Aida Nako, 14 Maj 2013
Bashkëpunimi mes Sali Berishës e Jozefina Topallit po shkon drejt fundit? Përplasja e 6 majit (mund të quhet si më e forta e ndodhur gjatë këtyre viteve) dha sinjalet më të forta për shkërmoqjen e një bashkëpunimi të ngushtë mes tyre.
E nisur që në vitin 1996 kjo marrëdhënie politike, u shoqërua me ulje ngritje të mirëkuptimit, por me sa duket për Berishën ka qenë gjithnjë e më e vështirë për të funksionuar. Së fundmi, ai ka vendosur që jo vetëm të minimizojë pushtetin e saj në parti, por dhe më shumë: të sinjalizojë çdo kënd në parti se mbi të nuk mund të vendosë askush. Tashmë mund të thuhet se klani Topalli në PD po shkon drejt humbjes së plotë.
Fushata lokale
Në vitin 2011 kur në kryeqytetin shqiptar zhvillohej një luftë e ashpër për drejtimin e pushtetit lokal, kandidimi i njeriut të zgjedhur nga vetë Berisha erdhi mjaft i papritur për kryeparlamentaren Jozefina Topalli, duke krijuar pakënaqësinë e saj e cila u shfaq në gjithë fushatën zgjedhore të pushtetit lokal. Moment ky që nuk mund të harrohej nga Berisha, e që priti çastin zgjedhor parlamentar për të afruar në “pjatën e ftohtë” hakmarrjen e tij.
Topalli, jo vetëm që nuk dha suport elektoral, duke mos bërë qoftë dhe një takim në Tiranë, me fuqinë e saj si nënkryetare e PD-së, por në takime informale apo me bashkëpunëtorë të saj, gati gati shfaqej kundër një kandidature të tillë. I paharrueshëm ishte dhe momenti final, ku në selinë blu ishte zhvendosur e gjitha elita e saj, duke dalë në deklarata sulmi ndaj kundërshtarit, kur do dilte dhe rezultati final, me 10 votat e famshme.
Madje “surpriza” e Bashkisë së Tiranës, për Topallin u shpreh dhe nga vetë ajo në qarqe të ngushta. “Për besë e mori mandatin dhe unë që s’bëra asnjë ditë fushatë për të”, qe shprehur Topalli në tryeza të ngushta, duke parë kësisoj edhe atë çka e priste në marrëdhënien e saj me kryeministrin demokrat.
Kundërvënia ndaj Topit
E kaluar sërish në kohë dhe pse jo në kundërshti ndaj Berishës, lufta e hapur ndaj ish presidentit Bamir Topi filloi të konturohej gati në një inat të saj personal. Topalli stonoi në luftën politike ndaj Topit për shkak se ajo flitej të ishte kandidatja e shumicës për President të Republikës. Përplasjet institucionale mes Kuvendit dhe Presidencës vunë jo në pak raste përballë vështirësive Kryeministrin, për vetë faktin se u tejkaluan kompetencat e institucionit të Kuvendit. Shtuar këtu dhe synimet e saj për të qenë ajo kandidatja potenciale e pasardhësit të Topit, pasi vetë konjuktura politike i jepte mundësinë shumicës të zgjidhte vetë kreun e shtetit.
Madje, lufta e saj ndaj Topit u duk kaq personale dhe e vënë në krye të sulmit, shpërblimi do të ishte pikërisht posti i Presidentit. Por as kjo nuk do të vinte për zonjën Topalli, e para nuk mund të harroheshin nga Berisha zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe e dyta Berisha qeveriste me Metën e ky i fundit nuk e pranon Topallin në asnjë rrethanë.
Rezultatet elektorale
Për të bërë të qartë panoramën se si erdhi dhe finalja e 6 majit të vitit 2013, Berisha nuk mund të mos fusë në analizë dhe rezultatet elektorale të saj në qarkun e Shkodrës në dy zgjedhjet e fundit. Zyrtarisht këto rezultate lënë për të dëshiruar.
Në vitin 2009, në qarkun e Shkodrës pati një deputet më pak se çfarë ishin pritshmëritë e së djathtës në këtë qark. Kësaj atmosfere të pafavorshme iu shtuan dhe rezultatet në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Nisur nga vetë konturimi i kampeve politike zgjedhjet e fundit lokale në këtë zonë, faktuan se PD-ja po lëshon gjithnjë e më shumë terren ndaj së majtës apo kundërshtarëve djathtas të kësaj force.
Njëherësh, i sinjalizuar për pakënaqësitë që kanë vetë qarqet politike në Shkodër kundrejt Topallit, Berishës i shkon për shtat që të shfuqizojë atë apo dhe klanin e saj, që së fundmi u përfol aq shumë.
Përplasja për listat e kandidatëve për deputetë
Bashkëpunëtorë afër kupolës saktësojnë se spostimi i Topallit është tashmë më se i vendosur. Jo vetëm që Berisha nuk e pyeti për listën e 6 majit, por skenarin që vetë Topalli u nxitua ta anoncojë përpara mbledhjes, ia ktheu me dashje në boomerang.
Me emrat e saj, Topalli u paraqit në mbledhjen e natës së 6 majit, ku kryesia e PD-së po hartonte listat zyrtare të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Por emrat e saj nuk do të pranoheshin nga Berisha dhe do të sillnin dhe një skenar të tillë, që i sinjalizuar më herët nga Topalli në media, Berisha shkoi deri atje sa e nxori jashtë nga mbledhja. Moment i cili, nuk u kapërdi lehtë nga Topalli, e cila e kthyer më vonë në mbledhje nuk kurseu dhe fjalët ofenduese ndaj emrave që përfaqësonin PD-në në garën e 23 qershorit me shprehjen “u mbush partia me qelbësira”.
Megjithë mllefin, ajo çfarë kishte nisur të bëhej, nuk kishte më kthim pas. Berisha ka vendosur ta zhbëjë dominimin e klanit Topalli dhe të vetë asaj në parti. Zërat që Topalli ka dalë vetë nga ajo mbledhje janë të pasakta. Një gjë mbetet e sigurtë në partinë që drejtohet nga Berisha: askush nuk mund të ikë nga një mbledhje, vetëm kur të nxjerr jashtë vetë ai.
Largimi në këtë formë, është i lexueshëm si e zeza në të bardhë, Jozefina Topalli cilido të jetë fati i zgjedhjeve të 23 qershorit në rastin më të mirë do të mbetet një fraksion në minorancë i PD-së, duke u lutur në fund të herës për të qenë së paku vetë pjesë e listave.
Basha, dhëndri i familjes Berisha në opozitë
Opinion nga Mero Baze
Kishte një lajm në çeljen e fushatës së PD-së. Si çdo i sëmurë i pashpresë, që njerëzit e përgjojnë tek koka e që nuk jep dot lajmin e mbijetesës, e arrin vëmendjen me çeljen e testamentit. Fjalimi i Lulëzim Bashës ishte një përpjekje e mundimshme për të qenë lideri i opozitës së nesërme kundër Edi Ramës. Ky ishte dhe i vetmi lajm i mitingut të PD-së mbrëmë në Tiranë. Nëse kish një gjë që binte në sy në mitingun e çeljes së fushatës elektorale të PD, ishte fakti që Berisha po transferonte testamentin për PD-në tek Lulëzim Basha. Disa mijëra nëpunës me fytyra të lodhura dhe militantë nga periferitë e Tiranës, ishin dekori në të cilin u krye ky rit.
Lulëzim Basha u shfaq para dëshmitarëve si njeriu që u jepte atyre shpresë të përballonte Edi Ramën në opozitë. Ai, siç e theksoi dhe vetë, do ta quante tani e tutje Edi Ramën “armik” të tij, të PD-së dhe të shqiptarëve.
Edhe pse nuk ish në gjendje të formulonte një filozofi të tij si lider i opozitës së nesërme, Basha u pa qartë se ndjehej i emëruar në detyrë qysh sonte, ndërsa fliste për suksesin e pritshëm elektoral në Tiranë. Fjalimet e tij kanë gjithnjë një boshllëk kumbues, por ky i sotmi, i vendosur në një shesh ku më shumë se fitimtari, po promovohej trashëgimtari, dukej dhe më bosh. Jozefina Topalli nxinte. Ilir Rusmali, i fundmi që nuk ka honepsur dot kurrë boshllëkun e këtij kollovari, kish refuzuar tribunën, ndërsa të tjerët ishin thjesht duke marrë kthesën t’i përshtateshin dekorit të ri.
Sali Berisha bëri kujdes të mos thoshte asgjë, veç të falënderonte Bashën që i kish marrë mandatin Edi Ramës në Tiranë. Dukej se gjithë dasma ishte përgatitur për të treguar se Familja Berisha nuk do mbetet pa dhëndër në opozitë.
Por a do t’ia dalë Lulëzim Basha të jetë opozitari i ardhshëm afatgjatë i PD-së?
Besoj se do t’ia dalë të jetë opozitari i parë i socialistëve. Mënyra si ka qeverisur këto dy vjet në Tiranë, stanjacioni që ka prodhuar dhe së fundmi shkelja flagrante e ligjit duke mos lejuar as votëbesimin e kryetarit të Këshillit, e bëjnë atë ose një kryebashkiak që do të dorëhiqet, ose një kryebashkiak që do të shkarkohet pa ardhur vjeshta. I qartë për fatin e tij nën një qeveri socialiste, i braktisur nga LSI, paterica e vetme që i prodhoi legjitimitet të dyshimtë në fitoren e vjedhur të tij, Lulëzim Basha nuk ka asnjë shpresë jo vetëm të qëndrojë në krye të Bashkisë, por dhe ta fitojë ndonjë herë tjetër atë Bashki me këtë spektër politik. Shpëtimi i tij i vetëm është të jetë në krye të një opozite të re pas 23 qershorit, në një parti te bindur, të spastruar nga personalitetet dhe kundërshtarët dhe të mbushur me nëpunës të Shkëlzenit dhe Argitës.
Ai është sot i vetmi që përmbush standardin për të qenë kundërshtar i Edi Ramës, jo vetëm se ka bërë një betejë me të, por se është i vetmi mbi të cilin pushteti dhe drejtësia do të fokusojnë vëmendjen e tyre si objekt hetimi. Lulëzim Basha, ndryshe nga çdo drejtues tjetër i PD-së, është Ministri i Brendshëm i 21 janarit, që së bashku me Sali Berishën kanë përsipër katër të vrarë dhe një proces të dështuar gjykimi për vrasjet. Lulëzim Basha do të rritet si lider opozite bashkë me fëmijët e të vrarëve prej tyre para syve, dhe do të përfaqësojë më së miri antagonizmin e ri në politikën shqiptare, e cila nuk do të jetë më ajo mes ish- komunistëve dhe antikomunistëve, por mes një brezi politikanësh që do të konkurrojnë me të vrarët e tyre dhe jo të baballarëve të njëri- tjetrit. Lulëzim Basha përmbush kriterin themelor fatal që kanë pasur shumica e politikanëve shqiptarë, atë të vrasjes për të qenë peng i politikës.
Topalli, Rusmali, Olldashi, Bode dhe të tjerë, që do flaken një nga një në rrugë, nuk plotësojnë dot këtë kriter. Ata mund të jenë dëshmitarë të heshtur krimesh, por jo kriminelë, mund të jenë dëshmitarë korrupsioni, por jo të kapur duke vjedhur, mund të jenë shërbëtorë të heshtur të fëmijëve të Berishës, por jo ortakë me ta. Lulëzim Basha është kapur duke vrarë, duke vjedhur dhe duke u mbrojtur nga Familja Berisha. Nuk ka njeri tjetër më shumë se ai që meriton të marrë peshën e krimit dhe korrupsionit që ajo parti e trashëgon tashmë si hipotekën e vetme të saj.
Mitingu i çeljes së kësaj fushate elektorale nuk ishte një miting që kërkonte të shquante fitimtarin e zgjedhjeve, por një miting që kish bërë kujdes të shquante trashëgimtarin e partisë pas humbjes. Ai ishte risia e vetme e asaj feste të zymtë. Ah, po. Ishin dhe thirrjet Ka-qi, Ka-qi… Është fjala për Islamin.
Jozefina, ylli i venitur i PD-së
Opinion nga Xhevdet Shehu
Presioni i 23 qershorit ka filluar të davaritë retë në kampin blu. PD do humbë në 23 qershor, i përzgjedhuri i Berishës për vijimësinë në opozitë është Lulzim Basha. Ngjitja e tij e djeshme në tribunën e PD-së ishte mjaft domethënëse. Rivalja e Bashës, Jozefina Topalli duket se e ka të humbur përfundimisht betejën. Ajo mund të konsiderohet tashmë ylli i venitur i PD-së. E ardhmja e saj në këtë parti duket gjithnjë e më e zymtë. Pas 23 qershorit, kur ajo nuk do të jetë spikere e Parlamentit, ka të ngjarë që kundërshtarët e saj politikë ta quajnë as më shumë e as më pak, por një ‘zhele”, duke perifrazuar një shprehje famëkeqe të saj.
Duke kujtuar historitë e së kaluarës, Jozefina mund ta përfytyrojë veten si e përjashtuara e radhës dhe do t’i kujtohet ndoshta Konferenca e tmerrshme e Tiranës e vitit 1956. Mbase edhe Liri Belishova pas vitit 1960. Partia ku Jozefina bën pjesë ka ndjekur besnikërisht traditën e ish-Partisë së Punës dhe nxjerrë herë pas here ‘grupe armiqësore’ dhe ‘rrufjanë politikë’. Është më shumë një traditë shqiptare që nuk ka të bëjë me ngjyrat e kuqe, blu apo jeshile të partive.
Me humbjen e PD-së, zonjës Topalli do t’i largohen favoret që i ka gazuar pa kufizim, mbi të gjitha do të ketë pak ose aspak ndikim në partinë që e deshi aq shumë dhe për të cilën ushqeu ëndrra të mëdha. Në duelin herë të hapur dhe herë të fshehtë me klanet brenda partisë, Jozefina po del e humbur. Trishtimi i lexohej fare qartë edhe në paraqitjen e saj në mitingun e djeshëm të PD-së në kryeqytet. A do të ndjekë dhe ajo rrugën e të dëshpëruarve, të përjashtuarve dhe të vetëpërjashtuarve nga ajo parti, si fjala vjen Arben Imami, Neritan Ceka, Genc Ruli, Genc Pollo, Bamir Topi dhe deri tek Eduard Selami? Le të bëjmë ca durim e ta shikojmë pas ndonjë muaji… Sepse diçka e ka në mend Jozefina dhe për nga natyra që ka, ajo e shpreh atë që mendon.