A mund t’i besohet nacionalizmit të Berishës?

0
27

Shekulli, 05.02.2013

Prof. Dr. Myslim Pasha

– Nga ato që ka shfaqur Sali Berisha me rastin e ngërçit që iu krijua për 100 vjetorin e Mëvetësisë së Shqipërisë, nuk ka asnjë lloj rreziku që mund të pjellë “nacionalizmi” i tij. Përse vallë? Ngaqë ai u kujtua shumë vonë, e kërkund, askurrë nuk ishte ndjerë që të fliste apo të vepronte më parë. Kur themi “më parë” e kemi parasysh jo më shumë se nja dy muaj të tejmë, kur në troje shqiptare u dyndën në dritë të diellit agjentë dhe ndjekës së Doktrinës Vorioepirote dhe deputetë politikë të Agimit të Artë, klerikë orthodoksë, dhe ai, Berisha veçse mbante sehir dhe dërgonte policinë e tij për të ruajtur performancat vorioepirote. Pra në një ujdi të kthjellët sa nuk ka ku të vejë më. Po aq, në interes të fqinjëve ka qenë heshtja e tij ndaj të drejtave të shqiptarëve në luginën e Preshevës, po aq dhe Çështja Çame që ai as jep shenjë se do ta prekë diku.

Nuk mund të pranohet, se fjala e Berishës së Regjimit është e rëndë për fqinjin jugor teksa ai rrëfen një hartë etnografike dhe bërtet për gjeohapësira nga “ Presheva në Prevezë”, e të cilat janë jashtë kohe dhe hapësire, pra fjalë pa koordinata, fjalë fluturake, që nuk të fshikullojnë e as të kafshojnë. Këto fqinji jugor i kupton aq mirë, gati si në mënyrë të koduar. Ka një dëshmi tjetër që e bën Berishën ortak në këtë sofër antishqiptare. Marrëveshja e Detit e cila u mbrojt me fanatizëm nga ana e tij që e rrëfente atë një pjesëtar të shitjes së interesave kombëtare. Në cilin nacionalizëm ekstrem dhe të rrezikshëm mund të besohet kur firmos një Pakt të tillë dhe t’i dhurosh fqinjit nja 100 Shën Naum të Detit Territorial Shqiptar, duke hedhur poshtë historinë e etnisë dhe trashëgimisë sonë?

Hajde pra t’i besosh nacionalizmit të tij me revan të vonuar. Sa i përket leksioneve që ka filluar të mbajë, ato janë një shëmbëllim i keq i argumenteve historikë që më shumë nuk i bën për të bindur të huajt por më shumë e ka tek elektorati i tij për t’i thënë se “mua m’u dogj xhani për Çështjen Kombëtare”. Kodi mashtrues i Berishës në kumtesën e tij për sigurinë ishte një lloj vijimësie e asaj që ai artikuloi në fundin e vitit të kaluar, por kësaj radhe, pas një fraze ‘Sigurie’, hodhi pelerinën e BE- për ta lënë Çështjen Kombëtare në kalendat greke. Berishën mund ta pyesnin në Mynih, për shtetet kombe, sa për ta ngacmuar, dhe ai sigurisht do t’i thahej pështyma teksa u ankua për shqiptarët të ndarë në pesë shtete, për të krijuar “pesë kombe të tjerë”.

Kakofonia që ai zgjoi nga një vesh u hyri dhe nga veshi tjetër u doli ballkanasve, të cilët e kuptuan se do të duhet një axhendë evropiane e ndjekur në secilin hap, që të mund të dalësh në hullinë e bashkimit kombëtar, që në të vërtetë nuk përbën asnjë rrezik për Ballkanin dhe Europën. E themi këtë se askujt në botën moderne nuk mund t’i mbyllet goja, kur kanë ngelur probleme të cilat ende nuk janë zgjidhur dhe që kërkojnë zgjidhje në një moment të favorshëm.

Në fakt vetëm duke folur, realizohet ajo që tanimë njihet se “kombet nuk dhurohen por krijohen”. Kuptohet se në rastin e kombit shqiptar, kjo është shumë komplekse dhe veçanërisht e vështirë. Harta e Ballkanit, duhet treguar dhe duhet parë për kufijtë e tragjedisë së një kombi. Po ama, jo për të luajtur me ndjenjat e shqiptarëve kudo që janë. Ndër skuta të errëta të fshehjes dhe të kyçjes në arkëza kufijsh të tjerë, diskursi i dështimit politik të Sali Berishës, doli në shesh në një periudhë të krizës së tij dhe të sistemit që është munduar të ndërtojë në Shqipëri.

Arkivi i shitjes së interesave të shqiptarëve, edhe në kohët moderne, amalgama e ideve vrastare të të Mëdhenjve që e copëtuan kombin shqiptar, duke i lënë në gardhe të kopshteve ndarës, e gjeti atë mëngjes të 100 vjetorit të Mëvetësisë që të shpëtonte lëkurën e tij prej dështimit të madh të demokracisë së përmbysur. Ndërkaq në kulm të krizës i jep mundësi të marrë në dorë armën rezervë të fshehur në kamaret e shitjes dhe shpërfilljes së interesave kombëtare. Ai është aq larg këtyre interesave sa ç’janë edhe fqinjët.

Ndërkaq Berisha e ka një paralele tjetër; të shesë pasurinë kombëtare, burimet e mëdha jetësore të shqiptarëve, koncesione për Mbidheun dhe Nëndheun, për Detin dhe Tokën që janë tanimë dëshmi marrëveshjesh dhe koncesionesh antishqiptare, si në asnjë kohë tjetër. Llogaritë e tij, janë edhe ato të fqinjëve që në Albanofobinë e vërtetë kanë synuar që pjesën e mbetur të Shqipërisë ta rrethojnë në një parcelë që mban jo më shumë se 2.5 milionë shqiptarë, aq sa e nxori në Censusin.

Ata ia arritën qëllimit të tyre, kur Shqipëria Amë është e kufizuar në limitin e saj që të mos u krijojë fqinjëve fobi. Dhe ju e dalloni mashtrimin e tij, se kështu duhet aty në mes të Europës që “ mishi të piqet dhe helli i Berishës të mos digjet”. Pra që gjithçka do të realizohet në BE “ku kufijtë do të treten e s’do të duhen më”. “Këndon këngën e karagjozit ky Berisha i Regjimit” që të gajasë europianë e shqiptarë që çaplejnë sytë tek e dëgjojnë korbin që ia bën “krrau” në Mynih. Krrokama e korbit më shumë kërcënon kombin shqiptar sesa Ballkanin nga ky nacionalizëm i shpifur berishian.