Administrata peng

0
52

Nga Etjen Xhafaj

Për të gjithë ata që po pyesin veten për zhurmën dhe kaosin në qendër të Tiranës, mos u shqetësoni, është vetëm qeveria me antimitingun e administratës. Ose më mirë shqetësohuni, sepse sot të gjithë ata që punojnë për ju në zyra publike, janë në shesh për të plotësuar procesverbalet e drejtuesve të institucioneve të tyre, të gjithë idhtarë të “hershëm” të kryeministrit.

Sot administrata shqiptare pushon, të festojë për arritjet e mëdha të kësaj qeverie. “Ne” siç thonë të gjithë posterat mureve e fletëpalosjet e futura nën dyer, do të festojmë liberalizimin e (e paarritur) të vizave, hyrjen në Bashkimin Europian (kur?) dhe një sërë standardesh të tjera, të gjitha të padukshme edhe këto, por që qeveria ka premtuar që do t’i arrijë.

Nuk thotë gjë për premtimin e madh me interes mbarëkombëtar të kësaj fushate, ujë e drita 24 orë për çdo shqiptar, por ndoshta kjo është tepër e vogël dhe lehtësisht e arritshme. Nga të gjitha festimet që premtojnë fletëpalosjet, vetëm ai i NATOs është në të shkuarën, megjithëse menduam që u festua aq sa “mjaftonte” për fushatën paraelektorale të kryeministrit. Por mbase jo.

Nuk po ndalojmë tek problemet politike e ekonomike në vend që do të diktonin shtyrjen e festës, jo, jo, me ato jemi mësuar sa kohë që kemi kryeministër këtë që kemi. Me të mund të mos kemi Europën apo standardet minimale të jetesës e lirisë në botën e zhvilluar, por jemi gjithmonë të sigurt që do të ketë një vesh të shurdhët e një sy qorr për gjithkënd që e kundërshton. Prandaj nuk po flasim për varfërinë, krizën ekonomike e politike, apo deklaratat e zjarrta të doktorit të shndërruar në dentist.

Nuk po ndalojmë as tek efektet e “festimit” anti-miting të mazhorancës, pasi e dimë mirë që disa po luten që sot të ketë më tepër njerëz në shesh sesa për protestën e madhe të opozitës, e shumë të tjerë po punojnë e kërcënojnë që të jetë kështu. E dimë mirë ne tani, e kemi mësuar nga eksperienca, e njëjta për 19 vite, pavarësisht kohës apo historisë, që kryeministri i tashëm e i shkuar i këtij tranzicionit tonë pa fund a krye ka një dëshirë të zjarrtë të mbulojë të vërtetën me zhurmat false që prodhon makina e tij e propagandës.

E këtë gjë po bën edhe sot, me administratën e huazuar nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë e të nxjerrë në shesh, duke shpresuar që ata të harrojnë për shërbimet që ju detyrohet shteti këtë ditë dhe të hipnotizohen nga festa në shesh për të harruar edhe gjithë hallet e tjera që rëndojnë në derën e gjithkujt, përveç disa pak dyerve përbri asaj të kryeministrit e familjes së tij.

Këto i dinim të gjitha, apo më mirë i mësuam gjatë asaj fushate që hyri në xhepat e gjithkujt për të mbajtur Berishën në pushtet. Ajo që nuk është e qartë është se si xhanëm arritëm në këtë ditë, kur është në rregull të përdoret i gjithë aparati shtetëror, buxheti, mjetet dhe mbi të gjitha njerëzit për të mbushur sheshe për llogari të pushtetit?

Që kur filluam të themi se është normale kjo, për ne që aspirojmë e adhurojmë të hyjmë në Europë, që shteti ta (keq)përdorë administratën të gjithë, pa asnjë përjashtim, për llogari të impresioneve e zhurmave që dëshiron të ngrejë kryeministri për të mbytur zemërimin e opozitës nga zgjedhjet e vjedhura? Kur u bë e zakonshme të pushohen njerëz tek të cilët janë investuar miliona lekë publikë vetëm sepse nuk u paraqitën në shesh përpara drejtuesit në orën e duhur për apelin? Ndoshta që kur u zgjodh Berisha herën e parë; ne nuk mund të kishim harruar aq shpejt! Apo ndoshta edhe më herët, atëherë kur filluam të mos pyesim përse ky apo ai internoheshin dhe dënoheshin për krime të paemërta, u nxinim fytyrat në albume apo libra dhe vazhdonim të admironim liderin.

E megjithatë festa në shesh vazhdon si lajtmotiv i arritjeve të paarritura të qeverisë. Mësues e mjekë, tatimorë e diplomatë, roje e drejtorë janë në shesh. Para disa ditësh u shpërndanë edhe fletëpalosje, banderola, postera e ftesa për mitingun të stampuara me paret e kushedi kujt (tonat besoj). Makinat me autoparlantë e flamurë PD-je (taksat tona paguajnë edhe për to) buçasin në emrin e kryeministrit e arritjet e tij. Edhe këto i kemi hasur më parë, ndërsa buçiste “Shqipëria po ndryshon” nëpër rrugë e bulevarde elektorale. Nëse ky është ndryshimi, përdorimi i fondeve publike për festa rrugëve apo dhunim administrate, a është ky ndryshimi që prisnim e shpresonim ne, pavarësisht ngjyrimit të tij?

Kjo e sotmja është një ditë historike për të gjithë shqiptarët. Është përvjetor i ngjarjes historike kur populli i këtij vendi u vu pas një grupi studentësh për të kundërshtuar e përmbysur një pushtet tiran i cili po shkelte qytetarët e Shqipërisë dhe të drejtat e tyre. 8 Dhjetori është dita për të kujtuar studentët, por mbi të gjitha vlerat për të cilat ata u ngritën, mungesën e demokracisë, abuzimin me pushtetin në kurriz të të gjithë qytetarëve, mungesën e lirive dhe pluralizmit dhe mbi të gjithë aspiratat Perëndimore të tyre. Sot, 19 vite më vonë, ndërsa kujtohemi edhe njëherë se sa larg ende jemi nga ato aspirata të thjeshta, ia vlen të shikojmë ku kemi arritur.

E gjithë turma e mbledhur me dhunën financiare që vetëm ky lloj shteti mund të ushtrojë na tregon se jo vetëm që nuk kemi ecur përpara, por ndoshta jemi kthyer pas. Sepse ndërsa disa festojnë pa gëzim për bukën e gojës ndërsa punojnë në shtet, të tjerët shohin me keqardhje se aspiratat për të cilat u luftua komunizmi dje, janë peng të tranzicionit e disa ish-ëve sot. Dhe derisa administrata, shteti e pushtetet të jenë peng të një familjeje apo një njeriu, ne do të jemi të gjithë peng. Demokracia ndërtohet mbi liritë ndërsa sot në sheshin e Tiranës festohet për mungesën e saj.