TemA, 4 Mars 2013
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi, Myslim Pashaj theksoi se është e udhës që fronti opozitar i krijuar natyrshëm të kthehet në një koalicion parazgjedhor me kushtin e vetëm që të jetë larg pazareve dhe brenda tij të gjitha partitë të jenë të barabarta.
Sipas tij, e vetmja parti që nuk duhet të bëhet pjesë e koalicionit është Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës. Ai e konsideron këtë parti një “zuskë”, e cila mund t’ia dredhë opozitës duke bashkuar votat me Parinë Demokratike.
“Është kaq e papranueshme të lidhesh me një “zuskë” që në momentet e fundit “ta dredh”, siç ia drodhi LSI partisë mëmë nga doli, duke u bërë “furkaçe” për të mbajtur regjimin e tanishëm që është ngrehina më absurde e demokracisë shqiptare”, ka deklaruar Pashaj.
Aleanca Kuq e Zi është e gatshme të jetë pjesë e koalicionit opozitar dhe këtë e konfirmon Pashaj.
“Synimi thelbësor duhet të jetë fitorja e ideologjisë kombëtare për të nxjerrë Shqipërinë nga bataku i rrënimit, ku e ka shpurë autokracia e berishlandit. AK e ka dhënë tanimë kushtrimin për një rrethim të plotë të regjimit. Fronti është vetëkrijuar, por i pamenaxhuar, pa strategji, mund të kushtojë rëndesë nëse nuk gjendet filli i Arianës. Ne nuk ndihemi inferiorë në këtë front, por ndihemi forcë e besimit jo vetëm të elektoratit tonë, por edhe më gjerë. Ky front anti- regjim duhet të diktojë, të jetësojë bashkimin dhe jo përçarjen”, pohon Pashaj për gazetën Shqip.







