Agron Tufa: Komunistët kontrollojnë çdo gjë në Shqipëri (dhe një histori si e shpëtoi Enveri, Eqerem Çabejn nga pushkatimi, por jo të fejuarën e tij)

0
27

Gazeta Tema, 28.08.2015

Agron Tufa thotë se shteti shqiptar nuk ka arritur ta heqë qafe komunizmin.

Sipas tij, jo vetëm që nuk janë dënuar krimet komuniste, pjesëtarët e regjimit që konsiderohet ndër më të egrit në Evropë, por vazhdojnë ta kontrollojnë pushtetin politik, ekonomik e arsimor.

Kjo, sipas shkrimtarit Tufa, paraqet një gjë të tmerrshme për kujtesën kolektive.

Duke folur në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, Tufa ka thënë se shoqëria shqiptare nuk është dekomunistizuar ende.

“Trashëgimia komuniste në Shqipëri nuk është cenuar aspak. Është trashëguar e padëmtuar”, ka thënë Tufa.

Sipas tij, anëtarët e ish-pushtetit u hallakatën në fillim të viteve ’90, por arritën të mbijetojnë mirë më pas.

“Ata gjakatarë të diktaturës gjatë viteve ’90 nuk zbrisnin nga pallatet për të blerë gazetën, por dërgonin çupat, mbesat e gratë. Kishin mizën nën kësulë. Pastaj u doli frika dhe morën të gjitha pushtetet, ekonomike, politike e sidomos arsimore e kulturore”, ka thënë Tufa.

“Kurrë nuk ka ndodhur që këta të zbresin nëpër arkiva dhe të shohin se me çfarë tmerresh është mbushur historia”, ka thënëai.

Tufa shprehet se historia shqiptare nuk është marrë as me rastet e atyre që janë dënuar nga sistemi komunist.

Tufa ka kujtuar gjatë fjalimit të tij, shpërthimin në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik.

Asokohe një lëndë eksplozivi kishte shkaktuar thyerjen e disa xhamave të Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë.

Ironia e gjithë kësaj historie sipas Tufës është se në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare është marrë vendim që të bëhen arrestime anembanë Shqipërisë.

U arrestuan gjithsej 250 njerëz.

Kjo iniciativë kishte qenë fatkeqe për 22 intelektualë shqiptarë nga Tirana, të cilët kishin mbaruar studimet jashtë shtetit.

Ishin eliminuar pa gjyq me pretekstin se kishin hedhur një eksploziv në Ambasadë.

Tufa ka thënë se në bazë të dokumenteve arkivore, letra me listën e atyre që do të pushkatoheshin iu dërgua Enver Hoxhës për miratim.

Tufës i ka bërë përshtypje një fakt.

“Ka qenë emri i profesor Eqrem Çabejt në listën për pushkatim.

Shënimi i Enver Hoxhës, që duket qartazi me laps, është që të lirohet Eqrem Çabej dhe të futet në listën e pushkatimit e vetmja shkencëtare shqiptare deri në atë kohë, Sabiha Kasimati.

Ajo ishte e fejuara e Çabejt”, ka thënë Tufa.

Tufa ka shpjeguar se ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Manol Konomi, kishte dhënë dorëheqje.

Por sipas tij, tani vonë, kur janë zbardhur procesverbalet, ky ish-ministër i Enver Hoxhës ishte larguar demonstrativisht, sepse kishte kërkuar të pushkatoheshin 55, e jo 22 persona.

Kur ka përmendur faktin se ata që i shërbenin dikur komunizmit kanë zënë pozita edhe pas shembjes së regjimit, Tufa ka përmendur edhe ish-ministrin e Jashtëm, Paskal Milo.

Tufa thotë se Milo në vitin 1987 kishte shkruar librin “Bashkimi Evropian, projekte dhe dështime”.