Preç Zogaj, 20.01.2010
Pyetja është e drejtpërdrejtë, njëlloj sikur të pyesnim, a e bën Vermoshi ullirin apo a e bën Konispoli luleshtrydhen? Në këtë rast, e marr me mend se shumë lexues do të replikojnë në heshtje me mua: “Nuk është e njëjta gjë, krahasimi çalon”!
Dhe mandej, për inerci të replikës, do t’i përgjigjen me një “po” të fortë pyetjes sime. Shqipëria e bën prodhimin. Ashtu siç bën Vlora portokallin! Kjo është si një e bëjnë dy.
Edhe unë kështu kam menduar. Kështu, mendoj e do të mendoj gjithnjë… Për të mbështetur këtë bindje do të mund të listoja tani dhuratat e zotit për ketë vend, ditët e shumta me diell, ujërat e bollshme, bregdetin që përfaqëson ultësirën e vetme të detit Adriatik e të tjera e të tjera.
Por, nuk duket të jetë aq e thjeshtë kjo puna e prodhimit. Nuk është një çështje dëshirash dhe fjalimesh. Pyjet nuk rriten duke kënduar “o malet e Shqipërisë o ju o lisa të gjatë” të Naim Frashërit.
Realiteti i përditshëm, ky me shumë diell, ky me shumë ujë, me fusha dhe pyje të gjelbëruara, po na tregon në vijimësi se Shqipëria bën më shumë tregtinë se prodhimin. Në sferat elitare të saj, por edhe në sfera të një shkalle më poshtë, ekonomia jep përditë shfaqjen e zgjerimit si ekonomi kompradore dhe të tkurrjes si ekonomi prodhuese.
Në vend që të jetë një kantier prodhimi që rrit në rrezen e vet dyqane dhe supermakete, Shqipëria po shndërrohet në një “dyqan” të madh me pak prodhim rreth e rrotull.
Shembulli më simbolik i kësaj përmbysjeje është kompleksi “City Park” në autostradën Vorë-Tiranë, ngritur aty ku ka qenë ish-fabrika e prodhimit të vajit “Olim”, e konsideruar, për shumë, një nga krenaritë e kapitalizmit kombëtar. E kam pas vizituar kur po ndërtohej atë fabrikë, pastaj kur u përurua.
Nuk e harroj pronarin e saj kryesor, zotin Artan Mene. Kishte një ëndërr të madhe Artani. Të vinte në punë, kundrejt kontratave, grupe fermerësh për kultivimin e lules së diellit si lëndë e parë për fabrikën e tij.
T’u jepte punë tokave të papunuara të zonës deri tutje në Lezhë. Të përfshinte në rrjetin e përfituesve nga “Olim” një numër gjithnjë e më të madh familjesh fshatare. Këtë do ta realizonte duke siguruar asistencën dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Bujqësisë. Kishte një plan pothuajse të detajuar Artani. I shndrisnin sytë kur e tregonte.
Nuk e di ç’ka ndodhur më tej me planin e tij, a dështoi si i paleverdishëm, apo pronari nuk gjeti askund mbështetje dhe hoqi dorë nga lodhja dhe pamundësia, siç ndodh me shumë raste të tilla.
Në vjeshtën e vitit 2006, anijet e “Olim”-it “u sulmuan” në det nga tatimorët e atëhershëm, që donin detyrimet e prapambetura në dorë, duke mbajtur si peng lëndën e parë të firmës në anije. Nga gjithë ajo histori duket se pronarët e “Olim” kuptuan më mirë si ishte puna dhe …ja ku shfaqen pas disa vitesh si bashkëpronarë të “City Park”.
Është madhështor “City Park”. Është luksoz. Kam bindjen se nuk e ka rajoni një të tillë. Për të mos shkuar më larg. Nuk mund të mos ndjesh admirim për të gjitha ata që e kanë financuar e ndërtuar. Po të ishte rroga mesatare e qytetarëve të Tiranës, Durrësit dhe të tjerëve diku afër 500 euro në muaj, “City Park” do të shiste mirë.
Duket se pronarët e saj e kuptuan shpejt se kishin ndërtuar një si “qytet të diellit” përpara “qytetarëve të diellit” dhe prandaj, në respekt të xhepave të holluar apo të qepur fare të klientëve të magjepsur, lajmëruan uljen e madhe deri në 60 për qind, edhe pse s’ka pak javë që u hap.
Gjithsekush i bën vetë llogaritë e veta. Urimi im është që “City Park” t’i lerë të kënaqur të gjithë: pronarët, punonjësi, blerësit dhe vizitorët.
Por, kjo histori më kthen sërish të pyetja e fillimit “a e bën Shqipëria prodhimin”, që kësaj radhe besoj se tingëllon më pak absurde se herën e parë. Dhe ngjitur me të, pyetja tjetër: Ku është nisur dhe ku po shkon ekonomia shqiptare?
Treguesit në rënie të punësimit, të hyrjeve në arkën e shtetit, të fuqisë paguese të qeverisë dhe vetë operatorëve privatë dhe shumë tregues të tjerë të tronditur në krahasim me gjendjen e dy tre vjetëve më parë, i bëjnë jehonë çdo ditë kësaj pyetjeje.
Në parim, në një ekonomi të rregulluar, është prodhimi që e bën njëmijëshen dymijë. Pra, disa njësi ku prodhohet, e lindin natyrshëm një qendër tregtimi, në kuptimin që ata që paguhen nga prodhimi janë klientë të njësisë.
Thënë në mënyrë figurative, katër-pesë “Olim”-ë rentabël e lindin natyrshëm një “City Park” rentabël. Sa herë është folur për këto çështje, prirja e qeverisë shqiptare dhe veçanërisht e ministrive të punës dhe zhvillimit ekonomik ka qenë citimi libresk i parimeve vetërregulluese të tregut. Nuk ka dyshim se ekziston “magjia” e tregut të lirë. Por, kjo “magji” as që mund të imagjinohet pa plane dhe strategji zhvillimi.
Nuk shohim të ketë në Shqipëri strategji konkrete zhvillimi, që vlerësojnë mundësitë e Shqipërisë në një botë të hapur. Investimet e mirëfillta prodhuese dhe manovrat financiare që frymëzojnë dhe sigurojnë suksesin e nismave prodhuese janë dështimi i madh i qeverisë.
Shumë ndërmarrje prodhuese ekzistuese madje janë mbyllur, ose u janë flijuar aktiviteteve tregtare. Ndërkaq, qeveria i “ka lënë vetëm” edhe investitorët e mëdhenj në fushën e tregtisë.
Këta, sigurisht, e dinë vetë ku i hedhin paratë. Por, qeveria ka detyrime t’i informojë, t’i asistojë, pse jo t’i koordinojë brenda vizionit të tërësisë së tregjeve të vendit dhe fuqisë blerëse të qytetarëve.
Qeveria jonë nuk ka bërë e nuk bën këtë. Me alibinë e tregut të lirë, shpeshherë qeveria nuk bën asgjë në ndihmë të biznesit, vetëm shkon e pret shirita veprash, që nuk dihet si do ta kenë fatin.
Në fakt, qeveria ka bërë një gjë: me retorikën e progresit dhe lulëzimit të pakrahasueshëm me asnjë vend tjetër të botës, ajo ka krijuar një Shqipëri virtuale në rrafshin e mirëqenies, pra ka ushqyer iluzione sikur njerëzit në Shqipëri i s’po dinë ku t’i harxhojnë paratë e tyre.
Te këto iluzione mund të gjenden themelet e disa supermarketeve të mëdhenj që po hapen në kohën e krizës së madhe të likuiditeteve, që është maja e ajsbergut e një ekonomie pa fizionomi.
A mos vallë fundi i këtij modeli po vjen me vallëzimin madhështor të supermarketeve pa njerëz brenda?