Mustafa Nano
Në një shkrim timin të para do javëve, krizën e sotme të politikës shqiptare, e shihja edhe si ballafaqim të dy vizioneve, të vizionit demokrat që sublimon garën elektorale në kurriz të rregullave të lojës (në këtë pozicion kemi socialistët tanë), e të vizionit liberal që sublimon rregullat e lojës e vendimet e institucioneve në kurriz të së vërtetës elektorale (në këtë pozicion kemi demokratët tanë). Sigurisht, sforcohesha jo pak për ta parë kësisoj, pasi të gjithë e dimë që këtej nga anët tona nuk ndeshen demokratët me liberalët; ndeshen në fakt dy kampe që gjakojnë pushtetin. Kaq.
E theksoja këtë karfosje kinse vizionesh, ngaqë po shihja edhe të huajt të bëheshin pjesë e dialektikës së politikës së këtushme, duke mbajtur anën e njërës apo tjetrës palë. Për një trill rrethanash, të djathtëve/të majtëve europianë u është dashur të rreshtohen në betejën e Tiranës në përputhje me çfarë u sugjeron tradita e identiteti i tyre ideologjik, d.m.th të djathtët janë vënë në mbrojtje të legalitetit, e të majtët në mbrojtje të principit të pastër demokratik. Por e vërteta është që të huajt në Shqipëri nuk mbështesin parime; përkundrazi, mbështesin kanakarët e tyre të Tiranës.
Ka një ngjarje të freskët që më ndihmon ta ilustroj këtë që sapo thashë. I njëjti sherr ka plasur këto ditë dhe në Italinë fqinje. Me fjalë të tjera, atje po ndeshet po njësoj vizioni demokrat dhe ai liberal, veçse në ndryshim nga ajo që po ndodh këtejpari, janë të majtët që janë vënë në mbrojtje të rregullave të lojës e të institucioneve, dhe të djathtët që janë vënë në mbrojtje të demokracisë, d.m.th të së drejtës së votës. Pier Luigi Bersani e të tijtë po thonë: duhen ndjekur procedurat e duhen respektuar vendimet e gjykatave. Ndërsa në anën tjetër, Silvio Berlusconi e të vetët po thonë: nuk ka gjykatë e nuk ka procedurë që të dalë mbi të drejtën e italianëve për të votuar.
Duket gallatë, apo jo? Kryediplomatit italian, Frattini, i cili prej muajsh është vënë në mbrojtje të Sali Berishës së kapur fort pas medemek rregullave, procedurave e gjykatave, i duhet të mbrojë pozicionin e Edi Ramës në vendin e vet, i duhet pra të ngrejë zërin në mbrojtje të demokracisë e në shpërfillje të gjykatave. Leksioni? Nuk duhet të impresionohemi shumë nga të huajt, të cilët s’e kanë për gjë të flasin shkel e shko kur vjen puna që u duhet ta thonë të tyren lidhur me ngjarjet shqiptare.
Qëndrimet tona duhet t’i ngremë mbi realitetin tonë lokal, të cilin e njohim veç ne, e mbi parimet, të cilat kanë të njëjtën vlerë kudo. Dhe mbi këtë bazë mund të themi: së pari, nuk duhet ta lejojmë Berishën të dalë në mbrojtje të gjykatave, pasi atij i ka hije t’i sulmojë ato, gjë që e ka bërë gjithë kohën; së dyti, institucionet tona zgjedhore janë ashtu si janë, d.m.th të kontrollueshme e të kontrolluara nga pushteti; e së treti, asnjë procedurë e asnjë institucion nuk vlen aq sa vlen e vërteta elektorale.