Enton Palushi, 12.02.2011
Raportimi i të dërguarit të BE për krizën shqiptare, Miroslav Lajçak, para Parlamentit Europian ka bërë që eurodeputetët të qeshin në lidhje me qëndrimet e Sali Berishës dhe Edi Ramës për zgjidhjen e krizës në vend.
Ndërkohë që Tomas Kantrimen, një diplomat i rëndësishëm amerikan, kërkoi ndjesë në fund të fjalës që mbajti përpara gazetarëve gjatë vizitës në Tiranë, duke u thënë se kishte dhënë një leksion demokracie për gjimnazistë, duke nënkuptuar sa nxënës të këqij jemi kur bëhet fjala për ndërtimin e një shteti demokratik.
E gjithë retorika ndërkombëtare është thjeshtëzuar tek disa përkufizime të tilla se ky vend vuan nga politikanët që nuk duan të hapin rrugë, që duan gjithçka ose asgjë. Për ta ilustruar atë flasin për një betejë Berisha- Rama, duke i vënë në një plan të barabartë të dy. Kjo i bën edhe të qeshin. Mirëpo një gjë duhet kuptuar shumë mirë: kjo nuk është një betejë mes Berishës e Ramës. Kjo është një betejë mes shoqërisë shqiptare që do të jetojë në një shtet demokratik e të lirë me një grup drejtuesish të babëzitur që nuk njohin ligjin. Ajo që zyrtarët ndërkombëtarë na e paraqesin si të komplikuar nuk është dhe aq. Ajo që kjo shoqëri kërkon është që politikanët të mos jenë mbi ligjin dhe që të funksionojë e drejta e votës si mënyra e vetme për t’i ndëshkuar ata.
Skandali i fundit i “kompjuterit të Priftit” po tregon gjithmonë e më shumë sesa e vërtetë është kjo betejë e shqiptarëve. Ajo që nisi si aleanca e PD e LSI për të çuar shqiptarët përpara drejt integrimit po rezulton si tragjedia e shqiptarëve. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me një koalicion që ishte ngjizur duke ndarë shtetin me përqindje. Mendojeni pak tani që Ilir Meta me dy deputetë kontrollon 20 përqind të posteve në administratën shqiptare për të kuptuar qartë a kanë arsye shqiptarët që të revoltohen.
Pastaj duhet të hedhim sytë edhe nga shteti fqinj, nga shqiptarët e Kosovës, që po përballen frikshëm me fenomenin “Meta”. Bexhet Pacolli, drejtues i një partie me 7 përqind elektorat, po i kërkon gjysmën e qeverisë kryeministrit Thaçi për të hyrë në koalicion. A kanë nevojë për shumë koment këto zhvillime të tilla ndër shqiptarë?
Recetat e gatshme se duhet zbatuar ligji dhe duhen lënë të lira organet kushtetuese që të punojnë nuk kanë më efekt. Është njësoj si miliardat e dollarëve që shpenzon qeveria amerikane për të mësuar adoleshentët për të bërë seks të mbrojtur, e që përfundojnë në kosh plehrash pasi askush nuk ua vë re atyre leksioneve.
Duke e përqendruar debatin në qëndrimet që mbajnë Rama e Berisha harrohet (sigurisht me qëllim) se çfarë mendojnë shqiptarët e thjeshtë për gjithçka po ndodh këto ditë. Mendjet e tyre janë ngarkuar me informacione pa fund, deklarata, fakte e prova për një qeverisje të korruptuar e vrastare. Gjithë kjo ngarkesë mund të rezultojë e rrezikshme. Fati i keq e ka dashur që të mos kemi një mundësi testimi për të parë se realisht çfarë mendon opinioni publik për këtë që po ndodh.
Testimet e opinionit, sondazhet e anketat janë një gjë e largët për vendin tonë. Por një gjë nuk mund të ndryshohet kurrë. Ajo është fryma. Dhe fryma mund të testohet më lehtë se sa mendohet. Ishte fryma ajo që e rrëzoi regjimin e Mubarak dhe ajo që po ngre njerëzit në protesta në botë. Ndaj duhen ndarë njëherë e mirë protestat e dikurshme të opozitës me frymën e përgjithshme. Aktualisht kemi të bëjmë me frymë. Ajo e 28 janarit ishte frymë. Nëse nuk e besoni, bëni një provë të pyesni njerëzit që keni rreth e qark, që nuk janë të interesuar për politikën e që nuk janë në punë shteti falë politikës.
Pyesni ata njerëz që jetojnë me një pension, pyesni ato shtëpiake që duhet të bëjnë pazarin, pyesni ata prindër që duhet të shkollojnë fëmijët, pyesni ato mama që duhet të dëgjojnë kryeministrin dhe lumin e tij psikik, pyesni ata biznesmenë të vegjël e të mëdhenj. Meqë jemi një vend i vogël ku të gjithë njohin gjithsecilin, të jeni të sigurt që do arrini në një përfundim: se kjo qeveri po ua bën jetën “malore” njerëzve. Dhe nëse sërish nuk e besoni, imagjinoni për një moment lap-top-ët e gjithë zyrtarëve të qeverisë. Do ndryshoni mendje në vend.