Nga Mero Baze
U përpoqa të gjej fjalën e duhur për një tip ëmbëlsire që shitej para do kohe në Tiranë, e cila ngjante një tufe leshi të përdredhur në një bosht që ishte shufër plastike. Nuk u gjet dot pasi në fakt nuk u gjet kurrë një emër i saktë për këtë ëmbëlsirë, e cila gënjente fëmijët si një gjë e madhe, por që zhdukej pas dy minutash në duart e tyre pa u ngelur asgjë në gojë dhe në shkopin plastik në dorë. Disa i thonë akullore me lesh, të tjerë i thonë pambuk sheqeri.
Besoj të gjithë e sjellin në mendje çfarë është. Kjo ishte e vetmja gjë që mu kujtua pasi dëgjova fjalimin e Lulëzim Bashës dje si kandidat për kryetar bashkie të Tiranës. Në gjithë atë boshllëk ku humbiste teatraliteti i tij, dhe në gjithë atë ngutje për të prezantuar një portret artificial, pati një gjë racionale dhe ajo ishte linja politike e fjalimit të tij.
Për të gjithë ata që këshilluan Berishën të qëndronte larg fushatës së Lulëzim Bashës dhe këtë të fundit që të demonstronte një personalitet të pavarur në raport me të, pati një përgjigje. Lulëzim Basha u prezantua si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë me një strategji tërësisht politike dhe duke e mbështetur luftën e tij tek motivimi i atyre që mbështesin Berishën.
E vetmja gjë me përmbajtje në fjalimin e tij që të ngelej nëpër dhëmbë, nga “pambuku i sheqerit” që ai ndante për publikun, ishte fakti se beteja e tij për Tiranën kishte rëndësi politike, pasi ishte betejë për të mbrojtur kryeministrin Berisha nga rreziku Edi Rama. Në thelb është lëvizje e zgjuar. Basha nuk me çfarë të motivojë strukturat e PD-së më shumë se sa me këtë përkushtim politik. Ata që i sugjerojnë distancë nga Berisha në të vërtetë i sugjerojnë nxjerrje nga fushata ende pa nisur. Lëvizja e vetme e Bashës është më radikale se kaq.
Ai, jo vetëm që u prezantua me një familjaritet të pazakontë nga Berisha, i cili foli deri dhe për fëmijën e palindur të tij në bark të nënës, por u vetëprezantua më pas si një luftëtar i mbrojtjes së kauzës së Berishës, e cila rrezikohet sipas tij nëse Edi Rama rifiton Tiranën. Pra, e vetmja gjë racionale e fjalimit të Lulëzim Bashës, ishte fakti që ai duhet të fitonte Tiranën për të shpëtuar Berishën. Kjo në të vërtetë është dhe teza që i jep më shumë vota se çdo tezë tjetër Bashës brenda PD-së. Të gjitha luftërat e vogla që mund të bëhen kundër tij, dështojnë përballë kësaj teze, pasi ai ka vetëzgjedhur të jetë “luftëtar i Krishtit” në betejën për kryeqytetin.
Pavarësisht se vëzhguesit e përciptë të politikës shqiptare dhe komentatorët stereotipistë do ta kritikojnë, ai ka bërë zgjedhjen e duhur në qëndrimin politik. Këtë e zhvilloi dhe në qëndrimin ndaj Edi Ramës. Ai vlerësoi Edi Ramën si kryetar bashkie për dy mandatet e para të tij, d.m.th injoroi kauzën e dy paraardhësve të tij Mustafaj dhe Ngjela, dhe kritikoi Ramën si kryebashkiak pas vitit 2005 kur ai u bë dhe kryetar partie. Pra, në gjithë boshllëkun e fjalimit të tij të parë elektoral, Basha ka zgjedhur të dëgjohet vetëm një jehonë në atë humnerë dhe ajo të jetë fjalia, “unë po sakrifikoj për Sali Berishën”.
Ky qëndrim në dukje prej kamikazi, është në të vërtetë i vetmi qëndrim racional politik i tij. Debati tani qëndron nëse Basha fiton më shumë pikë nëse distancohet nga Berisha dhe e mban atë larg fushatës, apo nëse thotë votoni për mua nëse nuk doni të ikë dhe Berisha pas zgjedhjeve?! Mendoj se qëndrimi i dytë i jep më shumë pikë brenda PD-së, ndërkohë që ai ka pak shpresa të trondisë elektoratin gri të Tiranës me atë performacë politike që ka. Kështu, fushata e tij ka shanse të bëhet më politike, më entuziaste dhe më motivuese dhe për ndonjë manipulim.
Rreziku kryesor që Basha ka nga luftërat e brendshme në PD kështu minimizohet dhe ai gjen arsye të fusë në betejë kastën e korruptuar të administratës që mund ta shikonte me indiferentizëm këtë betejë. Fjalimi i tij ishte bosh për nga idetë, bosh për nga programi, qesharak për nga premtimet, por serioz për nga motivimi politik. Akullorja me lesh, apo pambuku i sheqerit siç mund të quhej fjalimi i tij i parë elektoral, vërtitej pas një shufre plastike dhe kjo ishte beteja për të mbrojtur Berishën. Kjo betejë realisht e motivon më shumë se beteja për të mbrojtur kryeqytetin.
Kjo rrit shanset për të gjitha rreziqet në fushatë, që nga tensionet politike, fizike, dhe deri tek motivimi për të prekur dhe votën në emër të një ndërtese më të madhe që rrëzohet nëse rrëzohet i dërguari i Zotit (Berisha) në betejën e Tiranës. Basha ka zgjedhur me vetëdije, të jetë “no face, no name, … but number” në betejën e Tiranës. Ndaj ndjehej boshllëku dhe cektësia në fjalën e tij. Nuk ka bërë kujdes për to, edhe pse nuk është aq e lehtë të kesh përmbajtje. Ai ka zgjedhur të luftojë në emër të Berishës për të ndalur ikjen e tij nga pushteti. Ka zgjedhur të jetë një pararojë e betejës së tij. S’e ka menduar keq, pavarësisht sa mund t’ia arrijë.
“Të gjitha luftërat e vogla që mund të bëhen kundër tij, dështojnë përballë kësaj teze, pasi ai ka vetëzgjedhur të jetë “luftëtar i Krishtit” në betejën për kryeqytetin.”
Kush eshte Berisha per te qene Krishti?
Duke qene antiberishian je duke kompromentuar nje emer te shenjte.
Lulzim Basha mund te sakrifikoje per Berishen, pune e tij apo pune e tyre, por te thuash qe ai ka zgjedhur te jete “luftetar i Krishtit” eshte nje deklarate blasfemuese, sepse tregon qe ti nuk ke kuptuar asnje gje nga Krishti.Duke dashur te luftosh Berishen, si dhe kanditatin e tij per Tiranen, je duke perdorur emrin e Krishtit per kredibilitet politik dhe kjo eshte nje blasfemi e plote.
Krishti kur vdiq ne kryq tha: Fali o Zot se nuk dine se ç’bejne!
Une me plot gojen mund te them: Ruajna o Zot nga keta njerez se s’dine se ç’thone!
Comments are closed.