Nga Fron Nahzi
Në vitin 1990, ndërsa revolucioni shqiptar kundër qeverisjes 45 vjeçare komuniste po fitonte vrull, një profesor i ri i arteve, i quajtur Edi Rama, paralajmëroi se qeveria e re post-komuniste duhet të mos ketë asnjë anëtar të ish- partisë komuniste. Ai paralajmëroi se ‘intelektualët e korruptuar’ po e marrin peng lëvizjen demokratike dhe po e kthejnë në një sistem vetëshërbimi, ashtu siç kanë bërë në 45 vitet e shkuara. Për ironi, sot Rama drejton Partinë Socialiste, trashëgimtare të partisë komuniste dhe partia më e madhe e opozitës në vend, ndërsa rivali i tij, kryeministri Sali Berisha, një ish- komunist, është kreu i Partisë Demokratike, trashëgimtare e revolucionit antikomunist.
20 vite dhe miliarda dollarë ndihmë të huaj më vonë, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara në Europë. Zgjedhjet rrallë janë të lira e të ndershme dhe ambasadorët shpesh thirren për të ndërmjetësuar grindjet mes partive politike, dhe ligjet e përgatitura nga ekspertët perëndimorë, në shumicën e rasteve përdoren nga partia në pushtet për të ruajtur kontrollin mbi kundërshtarët politikë. Shoqëria civile shpesh u dërgon peticione komunitetit ndërkombëtar për të mbajtur zyrtarët e zgjedhur nën kontroll.
Organizatat ndërkombëtare të ndihmës vrapojnë me krahë të hapur për të ndihmuar vendet që sapo kanë dalë nga dekada të qeverisjes totalitare. Me përjashtim të programeve për infrastrukturën fizike, projektet për të promovuar qeverisjen e mirë, zbatimin e ligjit dhe shoqërinë civile shpesh kanë dështuar në arritjen e qëllimit në shumicën e shoqërive post- totalitare. Shqipëria është një shembull.
Mes viteve 1991 dhe 1999, Shqipëria ka marrë më shumë ndihmë të huaj për banor se çdo vend tjetër ish- komunist në Europën Qendrore dhe Lindore. Për fat të keq, Shqipëria e ditëve moderne është larg një vendi model demokratik dhe kjo ngre pyetjen: çfarë shkoi gabim?
Në shumicën e rasteve, ndihma perëndimore në një shoqëri post- totalitare perceptohet si një shpërblim dhe shenjë e partneritetit mes donatorit, marrësit publike (që ka zhvilluar një betejë kundër despotit dhe ka fituar në emër të dinjitetit) dhe qeverisë së re. Në shumicën e rasteve, si publiku i përgjithshëm edhe qeveria e re i perceptojnë donatorët ndërkombëtarë si ndërmjetës të ndershëm. Qeveria pret nga donatorët që të ofrojnë trajnim dhe suport ndërkombëtar, ndërsa publiku pret që ndërkombëtarët të monitorojnë zyrtarët e zgjedhur nga ata. Shkenca e donatorëve për zhvillimin vihet shpejt në jetë, çka premton zhvillim ekonomik, shërbime publike të përmirësuar, drejtësi, stabilitet dhe qeverisje të mirë.
Organizatat joqeveritare formohen shpejt dhe marrin fonde me shpresë se do të mbushin vakuumin mes qytetarëve dhe qeverisë. Atyre iu bashkohen mediat e pavarura politikisht, të cilave iu jepet mbështetje financiare për të raportuar në mënyrë objektive. Partive kryesore politike iu afrohet trajnim nga organizatat perëndimore se si të menaxhojnë fushatat zgjedhore.
Brenda pak muajsh, sistemi me tre shtresa social dhe politik i Aleks de Tokevil është vendosur, i gatshëm për të siguruar pjesëmarrje qytetare në qeverisje, një shtet të rrënjosur tek sundimi i ligjit, një qeveri dhe krerë të qeverisë të bashkuar nga një besim e praktikë e përbashkët e bazuar në etikat profesionale dhe politike. Ky është një rregull shumë i madh edhe për demokracitë perëndimore, e lëre më për shoqëritë në tranzicion si Shqipëria.
Por siç kemi mësuar nga Shqipëria, korrupsioni në shkallë të gjerë bëhet normë në vend që të bëhet përjashtim. Partia në pushtet mëson menjëherë se në këmbim të angazhimit për stabilitet rajonal e luftë ndaj terrorizmit, Perëndimi mbyll njërin sy ndaj metodave jodemokratike të tyre, eliminimi i kundërshtarëve dhe mbytja e zërave kritikë. Kjo çon në një sistem ku pozicioni në qeveri është një mundësi për pasurim personal dhe partiak.
Dhe pyetja që bëjnë shumë me çudi në Shqipëri dhe në vende të tjera post- totalitare që përballen me probleme të tilla është: ku shkoi ajo e ashtuquajtur ‘masë kritike’? Ka pasur liri ekonomike e politike në Shqipëri, por papunësia e lartë dhe korrupsioni i shfrenuar qeveritar janë kthyer në plagë për vendin. Dhe në fund ndoshta nuk është një pyetje se ku janë zhdukur liderët e revolucionit të mëparshëm ose ku është masa kritike, por çfarë ndodhi me idealet dhe principet që sollën publikun së bashku për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin në radhë të parë.
Rasti i Shqipërisë ngre shumë pyetje në lidhje me ndikimin e programeve të zhvillimit civil dhe demokratik. Është pasojë e ndihmës së huaj një institucionalizim dhe profesionalizim i pjesëmarrjes civile? Mos aksionet e tyre për t’i dhënë fund abuzimit me pushtetin në njësitë e tyre vendore janë zëvendësuar me aftësi për menaxhim projektesh: si të shkruash një propozim, një buxhet, plani i masave dhe raporti i shpenzimeve?
Këto organizata marrëse mos ndoshta perceptohen nga publiku i gjerë si institucione, financimi i të cilave varet nga aktivitetet e para-identifikuara? A mos ndoshta donatorët kanë hequr dorë nga njerëzit e hapur, me ide e vizion, që janë në gjendje të organizojnë mbështetje publike dhe të mbajnë qeverinë të përgjegjshme, dhe në vend të kësaj kanë përfunduar në një flluskë me një shoqëri civile që vegjeton nga fondet?
Ndoshta Shqipëria ka arritur maksimumin e potencialit të zhvillimit demokratik nga ndihma e huaj, nëse një gjë e tillë ekziston. Dhe ndoshta ndihma e huaj nuk është më një çmim për progres, por më shumë një ‘karotë’ për të ndaluar vendin e liderët e saj për të rrëshqitur në regres- të paktën deri në ditën kur të zhduken intelektualët e korruptuar.
(Marrë nga Huffington Post. Autori është shkrimtar i specializuar për zhvillimet ndërkombëtare dhe prej 18 vitesh ka eksperiencë nga zhvillimet në Ballkan, Europën Qendrore dhe Lindore si dhe Azinë Juglindore)