Ah, more miku im, kosovar

0
29

Nga Astrit Çerma*, 3 Korrik 2013

Në turneun që bëri në Gjermani, Teatri më 1991-shin, me shfaqjen “Toka e ndezur”, në kthim u detyruam të qëndronim në Mynih nga data 1 deri më 4 tetor, sepse na u ça kompresori i autobuzit të montuar në Shkodër. Aty “m’u qep” dhe nuk m’u nda deri sa na përcolli, një mësues nga Prishtina me emrin Naim, që kishte vetëm një vit që nga halli kishte marrë rrugët e kurbetit.

Një njeri i mrekullueshëm, i mençur, i kulturuar dhe mbi të gjitha një atdhetar i pashoq. Duke pirë kafe një ditë, i thashë:

– Sido që të jetë, ju kosovarët keni parë dhe keni jetuar më shumë botë të civilizuar, kështu që, ne “të posa dalët nga kafazi” për ju kemi shumë nevojë…

Më nguli sytë, buzëqeshi lehtë dhe me shumë trishtim mërmëriti:

– Ah, sa mirë do ish me qen kështu si thu ti, mor vëlla i jem… Po… s’asht… Jo, s’asht… Na kosovarët, nuk kena dal me e pa botën, e me msu prej saj se e quajmë marre, ne kena dalë me na pa bota se sa të marr ina e nji kte e quejm trimni e zgjursi…

Po atë vit, në dhjetor, një grup folklorik i shqiptarëve nga Maqedonia erdhi ne Elbasan. Unë sapo isha emëruar drejtor i teatrit. I prita dhe mësova se midis tyre ishin dhe dy familje shqiptarësh ardhur nga Amerika. Një ndër më të mbajturit ndër ta m’u prezantua si profesor në një nga universitetet e Ohajos… Ja ç’më llomotiti një herë:

– Ismail Qemali është agjent i serbëve. Serbët e paguan me flori e dollar vetëm e vetëm me ble Kosovën. Dhe ai hajn ua shiti… Posi… Në vend me ngrit flamurin në Prizren, me përfshi kështu tan Shqipnin nanë, shkoi edhe e ngriti në Vlonë, me e coptu Shqipnin siç e deshën Serbët…

Ja dhe një xhevair tjetër, po nga ky profesor shqiptaro-amerikan.

– Enver Hoxha bani shitjen e dytë të Kosovës. Më 1945-n e ma vonë, nuk pranoi që Shqipnia të bahej republikë e tetë e Jugosllavisë. Po të kishte pranu edhe Kosova do të ish së bashku me Republiken e Shqipnisë. Do të kishte statusin e republikës, do të kishte të drejtën e vetëvendosjes e tash masi e hangri dreqi Jugosllavinë, Shqipnia bash me Kosovën do të ishin me vedi…

Më 1996-n, më njoftojne se ka ardhur një i “madh” nga Kosova dhe donte të takohej me drejtorin e Teatrit. U thashë ta fusin në zyrë dhe mbas pak edhe vrapova për atje. Kur m’u prezantua personi në fjalë mbeta. Ishte shkrimtari dhe kritiku i madh “A.A”. Nja tre a katër librat e tij i kisha në shtëpi dhe ndërsa ai më fliste, unë vrisja mendjen se si të gjeja mënyrë të shkëputesha për pak kohë, të vrapoja në shtëpi, t’i merrja dhe ai të më linte një autograf e shënim. Kur… midis të tjerave nuk i besova veshëve ato që dëgjova…

– Po, more zotni, më tha, të tan na kosovarët, anë e kand, bajmë përpjekje të mbinatyrshme për qëllimin që i kemi vënë vetes: Çlirimin e Kosovës. Pooo… Do ta çlirojmë Kosovën e ma pas do ta çlirojmë edhe… Shqipnin… e pushtume prej grekëve të jugut…

– Më falni, i thashë, po… Shqipnija ashtë çliruar që më 1944-n… Dola jashtë me preteksin se kisha mbledhje në Bashki dhe në korridor i thërrita sa më hante gërmaci inspektorit të skenës: Kur të mbarojë kafen, përcille përjashtë zotërinë, e mbyll zyrën me çelës…

Një farë karagjozi kosovar, deputet karagjoz kosovar, me dyshtetësinë, të vetën dhe të Saliut, erdhi këtë 23 qershor edhe votoi “kundër tradhtarëve që duan t’ia shesin Shqipnin “GREKIT”…

Ah, more miku im, kosovar me emrin e ndritur NAIM… Ah more vëllai im…

*Aktori i njohur Astrit Çerma jeton në SHBA