AK: Plani rregullues i Bashës, lajthitje urbane. Çdo shesh historik do konvertohet në pallat

0
47

TemA, 5 Janar 2013

Protesta e AK tek lulishtja e vellezerve Frasheri

Aleanca Kuq e Zi ka protestuar ditën e shtunë pranë lulishtes ku janë vëllezërit Frashëri. Ata kundërshtuan planin urbanistik të Bashkisë së Tiranës, i miratuar së fundmi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Ky plan parashkon ndër të tjera që lulishtja pranë busteve të vëllezrve Frashëri të shndërrohet në një pallat shumëkatësh, e kështu me radhë disa nga sheshet më historike të kryeqytetit do të shndërrohen në pallate shumëkatëshe.

Sekretari i Urbanistikës në Aleancën Kuq e Zi, Kristi Andoni mbajti deklaratën në emër të kësaj force politike.

“’E xanun’ është identiteti i planit rregullues të sapoofruar nga ATA – miratuar po nga ATA, oponencë po ATA dhe përfituese të drejtpërdrejtë po ATA.

ATA gjenetikisht përqendrohen në skenarin më të keq. Ata përqendrohen në problemet duke mos menduar aspak për zgjidhjet e këtyre problemeve, por rigjenerimin e tyre. Ata përdorin frikën për të kapur vëmendjen e njerëzve. Ata dinë mire që frika në organizëm është e lidhur me mekanizmin e largimit. Është pjesë e mekanizmit “lufto ose largohu”, i cili aktivizohet kur qytetarët frikësohen nga abuzimi, degradimi, përvetësimi i pronës, ekonomisë, lulishtes, monumenteve, historisë, kulturës”, tha Andoni.

“Plani rregullues i sapomarketuar nga ATA ka sindromën e hartës elektorale: ose voto për ne ose prona jote kthehet në asgjë”.

Aleanca Kuq e Zi duke kontaktuar një masë të gjerë qytetarësh dhe profesionistësh mendon se kjo është ajo që po ndodh, kur i pyesim njerëzit dhe profesionistet që t’i bashkohen pa frike agjendës tonë kundër degradimit të Tiranës, mjedisit dhe shkatërrimit të identitetit të qytetit, duke e shndëruar atë në kavie urbane. Njerëzit po ngrihen dhe po largohen sepse ATA po përdorin frikën”.