Abecetë origjinale shqiptare (1761-1844)

0
60

Saimir Lolja

Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve njihet si Anonimi i Elbasanit (1761) është shkrimi më i hershëm Shqip i shkruar me një Abece origjinale. Autor ishte Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i Voskopojës, i cili qëndroi 15 vjet në Elbasan para hartimit të dorëshkrimit. Ai u përpoq të shkruante në një gjuhë të përbashkët që ta kuptonin shqiptarët nga krahinat e ndryshme. Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin Elbasanas: ka shumë pak fjalë të huaja, vetëm tri fjalë latine dhe shtatë fjalë turke. 59 faqet e përkthimeve biblike në Dorëshkrimin Elbasanas përmbajnë 6113 fjalë të shkruara me një Abece prej 40 gërmash: 35 gërma të zakonshme dhe 5 gërma të rralla.


Komisioni i Alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresine Manastirit

Shumica e gërmave të kësaj Abeceje janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe Abeceve të popujve fqinjë. Gjithashtu, në kapakun e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve gjëndet një vizatim dhe 12 fjalë të shkruara me një Abece që ndryshon krejtësisht nga Abeceja e dorëshkrimit; por e pa zbërthyer akoma. Abeceja e Todri Haxhifilipit (1730-1805) nga Elbasani, e cila është një sistem i ndërlikuar prej 52 gërmash që u përdor aty këtu në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII.

Abeceja e Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim prej 154 faqesh, Shqip e greqisht. Me
shkronja të kishës lindore është, bie fjala, një vjershë e titulluar “Zonja Shën Mëri përpara kryqësë”. Në faqen 104 janë dy radhë Shqip të shkruara me një Abece origjinale prej 37 gërmash të ndikuara nga glagolishtja. Një Abece tjetër paraqitet në Gjinokastër nga fundi i shekullit XVIII ose fillimi i shekullit XIX, e cila është një sistem prej 22 gërmash, por pak e përhapur.

Një Abece tjetër e lindur në Jugun e Shqipërisë është ajo e Jani Vëllarait (1771-1823). Ai ishte autori grek i shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t’i mësuar shqip grekërve. Gjuhën shqipe e shkroi me një Abece origjinale prej 30 gërmash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes. Abeceja e Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça prej 33 gërmash të botuara në abetaren e tij Shqipe në vitin 1844. Jehona e kësaj Abeceje, e cila i ngjan një lloj armenishtje të pjerrët, ishte e pakët.

Ajo periudhë njëqindvjeçare 1750-1850 përmban një shumëllojshmëri shkrimesh nga shqiptarët. Pas vitit 1850, gjuhës shqipe të shkruar sipas shtatë Abeceve origjinalë të lartpërmendura iu shtuan edhe tre përshtatje të Abeceve të gjuhëve latine, greke dhe arabe. Është për t’u çuditur që kultura shqiptare arriti ta dallonte veten dhe të mbijetonte me një madhështi e krijimtari të tillë letrare. Egzistenca e tyre çjerr njëkohësisht keqësinë me të cilën u ndesh delegacioni Shqiptar në Kongresin e Berlinit më 1878 ku iu tha JO për shtetin Shqiptar të kërkuar me “arësyen” se “nuk mund të kishte komb pa gjuhë të shkruar”. Ndërkohë që kishte jo një, por dhjetë Abece që mund të përzgjidheshin e zbatoheshin.

Kongresi i Manastirit ose ndryshe Kongresi i Abcesë (14-22 Nëntor 1908)
Mendjet më të ndritura shqiptare përpiqeshin me këmbëngulje të zgjonin kombin arbëror dhe të
bashkonin tërë popullin duke i kujtuar misionin mijravjeçar që kishte për të trashëguar dhe përparuar kombësinë e tij. Atdhetarët përballeshin me një përçarje dhe përgjumje në popull që shkaktohej nga politika përça-e-sundo e qeverisë osmane dhe armiqve të tjerë, nga ngrehinat shoqërore feudale-fisnore në Shqipëri, nga një shpërndarje e palidhur e popullatës dhe nga animet e ndryshme fetare të cilat përdornin osmanishten, greqishten, italishten e gjermanishten në vend të Shqipes.

Në ato kushte hutimi por edhe lulëzimi kombëtar, shoqëria Bashkimi e Manastirit thirri më 14 Nëntor 1908 kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin dhe miratimin e një Abeceje të njësuar. Aty ishin të pranishëm 50 delegatë (32 votues e 18 vëzhgues) të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Turqi, Egjypt, Itali, Amerikë e gjetkë. Kongresi u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit, cili mbajti edhe fjalimin e mirëseardhjes. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit që pat
kryesuar Lidhjen I të Prizrenit, kurse përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike Britanike dhe shkrimtari Gjergji Qiriazi u zgjodh nënkryetar.

Françeskani At Gjergj Fishta, i ardhur me përfaqsuesit e Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës themeluar më 1899, me kumtesën e tij “Për alfabetin latin” i dha drejtimin e duhur marrëveshjes për Abecenë dhe pjesmarrësit në Kongres e zgjodhën atë Kryetar të Komisionit të Abecesë. Anëtarët e tjerë të Komisionit ishin Mithat Fashëri (nën-kryetar i Komisionit), Luigj Gurakuqi (shkrimtar, botues, politikan, figurë kombëtare nga Shkodra), Gjergj Qiriazi, Don Ndre Mjedja (profesor jezuit nga Shkodra), Grigor Cilka (prift protestant nga Korça), Dhimitër Buda (financues nga Elbasani për arsimin), Shahin Kolonja (gazetar dhe politikan nga
Kolonja), Sotir Peçi (matematikan nga Korça dhe përfaqsues i shqiptarëve të Amerikës), Bajo Topulli (figurë kombëtare nga Gjinokastra) dhe Nyzhet Vrioni (politikan nga Berati). Parashqevi Qiriazi, e Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit.

Ajo ishte e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori që mori pjesë në një forum mbarëshqiptar. Ditën e dytë të kongresit, Gjergj Fishta mbajti një fjalim tjetër të mrekullueshëm për vetitë e mira të shqiptarëve dhe nevojat e tyre. Për këtë rast, zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë, e pranishme aty si vëzhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta: “Kumtesa më e mirë u mbajt nga një prift katolik nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë që dëgjuesve t’u rridhnin lotë; një hoxhë u prek aq shumë, saqë rendi dhe e përqafoi para gjithë të pranishmëve”. Don Nikollë Kaçorri ishte një nga dijetarët më të ndritur në Kongres. Tetë nga trembëdhjetë parashtrimet e poetit Ndre Mjeda u miratuan nga Kongresi, i cili, ndonëse
jetoi në disa vende të huaja dhe njihte 13 gjuhë, mbi gjuhën Shqipe nuk vinte gjë tjetër:

Nji kto gjuhë, qi jam tue ndie janë të bukra me temel; por prep’ këjo, si diell pa hije, për mue t’tanave iu del. Kongresi nëntëditor vendosi me votë të plotë që shqiptarët ta linin mënjanë Abecenë e Stambollit (e cila bë më vonë Abeceja e Turqisë moderne) dhe ta shkruanin gjuhën e tyre vetëm me Abecenë latine. Kjo Abece ishte përpiluar nga At Gjergj Fishta dhe në Shkollën e Fretëneve në Shkodër ku ai ishte drejtor gjuha Shqipe e shkruar me Abecenë e sotme ishte në përdorim që në vitin 1902. Abeceja e pranuar në Manastir përmbante 36 shkronja apo bashkime shkronjash latine. Duke qenë se para kësaj mbledhjeje gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja lindore (arabe, cirilike apo përshtatje të tyre), vendosmëria e këtyre delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi nje shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që shkaktoi kundërveprime të ashpra nga bizantinët (qeveria osmane e moslemanët, qeveritë fetare sllave e greke).

Kongresi vendosi gjithashtu ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave Shqipe. Por shpejt qeveria osmane i mbylli të gjitha shtypshkronjat shqipe. Megjithatë më 1911, Hoxhson, përfaqsuesi i Shoqërisë Biblike të Kostandinopojës, raportonte: “Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur pa pikë mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e letërsisë Shqipe nuk kanë rreshtur kurrë. Gjendja e rëndë politike mund të marrë flakë nga çasti në çast”. Tashmë shqiptarizmit i kishte shpërthyer lulëzimi me një përhapje e ripërtëritje që nuk do i ndaleshin më. Shqiptarët e Kongresit të Abecesë e kryen misionin e tyre; të tjerët kishin misione të tjera për të kryer në shekullin e sapofilluar dhe në shekujt e mëpasëm.

(Shkrimi është mbështetur edhe në botime të autorëve Musa Ahmeti, Robert Elsie, Edwin E. Jacques, At Donat Kurti).