A mund të frenojnë gratë e autokratëve burrat e tyre?

1
29

Asma Al Assad është kritikuar se mbështet burrin e saj, presidentin e Sirisë, Bashar Al Assad, ndërkohë që ai po bombardon qytetin e saj të lindjes, Homs. Por a kanë mundësi gratë e autokratëve të frenojnë burrat e tyre?

Nga Tom Geoghegan, BBC, 8 Shkurt 2012

Ndërhyrjen e parë publike që pas nisjes së trazirave në Siri, 36 vjeçarja e lindur në Britani, Asma Al Assad, e bëri me një email dërguar gazetës Times në Londër.

Aty shprehte mbështetje për të shoqin, presidentin, ndërsa theksonte se po ngushëllonte viktimat e dhunës.

Përllogaritet nga grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët se më shumë se 7 mijë njerëz – 2 mijë anëtarë të forcave të sigurisë dhe 5 mijë të tjerë – janë vrarë që pas nisjes së trazirave dhe mbështetësit e opozitës në Siri menjëherë e kanë akuzuar zonjën Assad për hipokrizi.

Por qëndrimi i saj nuk është surprizë, thotë Rime Allaf, një studiues në Chatham House, një think-tank për çështjet e jashtme me qendër në Londër.

“Edhe nëse thellë- thellë ajo nuk është e lumtur me atë që po ndodh, ajo nuk do jetë në gjendje të bëjë asgjë”.

Por ka pasur shembuj kur gratë janë ngritur kundër bashkëshortëve autoritaristë.

Në fillim të viteve ’90, Susana Higuchi dënoi bashkëshortin e saj, presidentin e Perusë Alberto Fujimori si tiran dhe ai u përgjigj duke u divorcuar e duke i dhënë vajzës statusin e Zonjës së Parë.

Ai shpërndau parlamentin dhe gjyqësorin me ndihmën e ushtrisë. Higuchi dështoi në tentativën e saj për tu bërë politikane, por në vitin 2009, ish- i shoqi u dënua me 25 vite burg për abuzim me të drejtat e njeriut.

Higuchi ishte një frymëzim për gratë, thotë Dr. Jelke Boesten, një studiuese në Institutin për Paqe në Uashington.

“Ishte shumë e zonja dhe përkohësisht ishte dhe shumë e rëndësishme, por i shoqi ishte shumë i fortë politikisht dhe kishte ushtrinë pas vetes dhe mbështetjen popullore. Megjithëse ajo fitoi përkohësisht mbështetjen e organizatave feministe, kjo ishte një pjesë e vogël e shoqërisë”.

Ka shembuj kontrastues në Afrikë të fuqive femërore pas fronit, thotë Richard Dowden nga Shoqëria Mbretërore Afrikane.

“Sally Mugabe ishte e butë dhe kishte një ndikim të ndjeshëm mbi të shoqin, presidentin e Zimbabveve, Robert Mugabe. Shumë njerëz mendojnë se ai e teproi me gjithçka kur ajo vdiq. Deri atëherë ajo e përmbante atë. Ky është të paktën perceptimi”.

Kur u martua me gruan e tij të dytë, Grace, perceptimi është se gjithçka ndryshoi, ndërkohë që ajo përqafoi një stil ekstravagant jetese, tipike për gratë e liderëve të pasur dhe autokratikë.

Ka raste kur gruaja ka një ndikim për keq, por në shumicën e rasteve nuk është kështu, thotë Daniel Chirot, autor i librit “Tiranët modernë”. Në fakt, gratë shpesh fajësohen në mënyrë të padrejtë për veprimet e liderit, për shkak të një paragjykimi që i mban ato në standarde të larta.

Kolumnistja Yasmin Alibhai-Brown pranon se gratë ndonjëherë gjykohen në mënyrë të pandershme, por thotë se kushdo që qëndron në krah të një burri të pandershëm, që ka fuqinë të bëjë ose të ndajë një komb, e meriton plotësisht të fajësohet dhe të ndëshkohet.

Ajo beson se ka ‘ledi Makbeth të vërteta’ si zonja Mao, pjesërisht përgjegjëse për Revolucionin Kulturor ose si Mira Markoviç, vejusha e Sllobodan Millosheviç, e parë gjerësisht si ndikuesja kryesore mbi të.

Por, sipas saj, edhe gratë e heshtura meritojnë të dënohen.

“Ne nuk e dimë nëse janë viktima. E di që kanë vështirësi, por nëse ndodh diçka si kjo në Siri, për mua është e pafalshme. Mund të jetë edhe që Asma është nën një presion të tmerrshëm. Por edhe Suzanne Mubarak, edhe Asma janë gra të fuqishme. Ato nuk janë gra të shtypura.”

Ndryshe nga gruaja e ish-liderit libian, Muamer Gadafi, që nuk kishte shumë prezencë, të tjerat preferojnë të prezantohen si gra moderne arabe, thotë zonja Alibhai- Brown. Tani ato heshtin kur duhet të flasin.

“Udhëheqësit më të mëdhenj të Perandorisë Otomane ishin gjithmonë lehtësisht të manipulueshëm nga gratë dhe nënat e tyre, kështu që gratë mund të luanin një pjesë, por që atëherë ne kemi shkuar pas. Nuk mund të jetë e pamundur që sot ato janë të gjitha shumë të shtypura”.

1 COMMENT

  1. Ka dy gjëra këtu: E para, diktatori Bashar al Assad nuk pyet të shoqen për punët e qeverisë dhe E dyta, të mos kujtojmë ne, se të gjitha gratë janë paqësore. Kemi shembullin e Jozefinës në Shqipëri, apo të Mesila Dodës, etj. ato janë më keq se burrat në këtë vend. Kështu edhe Asma mund të jetë një Evita Peron, që do pushtet personal… Ajo nuk ka dëshim se është lumturuar me mundësinë që i është dhënë me martesën me diktatorin. Ajo nuk besoj se ka mendim personal ndryshe nga Bashiri, dhe nuk ka shans të dalë kundër tij – ajo do rrijë aty bashkë me Bashirin, dhe do ikë kur/nëse ikën ai.

Comments are closed.