Nga Dedë Shkurti7 Prill, 2012
Tema, dt., 06.04.2012: “Tiranë, e godet makina, gjen vdekjen fëmija 5 vjeç”.
Balkan Web, dt.06.04.2012: “Lushnje, furgoni përplas 3 fëmijë, po shkonin në shkollë”.
ABC News, ora 12.00 A.M: “Aksident në Fushë Krujë-Milot, vdes polici i burgut”.
Kjo është masakra rrugore e radhës, vetëm në gjysmën e parë të ditës me 06 prill 2012. E premte e zezë, pikërisht në një të premte si kjo, Pons Pilati lau duart dhe Krishti u vu në kryq.
Afro dy muaj më parë, Pilatët e Kuvendit të Shqipërisë “lanë duart” me një palo Kod Rrugor për t’i hedhur hi syve Bashkimit Europian se po miratojnë me konsensus ligjet me tre të pestat, për t’i hapur rrugë vendit për të filluar bisedimet për statusin e vendit kandidat për në Europën Komunitare.
A ekziston vallë ndonjë lidership i çmendur Europe që të na pranojë në këtë farë gjendjeje që jemi katandisur? Vazhdoj të besoj si i verbër se, si unë janë shumica e qytetarëve të këtij vendi që janë të shokuar nga kjo zezonë që s’po na ndahet për më shumë se dy dekada. Së bashku me ta do të prisja një lajm, apo të paktën një gjest që, me sa duket, nuk do të vijë kurrë:
Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme plenare dhe e shpalli Të Shtunën e Madhe, ditën e varrimit të viktimave të Kodit të tyre Rrugor si ditë zie. Të dilte Ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Kryekontrollori i Policisë Rrugore dhe të jepnin dorëheqjen , ndoshta dhe të vetëdorëzoheshin në Prokurori. Shteti shqiptar ka falimentuar, trafiku rrugor eshtë në anarki të plotë.
Jozefinës, i rrofshin fjalët e bukura për të ndriturën Esmeralda, kurbani i radhës, i pafajshëm në kasaphanat rrugore, me shiritat e prerë në sezonet respektive elektorale. Si sot , katërmbëdhjetë vite më parë, në kulmin e një tragjedie familjare, objekt i një aksidenti automobilistik, me lot dhe gjak përzier kam shkruar këtë vjershë:
E SHTUNA E MADHE NE SHQIPËRI
Kryqet dhe gozhdët janë gati
Barabat, të gjithë në amnisti
Dorezat ka veshur Pilati
Mariet janë veshur në zi.Një zë Kallashi turmat i mbledh
Apostuj të rremë në foltore
Golgotë është çdo brinjë, çdo ledh
Kalvarët, diçka monotone.Në kryq, në kryq!, – thërret turma
Barabat fytyrat me maska
Apostujt kërkojnë mandate në tribuna
Të shtunën e Pashkëve.Jezusi, sot është i vdekur
Prapë nesër s’do të ketë Ringjallje
E tmerrshme
Ditënata shqiptare kangecur
Në një Të Shtunë të Madhe!