Akuza e Ambasadorit Arvizu për Berishën!

0
61

Nga Ardian Ndreca, 5 Nëntor 2012

Tashma asht shumë vonë për dialog. Lirak Bejko ka vdekë dhe me të nuk asht e mundun me dialogue ma. Bashkë me Bejkon ka vdekë edhe shpresa që Berisha të mund të dialogojë me kend pa qenë o në pozita forcet o në pozitën e bashkëpuntorit në afera me ngjyrë të errët.

Ndaj ish të burgosunve ai nuk kishte asnji forcë, përveç asaj me i lanë me vdekë siç edhe i la. Me ta ai s’ka bashkëpunue kurrë pa i ba si veten e vet, kurse përgjatë komunizmit ai s’i kishte takue asnjiherë, pse s’kishte ku t’i shihte përposë ndonji salle gjyqi ku njerëzit si Berisha shkonin me ftesa për me rrahë shplakë ose për me dëshmue për akuzën.

Këto dy muejt e fundit treguen se ish të burgosunit politikë në Shqipni urrehen pa masë. Urrehen prej ish stalinistave të djeshëm që i dergjën ndër burgje. Urrehen prej hajdutëve në pushtet, që nervozohen kur dikush kërkon paret e veta. Ata nuk janë të dashtun as prej atyne që ndejtën si dele për dekada, pse janë ndërgjegja e tyne e keqe. Këto, së bashku me disa qindra tjera, janë arsyet që gjatë atij mueji kalvari në Tiranë, përreth tyne kishte ma shumë policë se mbështetësa.

Jam i bindun se greva e ish të burgosunve nuk ka dështue aspak. Janë partitë politike që kanë dështue përballë saj. Nuk flas këtu për parti të pakuptimta që mund të pushonin menjiherë së qeni pa u ndie mungesa e tyne, parti si puna e Republikanëve, LZHK-së, Demokristianëve, PBDNJ-së e ndonji tjetër po aq e pakuptimtë, flas për dy partitë e mëdha politike.

Greva e urisë dhe akti ekstrem i (vetë)ndezjes së opinionit publik shqiptar nga ana e ish të burgosunve politikë ka pasë padyshim nji kosto të naltë politike për të djathtën në fuqi.

Kostoja asht politike pse Berisha i dha asaj greve ngjyrime të tilla. Madje, në qoftë se Berisha nuk do t’i kishte përça ish të burgosunit politikë në këto dy dekada, ata sot do të kishin qenë nji forcë e aftë për me i dhanë tonin së djathtës.

Por sot logjika “i djathtë” e “i majtë” asht zbehë krejtsisht. Sot nuk ka asnji letër lakmusi që të tregojë se cila asht vija politike e koalicionit qeverisës. E vërteta asht se Berisha don me qëndrue në pushtet “me çdo kusht”, dhe kjo asht shumë e randë. Ai sigurisht ka arsyet e veta të forta personale për me veprue kështu, por pushteti heret a vonë të konsumon, të paktën kështu thoshte dikur me cinizëm Giulio Andreotti.

Besoj se në këto çaste truni i Berishës punon ethshëm, kërkon rrugëdalje, trillon, shpik, mundohet me gjetë arsye për me justifikue vendimin që mori për me i lanë me vdekë ish të burgosunit politikë.

Tue mos dialogue me Lirak Bejkon e Gjergj Ndrecën me shokë, ai tregoi se e ka trunin shumë kilometra larg zemrës, tue dëshmue se ende s’e ka mësue se shpeshherë zgjidhjet e vetme të problemeve të mëdha rrjedhin prej zemrës dhe jo prej trunit.

Kah ana tjetër ai asht mësue me evidentue zemrat e njerzve, vetëm tue ua çilë kafazin e krahnorit e jo tue kultivue nji ndjeshmëni qytetare e politike ndaj pritshmërisë së tyne.

Për ketë arsye akuza ma e randë që i asht ba ndonjiherë Berishës asht ajo e ambasadorit Arvizu, i cili menjiherë mbas masakrës së 21 janarit deklaroi pa iu dridhë zani se Berisha asht nji burrë shteti.

Tek Berisha nuk shihen as gjurmët e burrit dhe as shenjat e shtetit.

Asht thjesht nji individ që po konsumon nji mbas nji vepra të randa, për të cilat ndoshta nji ditë do të merret si i pandehun.