A mund të vazhdohet kështu?

2
44

— nga REXHEP MEIDANI, 02 Shtator 2010

Nënvlerësimi apo nënçmimi i gjërave të vogla në veprimtari, plane, skema e shqyrtime konkrete mund të çojë në situata shqetësuese, deri në gabime e dëme serioze të mëvonshme. Këtë ide mishëron shprehja “djalli është në detaje”. Në kushtet e sotme, relativisht kritike, duket sikur kjo shprehje e ilustron jo keq konceptin e derisotëm të shtetit social apo sistemin e mirëqenies sociale, në realizimin praktik të së cilit shteti merr përsipër përgjegjësi kryesore për mirëqenien e qytetarëve në çështje të shëndetit, edukimit, punësimit… rendit e sigurisë sociale. Ndryshe, ai quhet dhe etatizëm social.

Etatizmi social
Etatizmi social nënkupton një qeverisje, ku shteti luan një rol kryesor në promovimin e mirëqenies ekonomike e sociale të qytetarëve të saj, në mbrojtjen e tyre. Ndër parimet bazë të tij, në variante të ndryshme të organizimit ekonomik dhe social, janë: barazia e mundësive, shpërndarja sa më e drejtë e pasurisë, një përgjegjësi publike për individët me mundësi të kufizuara. Një tipar bazë i shtetit social janë sigurimet (shoqërore, shëndetësore) për të garantuar mbështetjen e nevojshme në periudha të vështira (p.sh., në moshë të thyer, për ndërhyrje kirurgjikale, në trajtimin e sëmundjeve kronike, në kushte papunësie,etj.).

Krahas aspektit të drejtpërdrejtë, aspekt tjetër i rëndësishëm i shtetit social janë edhe shërbimet publike si: edukimi, kujdesi shëndetësor e strehimi. Niveli i tyre ndryshon nga vendi në vend. P.sh., Britania e Madhe adoptoi më 1948 një sistem të gjithanshëm sigurimesh shoqërore. Në SHBA, duke u mbështetur në parimet e shtetit social, u miratuan programe social-legjislative të tilla si: “New Deal” (një paketë reformash në administratën e Ruzveltit, të miratuar nga Kongresi në mandatin e parë të tij si President) apo “Fair Deal” (një program 21 pikash për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale i propozuar, më 1945 nga Presidenti Truman; ai mori pamjen e një pakete legjislative, më 1948). Në vendet skandinave ndihma e shtetit për individin përfshin pothuajse të gjitha fazat e jetës së tij; kurse, në vendet me ekonomi të planifikuar dhe të përqendruar, shteti gjoja social arrin deri aty sa të mbulojë “administrimin” e çmimeve të konsumit!…
“Kundërshti” të brendshme të etatizmit social
Një çështje bazë është barazia e shanseve të individit për të përmirësuar statusin e tij ekonomik. Këtë detyrë në shtetin social e ka qeverisja së bashku me agjencitë e ndryshme të saj, aq më tepër që “barazia e shanseve” shfaq si anën nxitëse (progresiste), ashtu dhe atë penguese (etatiste). Madje, ajo, si një krijesë politike, tenton ta thyejë “realitetin” konkret, veçse thyerje të tilla mund të shoqërohen edhe me padrejtësi. Sepse në thelbin e vet, rezultati logjik i një zbatimi etatist të parimit të “shanseve të barabarta” është njëlloj padrejtësie dhe diskriminimi – si ndaj atyre që janë të aftë dhe të talentuar, ashtu edhe ndaj atyre, që shfaqin mundësi shumë më të pakta fizike e mendore.
Edhe shpërndarja e njëjtë e pasurisë (të ardhurave) lidhet me një agjenci të fuqishme, siç është Qeveria. Është ajo që ka forcën ekzekutive dhe përgjegjësinë e përkujdesjes ndaj më të dobëtëve dhe invalidëve, në kurriz të anëtarëve produktivë të shoqërisë, “skllavërimit” të këtyre të fundit. Pra, Qeveria i rrëmben (i “vjedh”) diçka qytetarit produktiv për t’ia kaluar “nevojtarit”, për të ndihmuar e shërbyer në mirëqenien e individit të papunë, të paaftë, të sëmurë apo invalid.
Po ashtu, përgjegjësia publike ndaj atyre që janë të paaftë të sigurojnë minimumin e kushteve për jetë normale është në vete njëfarë “mishërim skllavërimi” prej njërit-tjetrit. Pra, duke qenë në komunitet, qytetarët e kanë detyrim e përgjegjësi që të lidhen midis tyre, të interesohen dhe shqetësohen për njëri-tjetrin. Por, cili e përcakton këtë “përgjegjësi publike”? Si zhvillohet e aplikohet ky mishërim i ndërsjellë përgjegjësie, ky “sakrifikim”, më tepër ligjor se moral, më pak vullnetar se i detyruar, një “dhurim” nga puna e jeta e një grupi, nga djersa dhe mendja e pjesëtarëve të tij ndaj të tjerëve, më të moshuarve, të dobëtëve, të paaftëve apo invalidëve?

Dy “nevoja” të ndryshme.
Në fakt, përtej konceptit të shtetit social, vetë morali i tij është altruizëm, që nënkupton një shqetësim e përkujdesje vetjake mbi mirëqenien e të tjerëve. Aq më tepër që, në njëfarë kuptimi, një akt quhet moral kur mishëron një sakrificë tonën për të tjerët, ndërsa një veprim mund të klasifikohet deri imoral kur i shërben vetëm interesit të ngushtë vetjak në kurriz të të tjerëve. Nisur nga thelbi i gabuar i konceptit të shtetit të mirëqenies sociale, një filozofe amerikane, Ayn Rand, midis të tjerash, sqaron: “Në pikëpamje morale e ekonomike, shteti social përshpejton mundësinë e një tërheqjeje për nga poshtë.

Moralisht, shansi për të kënaqur me forcë kërkesat i bën ato gjithnjë e më të mëdha, madje me më pak mundësi justifikimi. Në pikëpamje ekonomike, kërkesat e sforcuara të një grupi krijojnë bezdi ndaj grupeve të tjera, duke prodhuar kështu një përzierje të pandashme midis viktimave të momentit dhe parazitëve të qartë të tyre”. Natyrisht, një konceptim i tillë është i ashpër dhe aspak njerëzor. Aq më tepër kur kërkohet të justifikohet “shpërblimi” i sakrifikimit të një grupi prej një tjetri, i kontributit të një moshe për një tjetër, të zhvendosjes së “zinxhirëve” ekonomikë të sotëm dhe të djeshëm për ato të ardhshëm.

Veçse nuk duhet harruar se ekzistojnë “dy lloje nevojash të përfshira në këtë proces: nevoja e grupit që bën hapur kërkesën e tij dhe ajo që shërben si mbulesë për diçka, një nevojë e fshehtë, e papërmendur në mënyrë eksplicite. Me të lidhet edhe nevoja e politikanëve (“fuqi-kërkuesve”) që, për të realizuar ambiciet e tyre, për të ruajtur apo marrë pushtetin, lobojnë për grupin që do të favorizohet. Altruizmi ushqen nevojën e parë, etatizmi ushqen të dytën. Pragmatizmi verbon cilindo – përfshirë viktimat dhe përfituesit – jo thjesht për natyrën fatale të procesit, por për faktin e vazhdimit të tij”…
Aktualisht duket sikur Amerika, si shoqëria e parë e lirë në botë, me garantim të të drejtave njerëzore fondamentale (të së drejtës së jetës, lirisë, fesë, pronës, lirisë së fjalës, të të drejtave të barabarta ndaj ligjit dhe procesit të drejtë gjyqësor, etj.) po synon të përfaqësojë një nivel më të lartë të etatizmit social. Madje, gjatë presidencës Obama, në një periudhë të shkurtër kohe janë miratuar një mori politikash e programesh tipike të shtetit të mirëqenies sociale. Midis tyre vlejnë të radhiten p.sh.: plani “bailout”, i bazuar në parimin “tepër i madh për të falimentuar”, paketat stimuluese në ruajtje të vendeve të punës, në “shërim” të kompanive të sëmura, apo programi i funksionimit të një sistemi universal të përkujdesjes shëndetësore…
Problemi i vetëm për paketa të tilla mbetet pagesa e tyre.

A dhe si mund të përballohen ato për një shtrirje të gjatë kohe? Dhe ndërkohë, Europa, që po synon të ecë në drejtim të kundërt, vazhdon të paguajë sot çmimin ende të lartë të etatizmit apo “socializmit” të tepruar të saj. Teprime të tilla po vuajnë aktualisht, p.sh., Greqia, Portugalia e Hungaria, ku borxhet publike në rritje po kërcënojnë vetë ekzistencën e euros. Mesa duket bota po fillon ta shohë në sy të keqen e sistemit etatist të mirëqenies sociale, madje edhe vendet anëtare të BE-së nuk mund të luajnë më rolin e tyre të mëparshëm në plotësimin e të gjitha nevojave sociale të popujve të tyre.
A mund të konsiderohet më si i suksesshëm modeli europian i shtetit social? Disa shembuj.
Le të fillojmë me Francën. Ajo, midis vendeve europiane, është konsideruar si vendi me sistemin më të përsosur të mirëqenies sociale. Por nga ana tjetër, Franca po përballet me një borxh kombëtar të afro 1.49 trilionë euro (afro 77% të GDP-së të saj). Këtu nuk llogariten detyrimet e pritshme të sistemit shtetëror të pensioneve, që mund të kalojnë shifrën e 200% të GDP-së.

Prej kohësh të reformuarit e sistemit të mirëqenies sociale është konsideruar politikisht i pamundur, por faktet fiskale kanë detyruar Qeverinë franceze dhe Presidentin Sarkozi (Nicolas Sarkozy), që të propozojnë rritjen e moshës së pensionit, që ndeshet me reagime të ashpra sindikaliste. Po ashtu, Qeveria po shet pronat e veta, përfshirë edhe sipërfaqe toke. Edhe në sistemin shëndetësor po rritet gradualisht bashkëpagesa apo forma të tjera të përballimit të shpenzimeve.
Në rastin e Gjermanisë, borxhi publik në vitin 2009 arriti në 77.2% i GDP-së apo afro 1.7 trilionë euro. E thënë ndryshe, në supet e një gjermani që punon, rëndon një borxh prej afro 43,000 euro. Në kushte të tilla, Qeveria gjermane e Merkelit (Angela Merkel) shpalli planin e saj të uljes së shpenzimeve qeveritare me afro 80 miliardë euro, apo afro 3% e GDP-së për katër vitet e ardhshme. Kështu, ndër masat e tjera ishte ngritja e moshës së pensionit nga 65 në 67, futja e një tarife pagese për shkollimin në universitetet gjermane, etj.
Në Britaninë e Madhe borxhi kombëtar ka arritur në 90,000 paund ($133,000) për familje. Në kushte të tilla, Qeveria e Kryeministrit Kamerun (David Cameron) ka deklaruar një shkurtim buxheti prej 6 miliardë paund. Ndër masat e tjera të saj janë rritja e moshës së pensionit në sistemin e saj të sigurimeve shoqërore, heqja e pagesës për fëmijët e sapolindur, etj.
Në Itali, Qeveria italiane u detyrua të ndërhynte për uljen e borxhit kombëtar, që e ka kaluar tashmë GDP. Kryeministri Berluskoni (Silvio Berlusconi) ka propozuar një shkurtim buxheti prej mbi 30 miliardë euro për dy vitet pasuese, përfshirë edhe një shkurtim prej 1 miliard euro në sistemin shëndetësor kombëtar, apo një “represion” në pagesat abuzive të invaliditetit. Ndër propozimet e Berluskonit është edhe një “ngrirje” rrogash e të gjithë punonjësve publikë.
Spanja po përballet me krizën më të rëndë në dekadat e fundit. Qeveria e saj me Kryeministër Zapateron (Jose Luis Rodiguez-Zapatero) i ka zvogëluar shpenzimet qeveritare. Janë hequr shtesat ndaj prindërve për lindjen e fëmijëve, janë shkurtuar pagesat e invaliditetit, apo është propozuar rritja e moshës së pensionit për burrat nga 65 në 67 vjeç.
Pra, me të gjithë këta shembuj, a mund të konsiderohet më si i suksesshëm modeli europian i shtetit social?!…
Pamje të shtetit të mirëqenies sociale
Ndeshen pamje të ndryshme të shtetit të mirëqenies sociale. Ecuria e tyre lidhet ngushtë me transferimin e të ardhurave, me programet publike në zonën e shëndetit, edukimit e trajnimit (përfshirë edhe atë të tregut të punës) apo shërbimet sociale (përfshirë asistencën, strehimin, etj.) Prej tyre mund të veçohen 3 modele: ai liberal, i mbështetur në taksa; ai korporatist, në të cilin përfshihet kontributi i të punësuarit dhe i punëdhënësit, në mungesë të ndonjë mbulese universale; dhe së fundi, ai social-demokrat, që ka një mbulesë universale dhe mbështetet në një kontratë cilësore.

Sidoqoftë, shteti i mirëqenies sociale, kudo në botë, pavarësisht tipit konkret, po përballet me një situatë kritike, shumë më të dukshme gjatë krizës globale. Në kushte të tilla janë të mundshme dy rrugë: a) axhustimi (duke e ruajtur shtetin social), apo b) heqja dorë prej tij në kuptimin fondamental të vetin. Shumë më afër këtij varianti të dytë është Shqipëria, por nuk është vetëm ajo! “Shteti i mirëqenies” në shumë vende, si në Shqipëri, po dështon në qëndrueshmërinë e tij. Natyrisht, ai ka pasur meritat e tij, duke arritur qëllime të rëndësishme, por ama sot ai mbetet tepër i kushtueshëm për mjaft nga këto vende. Dhe jo vetëm për to!…

Presionet fiskale
Mirëqenien sociale, krahas korrupsionit, në situata krize (krizë fiskale, krizë globale financiare) e “asfiksojnë” mjaft faktorë, ndër të cilët janë: rritja e moshës mesatare të popullsisë, niveli i lartë i papunësisë, daljet më të shpejta në pension, etj. P.sh., zvogëlimi në vite i forcave të afta për punë e bën gjithnjë më problematike mbështetjen e skemave të pensionit. Në fakt, ngaqë popullsia në moshë pune duhet të mbështesë pjesën e njerëzve në pension apo gjeneratën jo në moshë pune, ajo duhet të jetë ekonomikisht sa më aktive dhe e arsyeshme në kërkesat e saj për pagën dhe rritjen e saj.

Aq më e vështirë bëhet zgjidhja kur përqindja e të papunëve bëhet shqetësuese, siç është ende rasti shqiptar. Prandaj, një synim i rëndësishëm për çdo qeveri, të majtë apo të djathtë, është mbajtja e një niveli sa më të ulët papunësie. Përndryshe kostot rezultojnë dyfishe: të papunët thithin burime të konsiderueshme nga sistemi social dhe nga ana tjetër, ata nuk janë të aftë të kontribuojnë më për mbështetjen e moshës në pension, që jeton tashmë në një kohë shumë më të gjatë. Ky është dhe vetë thelbi i krizës fiskale, apo “gjëegjëza” e shtetit të mirëqenies sociale. Ashtu si në vende të tjera, ky është dhe “ngërçi” shqiptar!…

Kriza fiskale kapërcehet
Për shumë specialistë, shteti i mirëqenies sociale është në kolaps, nga vetë pesha e “rëndë” e tij. Prandaj, duhen reduktuar kostot e këtij sistemi pa prekur kapacitetet asistenciale të tij. Këtij qëllimi i shërben edhe diferencimi i kostove të përbërëseve të ndryshme të mirëqenies, sipas moshave. Duhet, p.sh., me moshën e re, të lidhet bërthama e shpenzimeve të edukimit, më shumë shpenzime të shëndetit të orientohen tek lindjet apo vitet e para pas lindjes, për vetë moshën e tretë, etj. Po ashtu, vlen të dimensionohet ajo pjesë e të ardhurave që u transferohet skemave të pensioneve, madje pa një zhvillim të shpejtë të skemave private, skemat publike do të jenë të pamjaftueshme, deri me rreziqe të brendshme “piramidale”…
Pra, kudo në botë, nisur nga struktura e popullsisë së këtij shekulli, ritmet e rritjes së fondeve për kostot e ndryshme të asistencës apo mirëqenies sociale po bëhen të papërballueshme. Kështu, p.sh., fondet sociale në Britani përfaqësonin 25% të GDP-së në vitin 1981, ndërsa pas ndryshimeve reduktuese, në vitin 1989, u arrit deri në 22% të GDP-së. Ndërkohë, sipas llogaritjeve, mendohet se nevojitet një rritje prej 5% për të mbështetur sistemin britanik të mirëqenies sociale për një kohë 40-50 vjeçare (që nënkupton një zhvendosje të kostos totale për nga vlera 30% të GDP-së).

Kjo mund të rezultojë e papërballueshme nga ana fiskale. Aq më keq, për kosto më të larta! Krahas këtij fakti, ekzistojnë edhe hapësira të tjera problematike, bile edhe kur përbërëset e mirëqenies sociale (si sigurimi shëndetësor, pensioni, asistenca sociale) janë të arritshme nga ana fiskale. Të tilla janë ato që lidhen me kohezionin apo kapitalin social dhe efektet afatgjata të tij. Ato, të lëna krejt jashtë vëmendjes gjatë tranzicionit shqiptar, po bëhen dita-ditës gjithnjë e më shqetësuese…

Sistemi social i mirëqenies nuk është zgjidhje, por problem!
Por pavarësisht shqetësimeve të mësipërme globale apo shqiptare, nuk mund të mohohet se sistemi i mirëqenies sociale është në krizë edhe në një rrafsh konceptor. Ai po rezulton zhgënjyes, duke vazhduar të ushqejë gabimisht njerëzit në pritshmëritë e tyre të tepruara (si të drejta të fituara apo detyrime të shtetit ndaj tyre). Edhe sikur të zgjidhet problemi i krizës fiskale, elementë të tillë si sigurimi shëndetësor, pensionimi, asistenca etj., në kuadër të mirëqenies sociale, kanë nevojë për reforma tërësore dhe të thella.

Por, nga ana tjetër, reforma të tilla kanë pak shanse që të jenë të suksesshme, sepse çdo prekje e themelit të këtij lloj shteti asistence (të mirëqenies sociale) është politikisht e papranueshme në mjaft vende. Imagjinoni p.sh., sherrin që do të “plaste” menjëherë kudo në Europë! Megjithatë, ky lloj shteti duhet të reformohet. Bile, për partizanët e “zhdukjes” së tij, pretendohet se standardi i jetës dhe cilësia e saj janë përmirësuar aq shumë në dekadat e fundit, sa që nuk ekziston më një varfëri “këmbëngulëse” për ta ruajtur këtë sistem social (për më tepër që një pjesë dërmuese e taksave të mbledhura për të ushqyer shtetin e mirëqenies sociale riciklohet e kthehet tek njerëzit prej të cilëve është marrë!). Kjo vlen të konsiderohet edhe në terma të solidaritetit, që nuk mund të përftohet nëpërmjet asistencës…
Globalizimi dhe një shoqëri e ndryshme pas disa dekadash
Nuk është vetëm kriza fiskale kryesore. Siç u konstatua vitet e fundit, çdo krizë merr tipare shumë më fondamentale në kushte globale. Ata lidhen me natyrën e “shtetit”, pra dhe me shtetin e mirëqenies sociale. Dhe, me të vërtetë, institucionet gradualisht janë ndryshuar, partitë politike po bëhen më pak masive, duke u dhënë hapësirë grupeve civile jopartiake apo të orientuara për nga konsumatori. Bile, krejt ndryshe nga “pompa” partiake shqiptare! Po ashtu, një problem bashkëshoqërues i globalizimit është homogjenizimi, ndërkohë që vetë shoqëria njerëzore “parapëlqen” pluralizmin, shumëllojshmërinë.

Kjo shpjegon variacionin në familje, grupe e komunitete, aq sa homogjeniteti i qartë i shoqërive kombëtare të pasluftës po zëvendësohet në vazhdimësi nga heterogjeniteti. Për këtë kanë ndikuar faktorë të tillë si: emigracioni, ndërfaqja apo tejkalimi i feve tradicionale, pluraliteti i institucioneve nga familja deri punësimi, etj.
Edhe natyra e shtetit nuk ka qenë imune prej ndryshimit, përfshirë cilësitë e kapacitetet e tij, eficiencën e përgjegjësinë në llogaridhënie; bile synimi i garantimit të një shoqërie më njerëzore ka fuqizuar shoqërinë civile, ku shteti luan një rol shumë më të reduktuar. Për më tepër, globalizimi si proces e ka reduktuar ndikimin e shtetit. Shkurt: ai nuk mund të qeverisë si më parë! Kjo edhe për faktin që politikat nacionale kushtëzohen nga qeverisja globale, institucionet e saj. Rrjedhjet e kapitaleve, mallrave, njerëzve e ideve, telekomunikimi, informimi e media, nuk janë më si më parë.

Madje, në shumicën e rasteve qëndrojnë jashtë kontrollit të shtetit e kufizimeve të qeverisjes kombëtare, duke prekur vetë nocionin e sovranitetit. Parë me këtë sy, bëhet i domosdoshëm riorganizimi i shërbimit shëndetësor, arsimor e mjedisor, menaxhimi i skemave të pensioneve në binomin publik-privat, thjeshtësimi i kostove jofunksionale të asistencës sociale apo, në përgjithësi, ristrukturimi i qeverisjes, bile në mjaft raste del e domosdoshme shtrirja e saj tej kombëtare në fushën sociale.

Sidoqoftë, në thelb, mjaft vështirësi të sotme flasin për një krizë të shtetit të mirëqenies sociale. Pavarësisht “zbukurimeve demagogjike”, kriza e këtij sistemi është dhe rezultat i një numri faktorësh, midis të cilëve një vend të parë ka edhe humbja e besimit ndaj institucioneve politike kombëtare. Nuk mund të lihet mënjanë korrupsioni në rritje, përfshirë edhe abuzimet e shpenzimet e pajustifikueshme në shërbimet sociale. Ndoshta, një rrugëdalje mbetet transmetimi i mëtejshëm i shërbimeve të ndryshme në nivel vendor, që do të thotë se duhet të shpaloset, në teori e praktikë, devolucioni e decentralizimi, nga njëra anë dhe agjentifikimi e privatizimi, nga ana tjetër.

Aq më tepër që vetë lokalizimi e globalizimi po e “dobësojnë” dhe e asfiksojnë shtetin, nëpërmjet “të menduarit në mënyrë globale, dhe të vepruarit në mënyrë lokale”, nëpërmjet një trysnie në rritje mbi shtetin kombëtar. Por, ky thelb: mendimi global e veprimi lokal është larg të kuptuarit në terrenin shqiptar, ku gjithçka tranziton nga një podium politik në tjetrin, duke e zhyer gjithnjë e më thellë mjedisin shqiptar me “lojën e kungulleshës”, të vaditur me ujë blu ose rozë!…

2 COMMENTS

  1. A MUND TE VAZHDOHET KESHTU?
    Kesaj pyetjeje autori, pasi i ka qare hallin qeverive te Anglise, Frances, Gjermanise, Italise dhe Spanjes, te cilat kane hyre ne borxhe per te mbajtur ne nivele te larta mireqenien e popullit te tyre, i kerkon dhe i sugjeron qeverise shqiptare qe per te ulur borxhin ajo duhet te uli shpenzimet qe bene per te dobetit, te varferit, te semuret, arsimtaret, pensionet, e te tjera.

    Sepse sistemi i mireqenies sociale ka dale, sipas tij pa sukses ne Europe; prandaj ose duhet ta axhustojme ose duhet ta heqim qafet, duke qene se sistemi i mireqenies sociale, sipas tij, nuk eshte nje zgjidhje per qeverine por nje problem.

    Per ta shpetuar qeverine nga ky problem e zhdukim ate, keshtu qe te varferit, te papunet, te semuret, arsimtaret, pensionistet, sipas tij, le te vdesin dhe te mos na fusin qeverine ne borxhe, siç e kane futur ne vende te tjera.

    Keshtu qe qeverite e Europes le te marin shembull nga Shqiperia: Jo ne te shkojme ne Europe, por Europa te vije tek neve.
    Leksionet profesori i jep ne nje nga sallat e presidences shqiptare.

    Ftohen te gjithe kryetaret e qeverive te Europes dhe kush ka nevoje qe te marin pjese ne keto keshilla anti-borxh qeveritar.
    Te ardhurat qe do te vijne nga leksionet, sepse s’ka gratis, do te perdoren per rritjen e e pensioneve te:
    – ish presidentave
    – ish kryeministrave
    – ish deputeteve
    – ish kryetareve te partive
    – ish ministrve
    – dhe gjithe isheve qe kane qene te pakten njehere ne pushtet.

    Pas bombes se pare te leshuar nga E. Rama ne maj 2010, kunder festes se 1 Majit, kjo eshte e dyta, e leshuar kunder popullit nga lideret e se majtes.
    Shume pyetje dalin pas ketij artikulli, por pyetjet le t’i bejne studjeuesit e filozofise politike.

  2. Meqenese ne keto ore qe kane kaluar nuk kam pare asnje koment per kete artikull, jam i detyruar te beje keto pyetje:
    1-Cfare fshihet pas ketij artikulli?
    2-Cila eshte arsyeja qe nje artikull te tille, kunder te dobteve, te varferve del nga pena e nje lideri te se majtes?
    3-Cfare eshte duke ndodhur me te majten shqiptare?
    4-Ndoshta profesori eshte duke mbrojtur ndonje teme disertacioni ne filozofine politike, dhe per kete arsye duhet te beje “autogol” ?
    5- 45 vjete me radhe e majta shqiptare e mbajti popullin ne skajin e varferise. Mos duhet perseri te “hame bar” qe te ulim borxhin e qeverise?
    6-Mos valle e majta shqiptare po pergatitet perseri per nje “Marshim ne Rome”, si e majta italiane ne shekullin e kaluar?
    7-Kunder nje populli te sfilitur, si i yni, ku e gjen kurajon autori te shkruaj dhe te propozoje ne kete menyre?
    8- Problemi eshte borxhi i qeverise, zgjidhja jane: masat, programet, investimet qe do te behen. Perse athere kerkohet nje mase kaq drastike?
    9- Ne çdo vend te botes nje artikull i tille do te merej per regresiv, tek ne qetesi?

    Hungarezi Gyorgy Schòpflin ne artikullin e tij “Ja perse duhen korrigjuar teprimet e Merkatizmit” trajton te njejtat probleme, por nuk del me deklarata kunder te varfererve të popullit te tij.

    Ai thote se Shteti perballet me dy rreziqe:
    – E para, qe neqoftese Shteti largohet shume nga Shoqeria, i lejon nenshtetasit “e forte” qe te ushtrojne nje pushtet te tepruar, gje qe po ndodh ne Hungari ne keto 20 vitet e fundit.
    – E dyta, neqoftese Shteti fiton liri te tepruar veprimi, mund te marri nje pushtet te pakufizuar mbi shoqerine.
    Megjithate, thote ai, sistemimi, rregullimi i fuqive te Shtetit ne fushen e politikes ekonomike nuk eshte pa rreziqe.

    10-Perse avokatin e qeverise eshte duke e bere autori?
    11-Mos eshte duke u pergatitur per te marre ndonje rol te ri? Dhe per çfare i sherben ky artikull?
    Mund te vazhdoja gjithe naten duke bere pyetje, por dua t’i kujtoj autorit qe:
    – Me qeverise nuk eshte e barabarte me komandoj.

    Me qeverise – nga greqishtja – KYBERNAN PROPRIAM – ME DREJTU NJE ANIJE.
    Dhe metaforikishte: Te mbash timonin e Shtetit dhe ne periudhen ndermjet zgjedhjeve politike t’i sigurosh popullit:
    – Siguri me te madhe,
    – Mireqenien me te mundeshme.

    John Rawis, filozof amerikan, thote: “Nje burre shteti duhet te jete i ngjashem me ligjet, qe jane percjelle ne ekzekutim jo nga inati, por nga drejtesia.”

Comments are closed.