AK: Perëndimi të izolojë Berishën pas kontrollit mbi SHISH

0
25

TemA Online, 9 Gusht 2012

Aleanca KuqeZi reagon ashpër ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ.

“Aleanca KuqeZi paralajmëron një periudhë të vështirë për mbarë qytetarët, politikanët, mediat dhe shoqërinë civile gjatë vitit të ardhshëm pasi Sali Berisha po kërkon të përsërisë historinë e zezë, atë të vitit 1996,” thuhet në deklaratën e AK.

Në deklaratë theksohet se qytetarët duhet të kenë kujdes pasi SHISH është kthyer në seksion të PD-së.

“Sali Berisha po u tregon e vërteton shqiptarëve se në 22 vite nuk ka ndryshuar, është po i njëjti, por më i sofistikuar duke marrë nën kontroll të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë. Aleanca KuqeZi ka qenë gjithmonë pro këndvështrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë insistuar në pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SHISH, të cilët tashmë janë vetëm një dekret larg pengmarrjes.

Në këto kushte, Aleanca KuqeZi i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të rikonsiderojë marrëdhëniet me Sali Berishën, kryeministrin e Shqipërisë, por jo të shqiptarëve, pasi sjelljet e fundit të kryeministrit tregojnë qartë se ai është i gatshëm të rrezikojë dhe marrëdhëniet me SHBA, BE dhe NATO vetëm për të arritur qëllimet e tij të errëta,” thekson deklarata e AK.

“Aleanca KuqeZi e konsideron tashmë një kapitullim të institucioneve të pavarura shkarkimin e Drejtorit të SHISH dhe i kërkon Sali Berishës të ketë vetëm durim derisa në vitin 2013 kur shqiptarët dhe Aleanca KuqeZi do t’i japin mësimin e merituar duke e nxjerrë në pension”.