Akademikët Stavileci dhe Nushi flasin për nxitjen e urrejtjes së serbëve dhe maqedonasve ndaj shqiptarëve

0
37

Podgoricë, 23 nëntor – Në Konferencën Ndërkombëtare të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve dhe të Akademisë Botërore të Shkencave dhe të Arteve Divizioni për Evropën Juglindore “Vlerat dhe Mileniumi 21”, që u zhvillua në Podgoricë prej 19 21 nëntor, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi paraqitën pikëpamjet e tyre për shkencën, etikën dhe botimet akademike. Me këtë rast, ata i bënë një vështrim kritik botimeve të Akademisë Serbe dhe asaj Maqedonase të Shkencave dhe Arteve në të cilat nëpërkëmbët historia e popullit shqiptar dhe mohohet etnogjeneza dhe identiteti i tij kombëtar.

Akademikët Stavileci dhe Nushi dëshmuan për motivin dhe nxitjen e urrejtjes së serbëve dhe maqedonasve ndaj shqiptarëve, duke fajësuar historiografinë serbe dhe atë maqedonase për shtrembërimin e argumenteve historike mbi lashtësinë e popullit shqiptar dhe të drejtën e tij në trojet në të cilat jeton në një rryp të pandërprerë tokësor.Përderisa serbët i kanë kualifikuar shqiptarët si “paranjerëz të periudhës parahistorike”, maqedonasit i quajnë shqiptarët “njerëz të malit”, pa vra mendjen për identitetin e formësuar dhe të njohur të tyre. Akademikët tanë deklaruan se në shembullin e akademive serbe dhe maqedonase u vërtetua teza për të qenit e shkencës një “shërbëtor i mirë i politikës”, duke u angazhuar për vlerat e vërteta të shkencës dhe pavarësinë e saj.

Botimet akademike, theksuan ata, duhet të shkruhen me forcën e argumenteve, t’i përmbahen ligjeve të shkencës dhe autorët e tyre nuk duhet të zhvishen nga etika shkencore. Në shkencë nuk është e pranueshme që njëra palë “t’ia imponojë shikimet e veta palës tjetër”. Në shkencë mund të ketë shikime të ndryshme, por jo dhe ndaj të vërtetave të verifikuara historikisht dhe të njohura dhe të pranuara shkencërisht, si është shembulli me popullin shqiptar dhe historinë e tij. Konferenca duhet të identifikojë vlerat e njëmendta dhe në këtë kuadër roli dhe rëndësia e akademive të shkencave janë të pazëvëndësueshme.