Nga: Prof. Murat Gecaj
Sot në mesditë, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, u organizua Akademi përkujtimore, me rastin e 100-vjetorit të ditëlindjes së prof.Mahir Domit-Akademik, “Mësues i Popullit” dhe Laureat i “Çmimit të Republikës”. Kishin ardhur familjarë të tij, akademikë e profesorë, punonjës të arsimit, shkencës e kulturës, nga media e shhkruar dhe ajo elektronike. Ishin të ftuar edhe nga Elbasani, Shkodra e Prishtina etj.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Akademisë së Shkencave, prof. Muzafer Korkuti. Ai tha se veprimtaria i kushtohej njërit ndër figurat më të shquara të arsimit, shkencës dhe kulturës mbarëkombetare shqiptare. Ai lindi në qytetin e Elbasanit, më 12 mars 1915 dhe i mbylli sytë përgjithnjë, në Tiranë, më 19 shtator 2000.
Në vazhdim, prof.Emil Lafe lexoi punimin e tij, “Mahir Domi, personalitet dhe organizator i shquar i shkencave tona albanologjike”. Pastaj, prof. Mehmet Çeliku trajtoi temën e tij, “Sintaksa shqipe, në studimet e prof. Mahir Domit”.
Me interes u ndoq tema e prof. Seit Mansakut, “Mahir Domi, për historinë e gjuhës shqipe”. Ndër të tjera, ai theksoi ndihmesën e dhënë për ndriçimin e udhës së gjatë të shkrimit të shqipes, që para Buzukut dhe deri në ditët tona, duke sqaruar prejargjen ilire të saj. Po kështu, foli për studimet e kryera në marrëdhëniet e shqipe me gjuhët ballkanike, sidomos me rumanishten dhe sidomos ndihmesën e madhe në fushën e albanologjisë. Prof. Et’hem Likaj lexoi punimin e tij, “Ndihmesa të prof. Mahir Domit, për morfologjinë historike të shqipes”.
Në vazhdim të kësaj veprimtarie shkencore, prof.Enver Hysa trajtoi temën e tij, “Prof. Mahir Domi dhe gramatologjia e shqipes”. Me rëndësi të veçantë kanë qenë studimet dhe tekstet mësimore të gramatikës, me këtë autor, si për nxënësit dhe studentët e shkollave tona të larta, të bazuara në strukturën sintaksore të gjuhës shqipe. Ato u përdorën me frytshmëri, si në Shqipëri e Kosovë dhe në trojet tjera amtare. Veprimtaria tërësore e tij u dallua për vlerat e larta shkencore, por që kishin edhe theks të veçantë atdhetar. Fusha të rëndësishme të studimeve të prof. Mahir Domit ishtin edhe ato për dialektologjinë e onomastikën, temë të cilën e trajtoi prof. Gjovalin Shkurtaj.
Duke qenë përgjegjës i sektorit të gramatikës dhe dialektologjisë, prof. M.Domi u kujdes që të bëhen studime të thelluara të dialekteve të krahinave të ndryshme. Kjo gjë u pasqyrua dukshëm edhe në faqet e revistës “Dialektologjia shqiptare” e në “Atlasin dialektologjik” të shqipes. Po kështu, ai dha ndihesë të panderprerë për aftësimin e studiuesve të rinj. Për këtë, ai bashkëpunoi ngusht me disa studiues, ndër të cilët ishte prof. Jorgji Gjinari, i cili foli edhe në këtë veprimtari shkencore.
Siç është e njohur, prof. M.Domi u shqua për studimet e tij shumëplanëshe. Prandaj ishte domethënëse edhe tema e paraqitur nga prof. Jorgo Bulo, “Mahir Domi, historian i letërsisë”. Për këtë fushë ai bashkëpunoi me disa shkrimtarë të njohur, si me Sterio Spassen etj.
Pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie ishin filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së gjerë të prof. Mahir Domit, si dhe përshëndetjet e rastit, që u bënë nga disa të pranishëm. Kështu, në emër të Universitetit të Prishtinës përshendeti prof. Isak Shema. Kujtime mbresëlënëse, nga njohjet e takimet me prof. M.Domin, sollën për pjesëmarrësit, prof. Shefqet Hoxha e prof. Kolec Topalli.
Në mbyllje të kësaj veprimtarie të paharruar e mbresëlënëse, i përshëndeti dhe i falënderoi përzemërsisht, si folësit e pjesëmarrësit, bija e prof. Mahirit, Etleva Domi. Ajo foli edhe për prirjet e të jatit për t’u marrë më krijime e studime në bankat e shkollës; për ndikimin tek ai, të figurave të njohura të arsimit e shkencës shqiptare, që nga prof. Aleksandër Xhuvani dhe për lidhjet e ngushta, në vitet pasardhëse, me kolegë e miq të shumtë të tij.
Bisedat e kujtimet për prof. Mahir Domin, pjesëmarrësit në këtë Akademi përkujtimore, i vazhduan në koktejin e shtruar nga familja e tij.
Tiranë, 13 mars 2015