Shekulli Online, 28.03.2010
Vazhdon botimi i fragmenteve nga libri” Të gjithë nëpër vendet e tyre” të shkrimtarit dhe publicistit Preç Zogaj.
– Në këtë pjesë autori rrëfen përfundimin e konfliktit dhe largimin e Spartak Ngjelës nga grupi i PD-së –
(fragment)
Tani është momenti për t’ia bërë të qartë njëherë e mirë Spartakut: O kështu siç themi ne, ose hap rrugën, zotëri! Kemi plot juristë të zotë në radhët e deputetëve që mund t’i vëmë në krye të Komisionit të Ligjeve.
I kanë raportuar edhe atë tjetrën. Që ka ikur nga votimi kur po votohej projektligji për gjobat. Kësaj i thonë ta kërkosh vetë. Përnjëmend ta kërkosh vetë.
Telefoni ” Nokia biznes”, që mban në dorë, e tundon t’i përcjellë Ngjelës një paradhënie të zemërimit, që i është mbledhur në shpirt. E ka provuar edhe më te tjerët dhe i ka rezultuar e suksesshme si metodë për të shuar që në pelena ndonjë shkëndijë rebelimi. T’i telefonosh tjetrit pas një periudhë të caktuar heshtjeje dhe ftohtësie , t’i shfaqesh papritur me emrin tënd ne ekranin e celularit si të kesh qenë duke e përgjuar gjithë këtë kohë nga një pritë e fshehtë, t’i drejtohesh me pezëm, me nerv, pa hyrje dalje:
O zotëri, në qoftë se ti…
Nuk ka arsye të mos funksionojë dhe me Ngjelën. Jo se ky ka në bark atë gropën e madhe të frikës pa motiv që kanë shumë njerëz. Ngjela nuk ka frikë. Por ky dhe një pakicë djathtistësh si puna e tij, s’kanë ku të shkojnë më po u dha duart Partia Demokratike.
Largimet, rebelimet, ndarjet nga partia e madhe për të krijuar parti me vete, me ëndrrën për t’i marrë terren së madhes- të gjitha këto kanë rezultuar pesë me hiq në Shqipëri. Njerëzit në këto anë vuajnë nga përtacia mendore. Përtacia mendore stimulon dypartitizmin. Një ditë prej ditësh, ata që janë larguar nga partia e madhe për të bërë bukë me miellin e tyre, kanë ngritur duart e ulur kokat. Sapo Berisha u ka bërë një shenjë të vogël afrimi, ata nuk janë menduar gjatë të vrapojnë drejt tij, gjoja sikur ai ka ndryshuar, s’bën dot pa ta, e të tjera e të tjera. Në të vërtetë Berisha edhe i ka ironizuar, kur i ka ftuar. Sepse ata, thellë-thellë, janë rikthyer sepse kanë dështuar në përpjekjet për të ngritur në këmbë një kauzë me vete dhe në mëtimet për ta nxjerrë nga loja Partinë Demokratike, kreun e saj. Ata, realisht, janë kthyer e kthehen si fëmijë plëngprishës. Por për të rregulluar vitrinën e tij të ndryshimit, Berishës nuk i ka interesuar t’i rimarrë si të penduar, por si të ndryshëm.
E gjithë kjo histori me të kthyer, gjithë ky pajtim me ikanakët dhe rebelet e partisë, që ndryshe ndodh, ndryshe shkruhet e ndryshe është në thelb, ka një domethënie të pathënë që nuk e luan topi. Domethënia është kjo: Berisha mund të jetë apo të bëhet sa here të dojë ai që ka qenë kur ka provokuar rebelimet, por rebelet, më saktë ish rebelet nuk mund të ikin më, s’kanë ku të shkojnë më, përveçse në harrim. Ata kthehen të humbur në PD dhe ripranohen si të fituar. Kryetari i prêt kokulur, por është fitimtar. Kjo është kontrata e pashkruar që ka rregulluar këtë marrëdhënie. Kryetari, duke ironizuar pa fjalë opozitarizmin e tyre të dikurshëm rastësor, rrethanor apo të porositur, u ofron atyre mundësi karriere me gjithë avantazhet përkatëse. Në shkëmbim, merr prej tyre imazhin e ndryshimit pa qenë nevoja të ndryshojë. Dhe më e rëndësishmja: merr prej tyre shërbesën e paçmuar të konformizmit. Në të vërtetë, prania e urtuar e ish rebelëve në parti është një mesazh kuptimplote për të rinjtë që sapo kanë hyrë në politikë. Asnjëri prej të rinjve s’ka përse t’i futet një aventure, që në rastin me fatlum të kthen në pikën e nisjes. Ja ku e keni shembullin…Ja ku i keni shembujt…
Ngjela nuk përgjigjet në telefon…Dëgjohet sekretaria telefonike e kompanisë celulare: “Personi që ju po kërkoni është i padisponueshëm për momentin. Por do të njoftohet për thirrjen tuaj”.
Por do të njoftohet për thirrjen tuaj!
Do të njoftohet për thirrjen e kryeministrit.
Berisha e lë kohën të rrjedhë në pritje që tjetri t’i kthejë thirrjen. Ndoshta provon njëherë të dytë, edhe njëherë të tretë. Ndoshta asnjëherë më-kjo nuk ka rëndësi.
Por do të njoftohet për thirrjen tuaj!
Spartak Ngjela është njoftuar për telefonatën e kryeministrit. Dhe ka vendosur të mos e kthejë thirrjen, të mos e mbajë hapur telefonin. Ka gjetur këtë mënyrë për të evituar kontaktin, për t’i bërë bisht përplasjes.
Për t’i bërë bisht apo për ta acaruar më keq?
Më në fund, i bojkotuar prej bashkëpunëtorit të tij, madje i fyer, kryeministri Berisha mendon të marrë vendimin e vështirë por të pashmangshëm: shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Komisionit të Ligjeve.
Në emër të Kushtetutës, Ngjela ka shkuar aq larg me qëndrimet e tij kundërvënëse, sa meriton një gjyq shembullor mu në kupolën e partisë. Kupola dhe zgjatimi i saj në Grupin Parlamentar, në Këshillin Kombëtar dhe në krejt piramidën e partisë duhet të shohin se kryeministri duron sa duron, toleron sa toleron, por mbetet i patundur dhe në fund të fundit edhe i pamëshirshëm me këdo që e tepron me lodrën e kundërshtimit.
Gjyqi politik i Spartak Ngjelës përgatitet me pakujdesinë e nxitimit për të mbyllur një çështje të paragjykuar. Në fakt, politika perfide nuk del kurrë në mejdan, nuk jep kurrë betejë. Beteja, nëse mund të quhet kështu, është moment i vendimit paraprak të liderit dhe kupolës për eliminimin e kundërshtarit pa praninë e tij. Pjesa tjetër është formalitet, teatër.
Në datë 3 prill 2006 afër drekës, kryetari i grupit parlamentar, Bamir Topi, që do të zgjidhej President i Republikës pas gjashtëmbëdhjetë muajsh, e fton Ngjelën në një takim në zyrën e kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli. E njofton se do të jetë edhe doktor Berisha, madje është ky që e ka kërkuar takimin. Siç më ka treguar më vonë, Ngjela fillimisht ka përshtypjen se e kanë thirrur për të gjetur gjuhën në lidhje me projektligjin e legalizimeve. Pse jo, edhe për të shtensionuar një marrëdhënie të tendosur .
Pavarësisht se nuk ma ka pranuar, ka mundësi që ai, dyshues dhe nuhatës i dinakërive politike, ka menduar edhe të kundërtën, pra atë që kanë menduar historikisht politikanët shqiptarë të shënjestruar si rebelë, kur janë thirrur “për sqarime” nga shefat e tyre: që kryeministri e kishte thirrur për të ndarë hesapet, për t’i dhënë munzën.
Kishte ardhur çasti që ai po e priste prej disa javësh, për të mos thënë muajsh. Do të përplasej. Fort. Por e gjithë kjo nuk mund të ndodhte si në zyrat e dikurshme të byrosë politike apo si në bodrumet e masonerisë, ku e vërteta varroset ose tregohet më vonë, ashtu siç i pëlqen kryetarit. Prandaj kishte menduar se edhe mund ta regjistronte takimin me celularin e xhepit, që shërbente edhe si regjistrator. Mjaft të shtypje pa renë në sy një buton të vogël. E mendonte se kjo nuk ishte shumë e ndershme, por përvojat e hidhura të jetës e kishin mësuar se nganjëherë arsyeja nuk është gjë tjetër veçse filli që lidh mjetin me qëllimin.
I paqartë pse e kishin thirrur, ai hyri me vrullin e tij karakteristik në ish zyrën e Enver Hoxhës, që përdorej prej disa vitesh si zyrë e kreut të Kuvendit të Shqipërisë.
Berisha ishte atje në shoqërinë e Jozefina Topallit, Bamir Topit, Ridvan Bodes dhe tre apo katër bashkëpunëtorëve të tij të një rangu me të ulët . Këta të fundit nuk kishin funksione më të larta se Ngjela në kryesinë e partisë demokratike. Për këtë arsye, ai dalloi në atë kombinim kupolën e Partisë Demokratike përpara hapjes. Berisha, që kishte thirrur pikërisht ata njerëz në atë seancë gjykimi për të ardhurin e parë në bunkerin e tij, mund të mos e kishte bërë si diçka të menduar. Në fund të fundit, secili prej të pranishmëve justifikohej me funksionin partiak ose shtetëror që mbante. Por simbolika , edhe pse e pa kërkuar, ishte aty, fliste vetë.
Një çast, Spartak Ngjela shëtiti vështrimin në katër qoshet e asaj zyre të madhe ku me mushkëritë e Enver Hoxhës kishte marrë frymë tirania më e egër e Shqipërisë. Fati po i punonte një rreng. Në moshën e flokëve të bardha, e kishte kthyer pikërisht aty ku kishte nisur rruga e tij drejt burgut të Spaçit, kur kishte qenë i ri.
Kryeministri foli i pari duke vendosur qysh në krye tonin e distancës. Ngjela, gati instinktivisht, i bëri një shenjë që donte të thoshte: Ka njerëz këtu! Nuk donte të kapej me Berishën në sy të bashkëpunëtorëve të tij me të afërt. E dinte se sa prekej ai kur e kundërshtonin faqe të tjerëve. Përveç kësaj, vazhdonte të shpresonte, ose ia kishte ënda të shpresonte se të pranishmit e tepërt në atë takim kishin qëlluar rastësisht në atë zyrë, pra nuk ishin thirrur me kast.
Por Berisha ia fshiu me një të lëvizur të dorës këtë shpresë. Le të jenë, s’kemi të fshehta!
Ashtu?!
Pa folur, i prerë në fytyrë, por i qetë, Ngjela gjeti me dorë celularin që mbante në xhep dhe shtypi me kujdes butonin e regjistrimit.
“U përpoqa të bisedoja privatisht, por ishte e pamundur, për arsye që ti i di vetë”, ia nisi Berisha. “Unë do të jem i hapur me ty, duke respektuar kontributin tënd, respektuar sakrificën tëndë. Kam qenë dhe mbetem i mendimit se deklaratat, mendimet duhen të jenë të tolerueshme, sado që në raste të caktuara kanë ardhur në kundërshtim me programin politik të shpallur. Tani veprimtaria e komisionit të ligjeve që ke ne dorë ti…Për mua abuzon, sepse në qoftë se ti je kryetar komisioni, je njëri nga anëtarët e komisionit në kuptimin e fuqisë vendimmarrëse. Je përpjekur të bësh më shumë se ta takon dhe këtë e ke bërë në kundërshtim me përcaktimin e qeverisë…”.
“Cilat janë”? e ndërpreu Ngjela duke pasur parasysh teprimet.
Berisha tha diçka nëpër dhëmbë që tingëlloi si “presidenti”, Ngjela u përgjigj se nuk mund të akuzohej pa fakte. Nuk mund!
“Këtë e ke bërë në kundërshtim me përcaktimin e qeverisë”, e lidhi fillin Berisha aty ku e kishte lënë. Dhe vazhdoi me ton të prerë: “Së dyti, largimi yt demonstrative nga Parlamenti, përsëritja e idesë së Fatos Nanos me Ilir Metën ishte një gjest fatal për ty sepse vendi yt është në grupin parlamentar dhe me largimin që bërë tregove se ti nuk i përket grupit parlamentar. Nëse ti mendon se mund të krijosh skema ose skenarë si të Fatos Nanos, gabohesh… Ajo ngritja jote për të mos votuar…”!
“Unë kisha shpallur mosvotimin”! tha Ngjela.
” …prishe kuorumin”! ia ktheu Berisha.
“Kuorumin nuk e prisha unë, e prishën këta”! replikoi Ngjela duke treguar Topallin dhe Bejën. Dikur u ndal pak, u mbush me frymë dhe vazhdoi me një zë më të vendosur, duke i folur tashmë jo thjesht atyre që kishte përpara, por publikut jashtë asaj zyre: ” E dyta, se nuk mund të të dëgjoj pa fund, unë nuk kam bërë asnjë kundërvënie dhe jam marrë vetëm me ligjet. Ligjet janë për faqe të zezë, janë paçavure dhe nuk është faji im që janë të tilla. Ligji ka një teknikë legjislative që duhet respektuar. Teknika legjislative është shkencë dhe ne nuk mund të dalim dot jashtë kësaj shkence…Duhet të më japësh mua argument se cili është kundër programit të qeverisë. Ke tetë tentativa dhe unë jam matur e duhet ta kisha denoncuar edhe penalisht, ke tetë atentate kundër kushtetutës, shtatë… T’i numëroj unë…”
“Çfarë je ti, more që më tregon kushtetutën? Kujt i tregon kushtetutën”? thirri Berisha.
Ata shkëmbyen batuta të njëpasnjëshme , duke rritur në secilën prej tyre tensionin, distancën, divergimin. Kryeministri, që nuk e kishte thirrur atë takim për të bërë debat, po përgjigjej shkurt, prerë dhe me njëfarë bezdie që ishte i detyruar të vazhdonte. Por Ngjela kishte program tjetër.
“Ligjet që kam kaluar unë”, po thoshte, “kanë qenë të gjitha me 20-30 ndreqje minimumi. Edhe ligji i KLD-së, vetëm se isha në Romë pa nuk do ta kishte rrezuar Gjykata Kushtetuese. Do ishte rregulluar. Unë isha në Romë, këta e kaluan, iku, u prish. Të mora, të thashë: Ligji për legalizimet ka problem kushtetuese, do të ta kthejë Presidenti. Në mos ai, Gjykata Kushtetuese. S’ma pranove. Çfarë të të bëj unë”?
Kryeministri e kishte dëgjuar pa folur këtë ligjëratë, por sakaq, tjetri kishte thënë një gjë që s’ia kishte dëgjuar kurrë, që e kishte nxjerrë fare nga takti . “Është luks i madh për një vend që kryeministri është kardiolog. Është shumë luks. Megjithatë duhet të kesh atje tridhjetë ekspertët më të mirë të vendit…”
“Ti të japësh dorëheqjen që sot”! i kishte ngulur fjalët kryeministrit duke e përsëritur këtë thirrje në formë urdhërore shumë herë , pas çdo batute të Ngjelës, që po kompletonte duke sulmuar mbrojtjen e tij.
Ngjela: Po nuk më shkarkon dot t’i mua, ore zotëri! Nuk ka zot në botë që në sistemin tim të më shkarkojë mua! Ky nuk është sistemi yt! Jep dorëheqjen! Jep dorëheqjen se ke bllokuar edhe tregun, edhe shtetin! Je i bllokuar krejtësisht!
Berisha: Je i shkarkuar, po ta them unë…Dhe e dyta, je i pezulluar që sot si sekretar për marrëdhëniet publike në PD.
Ngjela: Mbaj vëth në vesh këto që po të them: Nuk me njeh mua ti! Nuk kam bërë tre orë arrest unë.Kam bërë trembëdhjetë vjet, ore zotëri, jo tre orë! Dëgjo! Me mua nuk ka! Unë kujtova se ti kishe ardhur të diskutoje! Po ky pyes unë për shkarkime! Unë jam deputet, nuk çaj kokë fare!
Berisha: Je i shkarkuar! Të nxjerr fare nga grupi!
Ngjela: Ehu, ne të kemi toleruar shumë madje! Je shumë i toleruar dhe unë kam faj që të kam toleruar!
Berisha: Je i shkarkuar!
Ngjela: Shkarkim! Kujt i thua shkarkim ti? Hidhe na sallë! Ke betejë të gjatë në sallë! Patjetër!
Berisha:Po, në sallë!
Ngjela: Me mua s’ka! Dhëmb për dhëmb! Unë jam me moral hebraik! Je mësuar me kristianët ti, që të kthejnë faqet. Unë jam me moral hebraik. Dhëmb për dhëmb…Hajt mirupafshim!
Dera u mbyll. Po largohej pa kthim për të rifilluar aty ku e kishte lenë betejën e tij shumëvjeçare, duke i dalë përballë kësaj radhe dikujt me të cilin kishte ndarë tetë vjet në opozitë.
Fare pak lajme rrodhën atë ditë nga takimi në zyrën e Topallit. U duk se kryesia e vogël kishte zgjedhur ta largonte Ngjelën pa zhurmë, duke e spostuar fillimisht nga posti i kryetarit të ligjeve, mandej me të parë e me të bërë. Duke ndjerë poshtërimin e një ekzekutimi të ftohtë, apo sepse e kishte ndarë mendjen të shpallte luftën e tij, Ngjela e dërgoi në një media televizive regjistrimin e debatit me dyer të mbyllura. Me vetëdijen se kishte bërë një gjë të pahijshme, që i ishte diktuar nga rrethanat e një “gjyqi” të padenjë për historinë e tij, ai kundërshtoi ta kishte realizuar vetë regjistrimin e debatit. Por, siç ma ka pohuar vite me vonë, nuk kishte rrugë tjetër për të mbajtur dinjitetin e betejës së re dhe karrierës së re, tashmë pa PD-në.