TemA, 19 Janar 2013
Aleanca Kuq e Zi shpalli sot strategjinë dhe programin e saj për rritjen e pensioneve në Shqipëri duke prezantuar të gjithë studimin e përgatitur nga një grup i gjerë ekspertësh të ekonomisë dhe sigurimeve shoqërore.
Aleanca Kuq e Zi deklaroi se do të ndryshojë rrënjësisht dyshemenë e pensioneve nëpërmjet reformimit dhe rritjes progresive.
“Aleanca Kuq e Zi është qartazi kundër rritjes së moshës së pensionit pasi kjo do të bllokonte rinovimin e administratës dhe nuk ka asnjë mbështetje apo referencë krahasuese. Sistemi i pensioneve është një zinxhir i gjatë korruptiv dhe abuziv. Sot në sistemin e pensioneve ka ende persona të vdekur ku familjarët e tyre vazhdojnë të marrin pensione apo zyrtarë të korruptuar të ndryshojnë referencat e viteve të punës. Aleanca Kuq e Zi shpreh shqetësim të thellë që Shqipëria është i vetmi vend në kontinent që diskriminon mbi 500 mijë pensionistë. Niveli i pensioneve të fshatit është nga 5.500 lekë deri në 8.300 lekë, në qytet nga 8.600 lekë deri 13.000 lekë. Ky nivel dysheme i pensioneve të fshatin aplikohet në 84% të popullsisë duke e zhytur atë në një mjerim total,” tha kreu i AK, Kreshnik Spahiu.
“84% e popullsisë marrin pension të nivelit të fshatit ndonëse mesatarja e faturave mujore është disa herë më e lartë. Ata paguajnë për drita mesatarisht 5000 lekë në muaj, për ujë 1200 lekë në muaj, 1200 lekë transport publik, 4500 lekë medikamente minimalisht. Në gjithë këtë listë të gjatë faturash, kjo qeveri nuk bën gjë tjetër veçse i shpejton vdekjen çdo pensionisti. Shqipëria është i vetmi vend në botë ku farmacitë aplikojnë listat e borxhlinjve, ku mijëra pensionistë i marrin ilaçet me listë se nuk kanë të ardhura t’i paguajnë.
Kjo qeveri dhe kjo politikë “gjakpirësish” në këto 23 vite i ka trajtuar pensionistët si të burgosur ose internuar. Pensionisti shqiptar merr më pak të ardhura se të burgosurit nëpër Europë. Një i burgosur për një krim ordiner nëse punon gjatë shlyerjes së dënimit arrin të përfitojë 100 deri në 200 euro në muaj. Qeveria greke në këto 23 vite i trajtoi mijëra shqiptarë që ndryshonin kombësinë me një pension dymbëdhjetë herë më të madh, 380 euro në muaj për një pensionist, ndonëse ata nuk kishin jetuar dhe punuar asnjë ditë në Greqi dhe nuk kishin derdhur kurrë sigurime shoqërore,” vijoi Spahiu.
Kreu i AK tha se kjo parti do të rrisë ndjeshëm shtresat dhe numrin e taksapaguesve dhe kontribuuesve të sigurimeve shoqërore, do të ndërpresë abuzimet dhe vjedhjet në sistemin e pensioneve dhe do të akordojë një plan buxheti efektiv dhe të veçantë për pensionistët.
“Skema dhe referencat do të ndryshojnë me qëllim që të mos ketë diferenca për pedagogun apo inxhinierin pensionist të viteve ‘80 me pedagogun dhe inxhinierin pensionist të viteve 2000. Kriza dhe tendenca sociale e ndarjes së familjeve dhe fëmijëve në emigracion ka shkaktuar një përqindje të lartë të kërkesave për t’u strehuar në azile, por fatkeqësisht sot ndërtohen vetëm pallate dhe fshatra turistik për ministrat dhe kunatat e tyre. Aleanca Kuqezi premton se do të sekuestrojë të gjitha pronat, pallatet dhe fshatrat e ministrave dhe shtetasit Berisha, për t’i shndërruar pasurinë e pisët të tyre në azile për pensionistët,” tha Spahiu.
Në përfundim, Aleanca Kuq e Zi ngriti departamentin e politikave sociale dhe pensioneve.