Endri Xhafo, 29.04.2011
A është “lajm” rruga me gropa? A duhen bërë gjatë fushatës kronika me “vox pop”, ku qytetarët thonë se çfarë mendojnë mbi punën e kryebashkiakut? Çfarë konsiderohet aktivitet qeveritar në lidhje me fushatën? Këto janë disa nga pikëpyetjet më elementare me të cilat Bordi i Monitorimit të Medias përballet gjatë një fushate zgjedhore.
Bordi është një organizëm i përkohshëm që përbëhet nga 7 anëtarë, të caktuar secili nga çdonjëri prej 7 anëtarëve të KQZ-së. Kjo bën që Bordi të mos jetë i zhveshur nga parapëlqimet politike, madje përgjatë punës së tij përvijohen dy kampe; njëri që mbron interesat mediatike të shumicës dhe tjetri që mbron interesat e pakicës. Në këtë mënyrë, Bordi bën sikur punon dhe KQZ bën sikur merr masa.
E vërteta është se KQZ-ja harxhon shumë energji për t’u marrë me raportimet e përjavshme të Bordit, ku rezultati final është një monitorim njëmujor që konstaton se një televizion e tejkaloi kohën në favor të Partisë Demokratike me 300 e ca minuta dhe një tjetër në favor të Partisë Socialiste me “vetëm” 60 minuta. Ky nuk është një rast hipotetik, por shembulli konkret që na dha fushata e zgjedhjeve të vitit 2009. Dhe çfarë ndodhi atëherë? Asgjë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lejoi akumulimin e diferencës përgjatë katër javëve të fushatës, sepse po t’i vinte gjobë televizionit që po tejkalonte kohën në favor të Partisë Socialiste, duhet t’i vinte një gjobë proporcionale televizionit që e kishte katërfishuar kohën në favor të Partisë Demokratike. Dhe kjo gjë, si në atë kohë, edhe tani, është e pamendueshme.
Në fakt, që kur Bordi u fut në Kodin Zgjedhor në vitin 2003 si organizëm i përkohshëm monitorimi, KQZ-ja ka aplikuar një sjellje “tolerante” kundrejt operatorëve radio-televizivë, duke “besuar” në aftësinë e tyre vetëkorrigjuese. Kurrë asnjë gjobë nuk është vendosur prej KQZ-së për asnjë operator radio-televiziv për tejkalim të kohës gjatë fushatës. Atëherë, përse duhet Bordi? Në të vërtetë Bordi i Monitorimit të Medias, ai vetë i ngritur sipas një formule balancimi politik, është një atavizëm i frustrimeve të kohës që e polli, ku aksesi në media i opozitës së atëhershme ishte i kufizuar dhe besimi te KKRT mungonte. Sot kohët kanë ndryshuar, pavarësisht tejkalimeve nga njëri krah në tjetrin.
Balancimi si detyrim ligjor ka sjellë një zvetënim të rregullave bazë të profesionit. Nëse ende ruhet një përpjekje minimale për të pasqyruar partitë e mëdha në tërësinë e tyre, pasqyrimi i partive të vogla është inflacionist. Një mori kryetarësh partish të vogla përfundojnë në ekranet e televizioneve si kopje të këqija të kryetarëve të partitë të mëdha. Pa programe origjinalë, pa vizion, shpesh të mërzitshëm, këta aktorë pa peshë në vendimmarrje, dhe si të tillë pa peshë në fatet e elektoratit, përfitojnë nga detyrimi ligjor për “balancë”.
Por edhe raportimi i partive të mëdha është “copy paste” nga një miting në tjetrin. Kronikat e mitingjeve të Kryeministrit fillojnë dhe mbarojnë me të njëjtën muzikë të ‘Modern Talking’, pak fjalë të përgjithshme në fillim, dy-tre sinkrone në mes, nga të cilët njëri nxjerr në pah arritjet e deritanishme, tjetri është zotim për të ardhmen dhe i treti batutë për kryetarin e opozitës.
E njëjta gjë nga krahu tjetër. Kryetari i opozitës kur nuk del në mitingje, troket “derë më derë”. Dy-tre njerëz që i “qajnë” hallet, ai që, shpesh pa i parë në sy, përgjigjet gjithmonë njësoj, a thua se vërtet vota e tyre më 8 maj do t’u japë zgjidhje të tëra shqetësimeve, një pjesë e të cilave janë të karakterit praktik.
Kur përparësinë e ka “balanca” si sasi, “zbërthimi” i programit elektoral si cilësi e raportimit është thuajse nul. Askush deri më sot nuk ka abstraguar qoftë edhe për një javë nga detyrimi ligjor për qenë kinse i balancuar, me synimin për të sjellë një raportim perëndimor të fushatës. Raportim i cili fillon me ndjekjen në terren, ilustrohet vetëm me pak plane mitingu, pak shtrëngime duarsh dhe vijon, kur mundësia e lejon, me pyetje direkte për kandidatin, i cili kësaj here, përballë mikrofonit të gazetarit sqaron premtimin e radhës; e tëra kjo përmbyllet, sipas rastit, me një stand-up konkluziv.
Kësisoj, raportimi i tërë fushatës përgjatë një muaji mbetet metodik, për t’i zbërthyer publikut programet elektorale të subjekteve zgjedhore. Që do të thotë se nëse dita e martë ka të njëjtin mesazh si dita e hënë, subjekti nuk transmetohet për t’i lënë hapësirë televizive subjektit tjetër. Ky raportim i nxitur vetëm nga ajo çka përbën “lajm” ka efekt edukues edhe mbi vetë subjektet zgjedhore.
Me këtë praktikë pune bien poshtë edhe tërë diskutimet shterpë me të cilat është përballur vitet e fundit Bordi i Monitorimit të Medias në Shqipëri. Jo më pikëpyetje të tipit se si duhet përllogaritur koha e kronikës që flet për gropat në rrugën “Irfan Tomini”, si kohë kundër kryebashkiakut apo thjesht si lajm? Apo nëse duhet konsideruar aktivitet qeveritar përurimi i tunelit Rrëshen-Kalimash, ku Kryeministri flet përpara disa mijëra simpatizantëve që valëvisin flamujt e Partisë Demokratike? Po ashtu, do të ishte e pavend të pyetej nëse deklarata për shtyp e opozitës, që denoncon si manovër elektorale faljen fiskale të qeverisë, është apo jo propagandë elektorale?
Në një të ardhme pa Bord Monitorimi, operatorët radio-televizivë, si ai që e tejkalon kohën në favor të Partisë Demokratike edhe ai që e tejkalon në favor të Partisë Socialiste, do të merrnin përsipër kostot e veprimeve të tyre (ashtu siç bëjnë në fakt çdo ditë jashtë fushatës). Në çdo rast, Këshilli Kombëtar i Radios dhe i Televizionit (KKRT) mbetet një organizëm i përhershëm rregullues, por me prirje më të përgjithshme se Bordi.
Në një praktikë pune të nxitur vetëm nga lajmi, radio-televizionet ruajnë të drejtën për të zgjedhur mes temave të fushatës një temë të caktuar, ta ngrenë atë në çështje kombëtare dhe të tërheqin debatin publik përreth saj (p.sh., reduktimi i taksave apo shtimi i barrës fiskale kanë aftësinë të provokojnë debate të gjalla në vendet perëndimore, ku njerëzit janë më të ndjeshëm se ne për taksat që paguajnë dhe mënyrën sesi shpenzohen ato).
Në fund të kësaj fushate, shumatorja e tërë lajmeve ka dhënë një ballafaqim në distancë të programeve dhe alternativave, ku moderator ka qenë vetë publiku, me pak ndihmë nga redaksitë e lajmeve. Kështu raportohen fushatat në Francë, Itali, Mbretërinë e Bashkuar apo SHBA.
Por gazetarët në Shqipëri, duke futur këtu edhe autorin e këtyre radhëve, nuk kanë një panoramë të përgjithshme të programeve elektorale që do t’u lejonte në radhë të parë atyre vetë të ishin të qartë, për të evituar në vijim përsëritjet e njëpasnjëshme në raportime. Madje, kaq shabllone dhe të qepura në avancë ngjajnë aktivitetet e fushatës, saqë disa subjekte e kanë të pamundur të heqin dorë nga “kasetat”. Një koleg pyeste përpara disa ditësh me ironi: “çfarë kasete do të shohim sot”?
Nga krahu tjetër është për të ardhur keq që katër kolegë të Bordit të Monitorimit të Medias e mbështesin këtë praktikë vrastare për profesionin. Është për të ardhur akoma më keq kur ndonjë i vetëquajtur “gazetar” shkruan se, “kasetat dhe liria e shtypit nuk janë në kundërshtim” me njëra-tjetrën. Ky pohim në fakt tregon se te personi në fjalë, më shumë se talenti i gazetarit, spikat ai i pronarit të gazetës ku ai shkruan. Kurse debati i hapur pas një vendimmarrjeje të KQZ-së për kasetat, është akti i fundit i një procesi absurd monitorues.