Ajatollahu nën çarçafë: seksi dhe ligji islamik

0
49

ResPublica.al | Nga Karim Sadjadpour, 8 shkurt 2014

Një klerik i quajtur Ajatollah Gilani, deri atëherë i panjohur, u kthye në sensacion për televizionin shtetëror në vitet e para të Revolucionit Iranian, me teoritë e tij të çuditshme mbi seksualitetin dhe ligjin Islam. Në një nga këta skenarë të pazakontë, me të cilin iranianët qeshin edhe pas tri dekadash, ndodhte kështu:

Imagjinoni sikur jeni një djalë i ri, që po fle në dhomën e tij. Në dhomën poshtë jush është duke fjetur tezja juaj. Tani imagjinoni që të bjerë një tërmet që shemb dyshemenë e dhomës suaj, duke bërë që ju të bini mbi tezen tuaj. Për hir të argumentit, le të hamendësojmë se ju të dy flini zhveshur dhe që ju keni një ereksion dhe rrëzoheni nga njëri kat në tjetrin me të atillë precizion saqë, në mënyrë aksidentale e penetroni atë. Fëmija që lind nga një bashkim i tillë, a është halalzadeh (legjitim), apo haramzadeh (një kopil)?

Të tilla barsoleta të pista mund të duken anormale për një vend aseksual dhe në dukje asket si Republika Islamike e Iranit. Por “Gili Show,” siç edhe u bë i njohur, pati ndjekës fanatikë në mes të të dyja klasave, tradicionalët që eksitoheshin nga tema të tilla tabu, dhe elita e Teheranit, e cila i shihte këto si çlirim komik. Gilani ndihmoi në përhapjen e asaj që është tani një industri prodhimi klerikësh fundamentalistë të kthyer në seksologë amatorë, që ofrojnë këshilla të gabuara për gjithçka nga shpejtësia (“Burri duhet të përfundojë sa më shpejt aktin, mundësisht pa e eksituar gruan”) te masturbimi (“një mëkat shumë i rëndë që shkakton dëm shëndetësor të provuar shkencërisht”).

Ndoshta nuk është tërësisht surprizë fakti që fundamentalistët Shiitë iranianë, jo ndryshe nga kolegët e tyre evangjelistë kristianë, katolikë, ortodoksë, hebrenj apo myslimanë Suni, kalojnë mjaft kohë duke u menduar dhe peshuar mendime për seksualitetin. Ata janë njerëz mbi të gjitha. Por manierat seksuale të fundamentalistëve fetarë të Iranit meritojnë më shumë vëmendje, sepse ata kontrollojnë një shtet me ambicie nukleare, me pasuri të mëdha nafte dhe një popullsi të re e dinamike. Tani, për shkaqe të ndryshme – nga frika se mos bëhesh papritur një Salman Rushdie, apo se mos etiketohesh si orientalist, apo ajo se mund të prekësh ndjeshmëri fetare – hipokrizia e regjimit iranian shpesh shmanget nga studimet.

Ky është një gabim. Sepse politikat fetare në një teokraci si Irani, nocionet e gabuara e të vjetruara mbi seksualitetin nuk janë të kufizuara vetëm brenda dhomës së gjumit, ato pushtojnë shkollat e vendit, kazermat ushtarake, sallat e mbledhjeve dhe sallat e gjyqit.

Në një aforizëm të zakonshëm mes iranianëve thuhet se para revolucionit njerëzit festonin jashtë shtëpisë dhe luteshin brenda saj, ndërsa sot ata luten jashtë dhe festojnë brenda. Kjo dikotomi e përmbysur është e vërtetë për mjaft sjellje sociale në Iran.

Për shumë iranianë, kjo gjendje perverse e gjërave është tashmë e rrënjosur dhe mjaft e dukshme në çdo aspekt të bashkëveprimeve ditore me zyrtarët iranianë, saqë është tashmë e parëndësishme të përmendet. Ata në Perëndim që duan të kuptojnë më mirë se si rrotullohen ingranazhet e Teheranit, mendojnë se fiksimi i regjimit me seksin nuk mund të injorohet.

Një nga drejtuesit e ndjerë të kongresit të SHBA, Tip O’Neill, perifrazohet të ketë thënë se në Republikën Islamike të Iranit jo e gjithë politika është seksuale, por seksi është i gjithi politik. Shembulli i parë për këtë është babai i revolucionit, i ndjeri Ajatollah Ruhollah Khomeini. Si të gjithë klerikët Shiite, ai kishte ambicie të kthehej në një “burim frymëzimi” (marja’-e taqlid), Khomeini kaloi pjesën e parë të karrierës së tij duke u kujdesur për detajet dhe predikuar besim fetar bazuar në sjelljen personale dhe pastërtinë rituale, që fillonte nga sjelljet banale ditore (“Është e rekomanduar të mos e mbash kur të vjen për të urinuar, sidomos nëse ke dhimbje”) te gjëra çuditërisht vulgare dhe të errëta.

Në traktatin e tij fetar të vitit 1961 “Një qartësim i përgjigjeve” (Towzih al-Masael), Khomeini jepte shpjegime të detajuara mbi çështje që fillonin me sodominë (“Nëse një burrë bën sodomizën djalin, vëllain apo babain e gruas së tij pas martesës së tyre, martesa është ende e vlefshme”) te zoofilia (“Nëse një person ka marrëdhënie seksuale me një lopë, dele apo deve, urina e tyre bëhet e papastër dhe të pish qumështin e tyre është e paligjshme”). Si një djalë i rritur në Perëndimin e Amerikës, unë mbaj mend që isha njëkohësisht i tmerruar dhe konfuz pasi më ranë në duar dhe lexova këto pasazhe në një vëllim të përkthyer të librit të Khomeinit, të cilin e gjeta në shtëpinë tonë prej emigrantësh persianë.

Studiuesit e Shiismit –përfshi edhe kritikët më të ashpër të Khomeinit – theksojnë se tema të kësaj natyre ishin diskutime normale mes klerikëve të gjeneratës së Khomeinit dhe duhen kuptuar në kohën dhe kontekstin e duhur: Islami ishte një fe që filloi prej zonave rurale të shkretëtirës, dhe Profeti Muhamed ishte njëherë e një kohë bari. Kështu, ndërsa Krishterimi dhe Judaizmi thjesht i deklarojnë këto sjellje si mëkate, Islami i sheh ato edhe nga një këndvështrim juridik.

Problemi që duhet të theksohet, thotë Mehdi Khalaji, studiues i Islamit, një ish-student i një seminari në kryeqendrën Shiite në Qom, nuk ka të bëjë me faktin që këto gjëra përmenden, por me faktin se “Jurisprudenca islamike nuk është modernizuar. Është totalisht e palidhur me çështjet që hasin njerëzit urbanë dhe modernë.”

Në të vërtetë, recetat fetare të Khomeinit janë shpesh thelbi i barcaletave mes gjeneratave të pasrevolucionit. “Unë nuk kam parë kurrë një deve në Teheran”, më thotë karikaturisti i famshëm iranian, Nikahang Kowsar, “e jo më të tundohem të bëj seks me një të tillë.”

Ka një thikë me dy presa që ka përfshirë sot Lindjen e Mesme, ky është “shpërthimi rinor”. Nga njëra anë është mesatarja e moshës në botën arabe që është 22 vjeç, në Iran është 27 vjeç, e gjithë kjo në kontrast me Europën Perëndimore, ku mosha mesatare është 40 vjeç. Nga ana tjetër është niveli i lartë i përdorimit të internetit dhe televizionit satelitor, të mbushur plot me programe pornografike, të cilat bashkë me faktin që kemi të bëjmë me një popullsi të re, e kanë përkeqësuar ndjeshëm marrëdhënien e tensionuar me seksualitetin në Lindjen e Mesme.

Google Trend, një program që monitoron kërkimin në internet në të gjithë botën, tregon se nga shtatë vende ku kërkohet më shumë fjala “seks”, 5 janë vende myslimane dhe i 6-ti, India ka një minoritet të konsiderueshëm mysliman. (Fjala “seks” është akoma më shumë popullore mes vendeve arabe.) Google Insights, një tjetër tregues i trendit, thotë se kërkimi më i famshëm mes iranianëve deri tani për vitin 2012 ka qenë emri i “Golshifteh Farahani”, një aktore popullore e famshme, e dëbuar nga Irani, e cila në janar pozoi nudo për revistën franceze Madame Figaro.

Para revolucionit të vitit 1979, fondamentalistët fetarë revoltoheshin prej imazheve të grave të kinemasë që nuk ishin plotësisht të mbuluara; sot televizioni shtetëror dhe kinemaja e kanë të ndaluar të shfaqin gra apo vajza pa ferexhe. Ky ndalim është në fuqi, me gjithë faktin se pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit kanë akses në programe shumë të zhveshura në televizionet satelitore (aparatet satelitorë janë zyrtarisht ilegalë, por megjithëkëtë, kontrabandohen pasivisht pikërisht nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike). Në një dokumentar që pritet të transmetohet së shpejti me titullin “The Iran Job”, Kevin Sheppard, një amerikan që ka luajtur basketboll në ligën profesionale të Iranit, thotë se është i shokuar për faktin se ndërsa ndërronte kanalet televizive satelitore vuri re se “nga 600 kanale që ka, 400 prej tyre kanë përmbajtje seksuale”.

Regjimi i Iranit, për shkak të pretendimit për të qenë një vend fetar, është i detyruar të shpenzojë miliona dollarë, duke tentuar të pengojë televizionet satelitore, duke u përpjekur që ato të mos arrijnë qytetarët e vendit. Një përpjekje e dështuar që shkon kundër dy forcash, teknologjisë dhe natyrës njerëzore. Në një intervistë për New Yorker, vite më parë një punonjës i sigurisë së Iranit pranoi të vërtetën edhe pse të hidhur: “Shumica e popullsisë është e re…Të rinjtë janë të eksituar vetvetiu. Për shkak të faktit se janë të eksituar, atyre u pëlqen të shohin programe ose filma me të cilët mund të eksitohen…Duhet të bëjmë diçka për televizionet satelitore, në mënyrë që ta mbajmë shoqërinë të pastër nga kjo situatë masturbimesh”.

Dikush mund të mendojë se një vend që vuan nga inflacioni kronik dhe papunësia –pa zënë në gojë sanksionet e ashpra ndërkombëtare dhe një luftë që i rri mbi kokë për shkak të programit nuklear – duhet të ketë të tjera gjëra më të vlefshme për të bërë sesa dekurajimi i masturbimit ndër të rinj. Mirëpo regjimi vazhdon të harxhojë miliona dollarë për të blerë teknologjinë kineze të censurës me qëllim krijimin e një fortese të çeliktë morali kundër devijimeve kulturore dhe politike, rezultatet e së cilës janë të diskutueshme.

Hera-herës ata arrijnë të pengojnë dhe prishin sinjalin e BBC Persian apo të “Voice of America”, por ata që duan pornografi kanë gjithmonë mjetet shtesë për ta kapërcyer këtë barrierë. Ndonjëherë softet e censurës bëhen tepër të zellshëm. Një miku im iranian më tha se kishte tentuar për javë të tëra të hynte në postën elektronike të universitetit britanik ku studionte nga Teherani, dhe vetëm më vonë mësoi se emri i pisët i shkollës — Essex – ishte i ndaluar nga filtrat e internetit të regjimit.

Gjatë drejtimit të autokratit properëndimor, Mohammad Reza Shah Pahlavi, Teherani ishte një shoqëri në zhvillim të shpejtë, e cila dukej se po futej në erën e modernitetit. Familja ime ka një histori që, në njëfarë mënyre prezanton trajektoren e shtresës së mesme urbane gjatë shekullit 20: Gjyshja ime nga babai, lindi në vitin 1907, dhe veshi gjatë gjithë jetës burka dhe nuk bëri më shumë shkollë sesa arsimi fillor, por tri nga 4 vajzat e saj ndoqën universitetin dhe hoqën dorë nga përdorimi i vellos para fytyrës. Të gjitha vajzat e tyre u rritën në një Teheran, në të cilin minifundet ishin të modës dhe Googoosh – Jenifer Lopez e para Revolucionit iranian, tepër modeste sidoqoftë për standardet e sotme—ishte burimi i tyre kryesor i frymëzimit.

Opozita e Khomeinit ndaj Shahut u ndez shumë, menjëherë pas dhënies së të drejtës së votës për gratë, gjë që për Ajatollahët ishte dukshëm e lidhur me degjenerimin seksual. Në librin e tij të vitit 1970, Qeveria Islame (Hukumat-e Islami) – i cili më vonë do të shërbente si mbështetje ideologjike dhe politike për Iranin post-revolucionar – Khomeini theksonte se “vesi seksual kishte arritur përmasa të atilla dhe po shkatërronte gjenerata të tëra, duke korruptuar të rinjtë dhe duke i bërë ata të neglizhojnë çdo lloj pune! Ata të gjithë vrapojnë të shijojnë forma të ndryshme të vesit, që janë lirisht të frekuentueshme dhe promovohen me entuziazëm.”

Khomeini, sidoqoftë i siguroi bashkëpunëtorët e tij liberalë – vetëm pak muaj para revolucionit ndërsa ishte në ekzil në Paris – që “gratë (do të jenë) të lira të zgjedhin aktivitetet e tyre, rrobat dhe të ardhmen në Republikën Islamike.” Të ndikuar nga një e ardhme e zymtë, shumë prej inteligjencës liberale të Iranit, gra dhe burra, iu bashkëngjitën Khomeinit, madje disa e quajtën atë edhe “Gandin e Iranit”. Pak pasi vuri mbi themele të sigurta pushtetin Khomeini dhe qëndrimet e tij ndryshuan kah dhe lëvizën për të shtypur çdo pikëpamje opozitare, ndërsa i burgosën sërish të drejtat dhe liritë sociale të grave. “Islami nuk e lejon që njerëzit të veshin rroba banjoje në det”, – tha Khomeini pak kohë pasi u zgjodh lider suprem. – Ne “do t’i rrjepim!”

Gratë që rezistuan dhe nuk pranuan të vinin ferexhe, u përballën me dhunë dhe kërcënime, përfshi edhe vargjet persekutuese “Ya roosari, ya toosari!” (“Ose mbulohu, ose do të goditesh në kokë!”). Ashtu si nobelistja Shirin Ebadi ka shkruar së fundmi: “Edhe pse ajo që ndodhi në Iran më 1979 quhet shpesh revolucioni islamik, ajo mund të quhet fare mirë edhe revolucioni i burrave kundër grave… Ata që formuluan [Kodin Penal Islamik] na kanë çuar pas në vitet 1400.”

Ashtu si islamikët sot në Egjipt – apo një pjesë e të krishterëve të djathtë në SHBA – revolucionarët në Iran gjetën tokë pjellore për të luajtur me idetë e tyre populiste, në vend që të merreshin me adresimin e problemeve gjigante apo ndërtimin e një ekonomie konkurruese. Burimet e mëdha të naftës që kishte vendi, e bënin ekonominë të dukej shumë e lehtë. Khomeini vetë i mbante ekonomistët për “gomerë” dhe ankesave për inflacion u përgjigjej shkurt: “Revolucioni nuk u bë për çmimin e bostanit”. Tri dekada më vonë rezultatet janë të dukshme: Më 1979, Irani i pasur me burime natyrore kishte një GDP (Produkt të Brendshëm) të paktën sa dyfishi i atij të Turqisë, e varfër nga burimet. Sot ai mezi ka gjysmën e produktit të Turqisë.

Realiteti brutal ishte që iranianët ia kishin besuar fatet e vendit një njeriu, Khomeini, që kishte harxhuar shumë më shumë kohë duke menduar se si mund të dënohej dikush që kryente marrëdhënie seksuale me kafshë sesa si të drejtonte një ekonomi moderne.

Pas vdekjes së tij më 1989, Khomeini u pasua nga lideri suprem i sotëm, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u qëndroi besnik vizioneve të Khomeinit për Iranin, përfshi edhe ashpërsinë e tij mbi çështje të mishit (mëkateve). Për Khamenein – i cili thuhet se ka thënë që mbajtja e grave nën “hijab dhe të mbuluara ndihmon që vendi të mos degjenerojë në korrupsion dhe trazira” – shfaqja e bukurisë femërore nuk shihet vetëm si diçka e pafavorizuar nga feja, por si një kërcënim për ekzistencën e regjimit.

Khamenei është i bindur se shëndeti i familjes është i lidhur me mirëqenien e Republikës Islamike dhe bukuria e femrës mund ta minojë atë. Edhe pse për shumë njerëz kjo pikëpamje është thelbësisht mizogjinike, Khamenei nuk sheh gratë, por burrat si të pabesueshëm dhe të paaftë t’i rezistojnë tundimit: “Në Islam gratë e kanë të ndaluar të tregojnë bukurinë e tyre në mënyrë që të tërheqin meshkujt apo shkaktojnë fitna [reaksion apo nxitje rezistence]. Shfaqja e pamjeve tërheqëse fizikisht para një burri është fitna … [sepse] nëse kjo dashuri për bukurinë e seksit të kundërt shfaqet diku tjetër përveçse në familje, stabiliteti i kësaj të fundit minohet”.

Fjala “fitna” që Khamenei përdor kundër grave të pambuluara, është në mënyrë interesante e njëjta fjalë që ai përdori kundër opozitës dhe lëvizjes së gjelbër kur këta protestuan në rrugë në verën e vitin 2009 kundër rizgjedhjes së Mahmoud Ahmadinejad si president.

Mendojeni pak, flokët e grave shihen si tunduese dhe kundërrevolucionare. Madje edhe të ashtuquajturit liberalë në Republikën Islamike, janë prej kohësh të fiksuar në këtë çështje. Abolhassan Bani-Sadr, presidenti i parë pasrevolucionit, i cili ka kaluar tashmë tri dekada si i dëbuar në Francë për shkak të “liberalizmit”, ka thënë dikur se ishte provuar shkencërisht që leshrat e grave lëshonin rreze seksualisht tunduese. (Një satirist Iranian iu përgjigj kësaj thënie me një karikaturë që tregonte një burrë të eksituar keqas ndërsa hante drekë në shtëpinë e një shoku; fajtor për këtë eksitim doli të ishte një qime lozonjare e flokëve të gruas së shokët brenda në “ghormeh sabri”, një gatim tradicional Iranian.)

NË DY DEKADAT E FUNDIT, gjenerata e re e grave iraniane ka luftuar dhe një pjesë kanë arritur të lirohen nga mbulesa, por çdo diskutim për ta hequr atë nga përdorimi është i papranueshëm për Khamenein. Duke shërbyer si mbështetës në përplasjen me Amerikën dhe Izraelin, hijabi (mbulesa e grave) konsiderohet shpesh si një nga tre shtyllat ideologjike të Republikës Islamike. “Për zyrtarët e Republikës Islamike hijabi ka një rëndësi të madhe simbolike; është kjo veshje që mban lart digën, duke i bllokuar të gjitha kërkesat e tjera për liri sociale të iranianëve,” thotë Azadeh Moaveni, një shkrimtar irano-amerikan. “Ata mendojnë se nëse lëshojnë pe te hijabi, atëherë ferri mbi tokë dë të shpërthejë; njerëzit do të kërkojnë pastaj të pinë birrë në rrugë dhe të lexojnë romane të pacensuruara. Ata e shohin hijabin si një portë drejt lirisë.”

Khamenei thotë se mbulesa e grave siguron që burrat të mos tundohen dhe të qëndrojnë të pastër, por politikat e qeverisë së tij inkurajojnë krejt të kundërtën. Kështu për shembull, për të kënaqur libidon e pandreqshme të meshkujve iranianë, parlamenti i mbizotëruar nga besnikë të Khameneit, ka përkrahur dhe sanksionuar me ligj të ashtuquajturat “martesa të përkohshme”(martesa të kënaqësisë që në persisht njihen si sigheh, kryesisht një formë prostitucioni e pranuar nga shiizmi). Këto i lejojnë një burri të ketë marrëdhënie seksuale me një numër të pakufizuar grash. Një kontratë e tillë martese mund të zgjasë vetëm pak minuta dhe nuk është e nevojshme që të regjistrohet zyrtarisht. Burri mund ta ndërpresë njëanshmërisht sigheh (martesën me kontratë) sapo të ketë mbaruar punë, por që një grua të fillojë procedura divorci është tmerrësisht e vështirë. Nga ana tjetër, gratë që duan t’i largohen shenjtërisë së martesës së tyre e bëjnë këtë duke marrë parasysh rreziqe të mëdha; duzina prej tyre kanë përfunduar të vdekura me gur për tradhti. Ndërkohë përkeqësimi i ekonomisë së vendit ka çuar edhe në rritjen e prostitucionit të stilit të vjetër, atij që nuk njihet dhe pranohet nga shiizmi. Taksistët e shtrenjtë të Teheranit, kryesisht studentë të punësuar me kohë të pjesshme, shpesh mund të t’i tregojnë këto vajza në rrugë.

(Shënim: Martesat e kënaqësisë apo martesat me kontratë pranohen vetëm nga myslimanët shiitë, ato kryesisht konsistojnë në një formë prostitucioni të pranuar nga klerikët. Një martesë e tillë lidhet kundrejt shpërblimit dhe pagesës, dhe për një afat kohor të caktuar. Burri mund t’i japë fund asaj edhe pas vetëm 30 minutash, nëse i paguan gruas tarifën për të cilën është rënë dakord në kontratë. Gruaja nga ana e saj duhet të presë tre muaj nga një martesë e tillë për të lidhur një të dytë. Edhe pse kryesisht shërben si formë prostitucioni, kjo martesë është edhe një mënyrë e shfrytëzuar nga të rinj që nuk kanë mundësi martese apo që nuk duan të martohen. Ka edhe raste kur ajo nuk i përfshin marrëdhëniet seksuale.)

“Kur ekonomitë marrin për poshtë, aktivitetet ilegale dhe informale apo edhe rrjetet e paligjshme bëhen gjithmonë e më tërheqëse”, – thotë Pardis Mahdavi, autor i një libri mbi seksualitetin në Iran. “Teknologjia e lehtëson këtë paligjshmëri.”

Gjatë drejtimit të Shahut lagjja e famshme me drita të kuqe e njohur si Shahr-e Noe (qyteti i ri), ishte një vend ku humbën virgjërinë pjesa më e madhe e të rinjve iranianë. Sidoqoftë, pas revolucionit drejtuesit e Republikës Islamike menduan se duke ndaluar simptomën do të hiqnin qafe edhe problemin. Por hedhja e kripës së gurit nga minaret nuk funksionoi. “Ata e rrafshuan Shahr-e Noe duke menduar se kështu i jepnin fund prostitucionit,” më tha një herë një pensionist iranian, “tani i gjithë Tehrani është kthyer në një Shahr-e Noe”.

Në mënyrë jo të habitshme natyra së jashtmi e kujdesshme e sjelljes seksuale të Khomeinistëve, ka nxitur perversionin në sjelljet normale seksuale, duke krijuar kuriozitete të rralla mes zyrtarëve iranianë. Omid Memarian, një gazetar që kaloi disa muaj në burgun e tmerrshëm të Evin, për shkak të artikujve të tij kritikë ndaj qeverisë, më ka treguar se hetuesit ishin më të interesuar për jetën e tij seksuale se sa për qëndrimet e tij politike. “Unë përpiqesha t’u përgjigjesha pyetjeve të tyre në terma të përgjithshëm, por ata më ndërprisnin. Ata donin më shumë detaje. ‘Fillo me momentin kur po i zbërtheje bluzën.…’”, kujton ai një moment nga marrja në pyetje. Në një rast ai më tha se ishte tmerruar kur gjatë një seance të marrjes në pyetje ai pa se hetuesi po fërkohej ndërsa e dëgjonte.

Vëzhgues amerikanë të politikës – njerëz si Jimmy Suaggart, Mark Sanford, apo Neët Gingrich, sa për të përmendur disa – nuk do të habiteshin nëse u thuhej se ishin pikërisht mbrojtësit më të njohur të tradicionales dhe vlerave konservatore ata që edhe nuk i zbatonin këto tradita.

Në një skandal të njohur në vitin 2008, komandanti i policisë së Teheranit i cili kishte për detyrë të zbatonte ligjet anti ves, Reza Zarei, u kap në një bordello me 6 gra të zhveshura (njëra prej tyre e akuzoi se ai u kishte kërkuar që të luteshin zhveshur para tij). E ndërsa një politikan amerikan mund t’ia hedhi një skandali të tillë duke dalë në televizor (psh: Eliot Spitzer), zbulimi i këtij incidenti e shtyu Zarein të tentonte vetëvrasjen ndërsa ishte në burg.

Turpi për sjelljet jo të drejta seksuale është përdorur prej kohësh si një formë shantazhi politik nga regjimi. Kur kleriku i famshëm reformist Mohammad Ali Abtahi, ish zëvendëspresident i Mohammad Khatamit, u burgos pas zgjedhjeve presidenciale të kontestuara të 2009, ai i habiti bashkëpunëtorët e tij me një rrëfim mjaft të hollësishëm të gjasme komplotit properëndimor ku ishte përfshirë. Edhe pse askush nuk pati dyshim që rrëfimi i tij ishte marrë me forcë, ndihmësit e tij më të afërt thanë se ajo që e detyroi atë të rrëfehej nuk ishte dhuna fizike apo tortura psikologjike, por një album fotosh të tij në një fole sekrete dashurie në Teheran e cila mesa duket monitorohej prej kohësh.

Nga ana tjetër, Republika Islamike nuk është aq e ndrojtur në punë seksi. Ajo gjithmonë e ka përdorur seksin për punë të shtetit. Në një dokument të Wikileaks të lëshuar nga Departamenti i Shtetit, mësohet se një shef irakian fisi Abu Cheffat, i kishte thënë në konfidencë një diplomati amerikan në Bagdad se Teherani në mënyrë efektive po influenconte mbi politikanët e vendit fqinj, të cilët pasi shkonin në Iran për “kujdes mjekësor” u ofroheshin “martesa të përkohshme” me gra iraniane. Mos t’iu shkojë në mend se Cheffat po ankohej për këtë: Ai deklaroi plot gjallëri kur takoi George W. Bush në vitin 2008, se taktika e SHBA duhej të ndryshonte. Jo pa arsye, shpjegoi ai, fuqia e butë e Iranit ishte duke mbytur forcën e SHBA në Irak.

Ndërkohë tre agjentë iranianë që tentuan të vrisnin disa zyrtarë izraelitë në Bangkok shkurtin që kaloi, fotografuan veten në bare dhe plazhe duke shkuar me prostituta dhe pirë alkool. Kur unë pyeta një klerik të rëndësishëm në Teheran se si njerëz të devotshëm të Khomeinit dhe ideologjisë së tij fetare shkelnin ligjet e tij dhe shkonin me prostituta jo myslimane dhe pinin alkool, ai më tha se nuk kishte asnjë pengesë fetare. “Ka klerikë të qeverisë që mund t’u japin atyre leje fetare [mojavez’e Shar’i]“, – shpjegoi ai. “Ata mund ta paraqesin çështjen se sikur të mos shkonin me prostituta apo të mos pinin alkool, do të shiheshin si terroristë dhe do të ngrinin dyshime.” Në thelb, qasja e regjimit të Iranit ndaj seksit është ashtu si filozofia qeverisëse e vendit, e ngritur mbi nevojat e pushtetit. Ky mund ta përdorë seksin në mënyra alternative, për shtypje, joshje e nxitje apo shantazh.

Në verën e vitit 2009, kur qindra mijëra iranianë dolën në rrugë për të protestuar kundër rizgjedhjes së Ahmadinejad, shumë protestues u rrahën brutalisht nga paramilitarët e quajtur “Basij”, të rinj me motoçikleta në shërbim të regjimit, të cilëve iu dha dritë jeshile të shtypnin protestën. Siç raportoi akademiku irano-amerikan Shervin Malekzadeh nga Teherani, Basij-it shtyheshin nga një kombinim i pakënaqësisë me frustrimin. “Ata nuk pallojnë; ata nuk pinë, nuk tymosin”, – i tha atij një nga burimet. “Çfarë tjetër do të bënin ata me gjithë atë energji?”

Ndoshta momenti më thelbësor dhe më zemërthyes i Revolucionit të Gjelbër ishte vrasja e një protestueseje 26-vjeçare, Neda Agha-Soltan, vdekja e dhunshme dhe e përgjakshme e të cilës u filmua në kamerat e një telefoni dhe u bë ndoshta videoja më e ndjekur në histori. Në një dokumentar për jetën e saj të prodhuar nga HBO, e ëma e Nedas kujton një mesazh nga një vajzë simpatike, pjesë e grupeve paramilitare Basij, e cila i kishte thënë Nedës disa ditë para se të qëllohej nga një snajper: “E dashur, të lutem mos dil jashtë kaq e bukur… Na bëj një nder, mos dil jashtë, sepse burrat Basij vënë në shënjestër vajzat e bukura. Ata do të të qëllojnë”.

Ndërsa fytyrat ikonë të Revolucionit të 1979-ës ishin burra të moshës së mesme me mjekër, Neda u kthye në simbolin e lëvizjes disidente të shekullit të 21 në Iran: një vajzë e re, moderne dhe e edukuar. Për shkak të kundërshtimit të saj ndaj regjimit dhe hijabit, ajo është fitna në sytë e regjimit të Khameneit.

TRI PRANVERA MË VONË, regjimi iranian përballet me një tjetër rrezik, këtë herë të jashtëm. Ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kërcënon me luftë në mes të vakteve, Pentagoni luan lojë luftash dhe planifikuesit e politikave në Shtëpinë e Bardhë përpiqen të zgjidhin: A është regjimi iranian racional apo irracional? A mund të arrihet të bindet Irani të mos prodhojë bombën përmes negociatave, apo është sulmi mbi fabrikat bërthamore të Iranit i pashmangshëm?

Shumë njohës të Iranit thonë se për ta bindur Teheranin që të heqë dorë nga bomba bërthamore, duhet që Uashingtoni të sigurojë Khamenein që Shtetet e Bashkuara kërkojnë vetëm një ndryshim të sjelljes së Iranit dhe jo ndryshim të regjimit atje. Por ajo që këta vëzhgues dështojnë të shohin është bindja e thellë e Khameneit se SHBA planifikon të rrëzojë Republikën Islamike, jo përmes pushtimit ushtarak, por përmes konspiracionit kulturor dhe politik, të infiltruarve që kanë për qëllim fillimin e një revolucioni “kadife” brenda Iranit.

Merreni në konsideratë këtë fjalim të tij në televizionin shtetëror në 2005:

“Armiqtë e Iranit, më shumë sesa artilerinë dhe armët, po tentojnë të përhapin vlera kulturore që shtyjnë drejt korruptimit moral… Së fundmi lexova në lajme që një zyrtar i lartë amerikan tha: “Në vend të bombave, dërgojuni minifunde.” Ai ka të drejtë. Nëse ata ia dalin mbanë të nxisin dëshira seksuale në cilin do vend, nëse arrijnë të shpërndajnë bashkimin e pakufizuar mes grave dhe burrave, dhe nëse ia dalin t’i shtyjnë të rinjtë drejt sjelljeve lehtësisht të përkulshme para instinkteve, nuk do të ketë më nevojë për artileri dhe armë kundër atij kombi”, – deklaroi Khamenei.

Në shkrimet e pakta të Khameneit, ai shpjegon qartë se ajo që ka më shumë frikë nuk janë armët e shkatërrimit masiv, por ato kulturore – më shumë ka frikë nga Kim Kardashian dhe Lady Gaga sesa armët antibunker dhe aeroplanmbajtëset. Me fjalë të tjera, Teherani është i kërcënuar jo vetëm prej asaj që Amerika bën, por prej asaj që Amerika është: një vend i degjeneruar, një fuqi koloniale postmoderne, e cila synon të arrijë hegjemoninë kulturore mbi botën. Strategjia e Amerikës sipas Khameneit, siç ai ka thënë, është: “kërkesa për barazi (seksuale) të femrave.” Fjalët e Khameneit përshkruajnë paradoksin dhe deformimin në Iranin modern. Nëse bombardimet mbi Iran do ta zgjasnin me shumë gjasa jetën e regjimit në guaskë, ky regjim që sheh leshrat e grave si një kërcënim për ekzistencën e tij, është prej kohësh i skaduar.

Marrë nga Mapo
Përktheu nga anglishtja: Vladimir Karaj