A nuk zgjedh një parti më të mirët në përfaqësimet e saj politike?

0
23

Nga Rexhep Meidani15/09/2015

Partitë politike janë shfaqur në fund të shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII. Revolucioni industrial dhe avancimi i demokracisë, me ndërtimin gradual të kombeve të industrializuara, i dha hov përfshirjes masive qytetare dhe rolit në rritje të partive politike. Vetë struktura e sistemit partiak dhe organizimi brenda partive politike, në kuadër të shtetit komb, ka mishëruar në kohë nivelin e demokracisë, përfshirë dhe lidhjen konkrete parti-qeverisje.

Por, cili është misioni e objektivi i partive? Së pari, për të garantuar fuqi e ndikim, për të fituar në zgjedhje sa më shumë vende në Parlament (apo këshilla bashkiakë) për të drejtuar e kontrolluar qeverisjen; dhe, së dyti, për të luajtur rolin e opozitës, për të mbikëqyrur/kritikuar qeverinë (qendrore e vendore) apo për të zhvilluar alternativat e veta. Me gjithë vështirësitë e mëdha, një gjë e tillë është kuptuar relativisht mirë në Shqipërinë e tranzicionit.

PËR KUJTIM TË LEXUESIT

Rëndësia e partive politike. Ato janë vitale në funksionimin e demokracisë, sidomos në zhvillimin e garës elektorale, unifikimin e elektoratit, qartësimin e procesit demokratik për votuesit; transformimin e preferencave individuale në politika konkrete kolektive, garantimin e mekanizmave normalë për aktivitetin politik të opozitës etj.

Në thelbin e tyre, partitë politike janë të domosdoshme në formësimin e qeverisë, organizimin e saj, ndarjen e pushteteve, pjesëmarrjen e kontrollin qytetar mbi qeverisjen etj. Partitë politike janë thelbësore për demokracinë.

Pra, partitë janë organizime që synojnë pushtetin politik me anë të zgjedhjes apo emërimit të përfaqësuesve të vet në zyra të shtetit, mbi të gjitha për të shndërruar në politika publike vetë programin e filozofinë e partisë. Pra, ato janë hallka kryesore të sistemit qeverisës, duke kryer funksione vitale, edhe pse shfaqin aty-këtu ndërlikime e konflikte të brendshme, shpesh të ngurta.

Megjithatë, ato janë të afta për të kryer reforma me individë të veçantë në udhëheqjen qendrore, gjë që në Shqipëri ka ndodhur vetëm për kohë të shkurtra. Sidoqoftë, si në mjaft vende, edhe në Shqipëri, partitë politike pasqyrojnë shoqërinë shqiptare, pavarësisht pretendimin që ato rrënjëzojnë vetë procesin demokratik.

Çfarë bëjnë partitë për demokracinë? Disa detyra të tyre janë, p.sh., mobilizimi i mbështetjes e ndërtimi i koalicioneve; inkurajimi e ushqimi i qëndrueshmërisë në sistemin politik; garantimi i llogaridhënies për politikat publike; përzgjedhja, kandidimi e emërimi i individëve për zyra të ndryshme; ndërveprimi me votuesit, formulimi i politikave brenda një platforme partiake në nivel kombëtar ose vendor, etj.

Kurse funksione të tjera partiake janë: organizimi i garës brenda partisë për detyra institucionale në nivel qendror e lokal; unifikimi politik e programor, frymëzimi e informimi i votuesve; “përkthimi” apo shndërrimi i preferencave partiake në politika kryesore shtetërore; garantimi i opozitës, organizimi i qeverisjes e mbështetja e saj; kryerja e rolit mbikëqyrës e kontrollues; nominimi i kandidatëve e garantimi i cilësisë së tyre etj. Si është kryer ky funksion në PS-në e viteve të fundit?!

Kjo pyetje, që duket fare e thjeshtë, kërkon përgjigje të sinqertë e mbajtje konkrete përgjegjësie. Sistemi partiak. Në diktaturë, sistemi partiak është njëpartiak, në ndonjë rast dhe me parti satelite bashkëshoqëruese; ndërsa në kushte demokracie, sistemi partiak shfaqet si shumëpartiak ose dypartiak.

Në rastin e parë, si rasti ynë, më shpesh ndeshen qeveri koalicioni, ku marrin pjesë e përfitojnë edhe parti minore; vetë sistemi i përfaqësimi është (normalisht) proporcional dhe vetë qeverisja ndodhet nën trysni në lidhje me qëndrueshmërinë e saj. Në rastin e dytë, partia fituese i merr të gjitha; madje “sindroma e votës së humbur kot” i dëmton e dekurajon qartësisht partitë e vogla. Tani, qeveria është më e qëndrueshme dhe ndryshimi i politikave lidhet me të. Tipologji partiake.

Me anë të partive politike arrihet një organizim njerëzish, nëpërmjet të cilit, duke fituar e ushtruar pushtet politik, synohet që të realizohen qëllime të përbashkëta për anëtarësinë e partisë, por dhe qytetarët. Disa parti kanë një bërthamë ideologjike, disa jo; veçse kjo ideologji shpesh nuk është e njëjtë.

Pra, tipologjia partiake përcaktohet nga kriteret e organizimit, qëllimet politike e “filozofia” udhëheqëse, struktura e anëtarëve e funksioni politik. Sipas mënyrës së organizimit të partisë kemi, p.sh., parti elitash ose parti masash. Po ashtu, për partitë ideologjike, botëkuptimi, interesat e orientimi programor përcaktojnë synimet politike, ndërsa për partitë popullore struktura e anëtarëve merr vlerë të veçantë. Sipas rolit funksional mund të bëhet dallimi midis partisë – shtet dhe asaj demokratike.

Gjithashtu, tipi pragmatik ka orientim masiv, shfaq me shumë populizëm se lidhje ideologjike; parapëlqen më tepër një sukses politik se një frymëzim ideologjik-filozofik; ndërkohë tipi ideologjik mishëron e sintetizon një varg parimesh të shkruara e të deklaruara. Një kategori e tretë, është ajo që pasqyron interesa speciale dhe vetë organizimi realizohet rreth një interesi e çështje të veçantë.

Mbledhja e fondeve dhe shpenzimi i tyre. Një kontribut i parë është ai i anëtarëve (kuotat e tyre), fondet individuale apo ato të grupeve të interesit, në mbështetje të veprimtarive të ndryshme partiake.

Sot, në shumë vende, ky financim është e rregulluar mirë me ligj dhe u nënshtrohet rregullave të përcaktuara, në kushte zgjedhore ose jo zgjedhore, me një kontroll permanent nga zyra të veçanta. Në rastin e Shqipërisë, ky kontroll e vlerësim realizohet nga KQZ-ja që, nga ana e saj, e kryen atë thjesht në mënyrë formale, përgjithësisht pa ndikim e jehonë.

Struktura partiake. Një individ vullnetar apo i punësuar në parti, që kontribuon në krijimin, operimin e funksionimin e një partie politike quhet anëtar, militant ose aktivist, organizator partie ose punonjës partie.

Në krye të kësaj strukture janë kryetari (dhe/ose sekretari) i partisë, kryesia e partisë e formacione të tjera më përfshirëse (p.sh., komiteti drejtues, asambleja e këshilli kombëtar, krahas konferencës e kongresit të partisë).

Përgjithësisht, në vende demokratike vetë struktura partiake është e decentralizuar në respekt të ndarjes së pushteteve, ndërtimit shtetëror (unitar, federal), larmisë së interesave ekonomike (qendrore, rajonale e vendore) etj.

Kryetari i partisë në nivel qendror dhe ai në nivel lokal zgjidhen përkatësisht në kongresin kombëtar dhe konferencën vendore ose strukturat përkatëse të dala prej tyre; apo, akoma, me parimin “një anëtar, një votë”. Dy organizime të tjera, në funksion të partisë, janë ai i rinisë dhe ai i gruas.

Sidoqoftë, kjo që po komentohet më sipër vlen për një parti demokratike e liberale, por jo për një parti që funksionon si “makineri politike”. E tillë, demokratike e liberale ka qenë PS-ja vite më parë, ndërkohë që sot ajo shfaq mjaft elementë të një makineri politike.

PARTIA SI MAKINERI POLITIKE

Nuk mungojnë rastet, në demokraci të dobëta ose në regjime politike hibride, kur një parti politike (sidomos në qeverisje) sillet si makineri politike. Në këto raste, ajo shndërrohet ose shfaqet si një formë organizmi politik, ku një “bos” autoritar rrethohet nga një grup i ngushtë “besnikësh” (servilësh) rreth tij. Direkt e nëpërmjet tyre, apo punonjësve partiakë, ai komandon “trupën” e mbështetësve që “shpërblehen” për punën e tyre.

Pra, fuqia e kësaj makinerie nuk lidhet me lirinë në vendimmarrje të anëtarëve të partisë, por është e bazuar te bindja e heshtur dhe pompimi i autoritetit të bosit e ndihmësve të tij partiakë. Në vend të arsyetimit e argumentit, integritetit të individit, aftësisë e kapacitetit, më shpesh, si rrugë për të bindur elektoratin, sidomos për të mbledhur vota për kandidatët e partisë gjatë zgjedhjeve, është propaganda e shfrenuar, nxirja e kundërshtarit, premtimi bosh deri gënjeshtra.

Në përgjithësi, në makineri të tilla, brenda një vendi ose në vende të ndryshme, ndeshen po ato elementë të një hierarkie artificiale, deri false, përfshirë dhe shpërblimin brenda pushtetit politik të mbështetur nga kjo strukturë.

Po ashtu, në krye të saj vendoset një “lider” ose “bos” partiak me fuqi partiake të padiskutueshme! Arrihet deri aty sa të mos respektohet vetë statuti i partisë në zgjedhjen e tij, siç ka qenë rasti i PS-së, me kryetar në krye të saj, me një mandat të mbaruar dy vjet më parë.

Nga ana tjetër, në një makineri politike kryetari- bos komandon diku në mënyrë të drejtpërdrejtë, diku në një skemë patronazhi, diku dhe “prapa skenës”, por në çdo rast synon të krijojë, ndërtojë e ushqejë lidhje politike (politike – ekonomike) jo gjithmonë parimore, madje shpesh të dyshimta brenda strukturës e jashtë saj.

Krejt ndryshe nga detyra kryesore e një partie politike që, normalisht, duhet të ushqejë demokracinë përfaqësuese dhe jo pushtetin e kryetarit apo të grupit të vogël rreth tij. Akoma më e rrezikshme është kur një makineri e tillë funksionon në bazë permanente dhe jo thjesht e vetëm për zgjedhje politike e administrative.

Dhe, akoma më keq, kur ajo e zhyen dhe vetë përfaqësimin institucional të saj, p.sh., përfaqësimin parlamentar apo përfaqësimin (njëemëror e proporcional) në pushtetin vendor.

PS ËSHTË SOT, PARTI DEMOKRATIKE-LIBERALE APO MAKINERI POLITIKE?

Në Shqipërinë e tranzicionit, vite më parë, elementë të makinerisë politike janë ndeshur fillimisht në PD; kurse, vitet e fundit, elementë të makinerisë politike po evidentohen me intensitet në rritje në PS. Kështu, kësaj partie i janë imponuar përfaqësime jo vetëm të paafta e jocilësore (gjë që ndodh dhe në vende të tjera në përfaqësimin partiak, duke reflektuar më shpesh nivelin intelektual mesatar e poshtë tij), por dhe individë të padenjë e pa integritet, deri me rekorde kriminale, duke e fyer, kështu, pjesën dërmuese të elektoratit të saj.

Por, dhe duke e goditur keqas emrin e mirë të PS-së të viteve të tranzicionit! Në kushte të tilla, nisur nga një deformim i tillë iliberal e jo demokratik, por dhe nga një përfaqësim (parlamentar e vendor) me elementë me rekorde kriminale, termi i makinerisë politike merr dhe përmbajtje pezhorative e me ngjyrim përbuzës.

Aq më keq kur kjo makineri politike është dhe e korruptuar, jo thjesht autokratike e klienteliste. Pikërisht, kohët e fundit, një skenim i tillë i panjohur më parë ka tronditur mjedisin politik e qytetar shqiptar, por dhe miqtë tanë.

Prandaj, kërkohet një korrigjim jo thjesht e vetëm me procesin ligjor përkatës të dekriminalizimit institucional, por edhe duke rikonfiguruar e rifreskuar strukturat drejtuese të partive kryesore politike nëpërmjet zgjedhjeve të reja brenda tyre, pse jo dhe duke e pastruar me shpejtësi ndotjen e deritanishme, deri duke organizuar zgjedhje të reja parlamentare e zgjedhje të pjesshme vendore! Sidomos kur dëgjohen pohime të këtij lloji: nëse deputetët bëjnë atë që bëra unë, Parlamenti mbetet me 70 deputetë!…

CILI ËSHTË PËRGJEGJËS PËR KRIMINALIZIMIN E PËRFAQËSIMIT?

Sipas statutit të PS-së, nëse përzgjedhja do të realizohej nga anëtarët e partisë me anë të diskutimit e përzgjedhjes prej tyre në bazë (dhe më tej “kolaudim-votimit” në strukturat drejtuese të partisë) apo, akoma, me anë të zbatimit të parimit “një anëtar, një votë”, përgjegjësia kryesore do të ishte e vetë anëtarësisë së partisë.

Por, nuk ka ndodhur kështu, të paktën në dy proceset zgjedhore parlamentare të fundit apo në zgjedhjet e fundit vendore. Pavarësisht që është pretenduar një miratim nga kryesia e partisë si një strukturë vendimmarrëse në përputhje me statutin, në këto përzgjedhje kandidatësh, ndoshta me ndonjë përjashtim fare të rrallë, është imponuar plotësisht vullneti i kryetarit të partisë.

Pra, në shumicën e rasteve ka dominuar përzgjedhja dhe dëshira e tij, edhe kur ndonjë anëtar kryesie ka “protestuar” ose ka argumentuar të kundërtën. Në këtë kuptim, kryesia e partisë ka përgjegjësi statutore, madje disa anëtarë të saj, të “zellshëm” në heshtjen, servilizmin e nënshtrimin e tyre, duhet të japin dorëheqjen para skenimit ose ekspozimeve të fundit të panjohura më parë apo këtij shëmtimi përfaqësimi të PS-së në pushtetin qendror.

Sipas akuzave të opozitës, probleme të këtij lloji mund të ketë edhe në përfaqësimin vendor. Sidoqoftë, kjo është ana formale – statutore e përgjegjësisë; sepse përgjegjësinë e plotë politike e morale, në kushtet e një drejtimi unitar të partisë, në mungesë të kolegjialitetit e konsensusit në drejtim, e ka, në radhë të parë, vetë kryetari i partisë.

Aq më keq, në kushtet e një mandati të përfunduar që prej 2 vjetësh! Prandaj, e pakta është që duhet t’u kërkohet falje qytetarëve e anëtarësisë së PS-së, dhe e shumta që të dimensionohet pozicioni i kryetarit dhe i kryesisë së partisë! Këtë kërkon etika normale politike e qytetare në çdo vend të civilizuar të botës demokratike, të cilës synojmë t’i bashkohemi. /panorana/