akuzon për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
“Nuk do të kishte asnjë lloj shansi mazhoranca të bënte ato ndryshime, pa mbështetjen e opozitës. Kemi të freskët rastin kur u modifikua kodi zgjedhor dhe vazhdon e njëjta psikologji, të njëjtat kompromise në dëm të të tjerëve, pasi duan që të dominojnë skenën politike. Kush e ka thënë që duhet të jenë vetëm këto dy parti, vazhdimisht në këtë gjendje. E gjithë politika botërore ka treguar se ajo është dinamike, projeksioni dhe partitë politike janë në lëvizje, siç është mënyra se si e ndien qytetari. Më duket ama sikur ka një bllok politik, një marrëveshje e fshehtë mes dy personave që duan të monipolizojnë politikën, shto media që i shkon mbrapa, zërat e tretë bëhen shumë më pak të fuqishëm.
Këtë e kam thënë gjithmonë, edhe kur nuk kisha asnjë interes e as projeksion në një parti politike. Një zë i ri është gjithmonë i domosdoshëm, ndërsa kjo është një politikë që çimenton të keqen brenda sistemit, një kënetë që shumëfishon sëmundjen. Rotacion nuk është ik ky të vijë ai, por edhe përfshirja e intelektualëve që s’duan të jenë pjesë e politikës që të demotivon dhe të denatyron. Kjo është arsyeja që unë kam parë dhe dëgjuar oferta për intelektualë, që kanë refuzuar pasi nuk duan të jenë instrumente të kësaj politike. Rotacion duhet të përfshirë edhe gjeneratat e reja,” tha Topi.
Kreu i FRD tha se probabiliteti më i madh është që FRD të hyjë vetëm në zgjedhje.
Ai deklaroi se skena politike do ndryshojë ndjeshëm në këto zgjedhje.
I pyetur se nga do marrë vota FRD, Topi tha: “Në eksperiencën time, unë si qytetar, e si politikan nuk jam mësuar të futem tek gardhi i të tjerëve, por dua të them se FRD nuk është një linjë që del nga ajo parti në mënyrën më absolute. Tendenca për të krahasuar me disa lëvizje të tjera që kanë ndodhur në retroskeptivë është e gabuar. Gjysma e zgjedhësve nuk votojnë, janë pa dyshim emigrantët, por edhe indiferentët apo alergjikët nga politika, nga qeverisja e radhës dhe këtë e kam vërtetuar personalisht në 2005-n. Fakti që në atë kohë mora mbi 50% të votuesve që isha votuar tradicionalisht, tregon se ka gjithmonë një kontigjent votuesish që janë të fshehur, por që presin një projekt dhe profil të ri të caktuar politik.
Të mos marrësh pjesë në zgjedhje, sigurisht nuk është gjë e mirë. Është thënë shpesh në Shqipëri se duhet zgjedhur e keqja më e vogël midis dy alternativave. Njerëzit zgjedhin të keqen më të vogël ose nuk votojnë sepse s’ka tjetër alternativë. Por, tashmë ka një alternativë më shumë, ne jemi një parti e qendrës së djathtë, kemi një program të qartë, që do të marrë formën zyrtare në gjysmën e dytë të muajit prill dhe kjo do të jetë kontrata politike që do të kemi me shqiptarët”.
Duke komentuar çështjen e referendumit për tre ligjet, Bamir Topi tha se referendumi është vetëm për arsye elektorale.
Duke komentuar edhe çështjen e referendumit për importin e plehrave, Topi tha se e ka kthyer pas ligjit e qeverisë, pasi ky shtet nuk funksionon siç dihet.
“Në një shtet që nuk funksionon siç duhet, le çfarë bërtet ai, ju e patë se si ndodhi me historinë e aflatoksinës, pra një shtet që nuk ka autoritet të bëjë kontrolle,” tha Topi.
Ai madje tha se kjo çështja e aflatoksinës dhe mënyra se si po reagon shteti, ngjasojnë me shpërthimin e Çernobilit, kur TVSH deklaronte se nuk ka probleme nga reja bërthamore.
Duke folur për situatën e rendit, Topi foli për një klan që nuk lëviz prej vitesh.
“Janë katër- pesë persona në polici, që janë të lidhur direkt me pushtetin e kryeministrit,” tha Topi.