Akademia Britanike e Mbrojtjes: Në Shqipëri ligjin e bën Argita

0
42

Nga tema.al, 07.01.2009

Një raport i Akademisë së Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar del në përfundimin se zgjedhjet e këtij viti janë të rrezikuara, jo vetëm për shkak të problemeve teknike, por dhe për shkak se mazhoranca mund të tentojë manipulimin e tyre.

Raporti i përgatitur nga James Pettifer thekson se është e nevojshme që ndërkombëtarët të përqendrojnë vëmendjen e tyre te media, e cila do jetë një gardian ndaj manipulimeve zgjedhore.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në qershor 2009 dhe duhen pritur tensione politike dhe sociale. Me pak fat dhe me shmangien e krizës ekonomike, Partia Demokratike mund të mbetet në pushtet, por rezultati do jetë shumë i ngushtë. Rreziqet janë të mëdha dhe vëzhgimi ndërkombëtar për ndershmërinë e zgjedhjeve është një çështje e rëndësishme. Vëmendje e veçantë nga ndërkombëtarët kërkohet në mbrojtjen e medies relativisht të lirë nga presionet, si një barrierë kundër manipulimeve të mëdha elektorale”, – thekson Petiffer në raport.

Por, një konstatim i rëndë bëhet për qeverisjen e kryeministrit. Sipas raportit, është vajza e kryeministrit ajo që bën emërimet në poste kyçe dhe se qeverisja është nepotike.

“Mbetet një qeveri me vendimmarrje thellësisht të personalizuar, me shumicën e vendimeve të përqendruara në zyrën e kryeministrit, dhe një numër thelbësor bashkëpunëtorësh nga sfondi politik, kryesisht nga veriu, që ishte i dukshëm në vitet 1992-‘97. Zhvillimi i institucioneve të shtetit post-komunist ka qenë i ngadaltë në Shqipëri, dhe vazhdon të jetë kështu. Anëtarët e familjes së zgjeruar të Berishës, që nuk janë zgjedhur, kanë pushtuar poste me influencë, veçanërisht vajza e tij, dhe nepotizmi është një problem serioz,” – thuhet në raport.

Përfundime të rënda dalin në raport edhe për ekonominë shqiptare nën drejtimin e Berishës.

“Qeveria Berisha po përballet me probleme serioze, dhe ekonomia po shfaq shenja serioze lodhjeje. Reformat e kërkuara për të ecur drejt anëtarësimit në BE, janë ngadalësuar dhe progresi i shpejtë në këtë drejtim është në dyshim.

Problemet kryesore që prekin jetën e përditshme të një shqiptari mestar, nuk janë cekur shumë nga qeveria Berisha. Ka mungesa në ujë, energji, probleme me transportin dhe strehimin, dhe dhjetëra probleme me infrastrukturën”, – thuhet në raport.

Akademia britanike e Mbrojtjes është një institucion i rëndësishëm që përgatit të dhëna në lidhje me shumë politika që pasojnë në këtë vend.