A KA DHËNË DREJTËSI TË SHËNDETSHME KOLEGJI ZGJEDHOR

0
92

Artan Mullaj, 16.06.2011

Ngrirja e fitores së demokratëve nga njëra anë, që e kanë shpenzuar para kohe kënaqësinë e arritjes, së paku shumicën e saj, dhe heshtja e shqetësuar e socialistëve nga ana tjetër, më shumë se drejtësi tregojnë se tej fantazisë, gjykimi i gjyqtarëve të Kolegjit ka synuar pikërisht këtë gjë, heshtjen e palëve; në mos heshtjen, murmuritjen, në mos murmuritjen, pranimin pa kushte të rezultatit në fund, sido që të jetë.

Duke qenë i paqartë, vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor mund të quhet “shpallja dinake e një gjykimi të brishtë”. Edhe nga palët, edhe nga kureshtarët, u duk qartë mosqenia gati e tyre për reagime më pas. Më shumë se profesionalizëm juridik, vendimi kish përkujdesje gjyqtarësh, që duke mos dashur të lumturojë doemos njërën palë me pranimin e pjesshëm të padisë, dëshpërimi të përtypej kollaj nga pala tjetër. Edhe pse ekspertët ligjorë të mazhorancës nxituan syxixash të përsëritin hipokrizinë, që si fjollë tymi të zi lë pas fraza: ”zëri i çdo qytetari të dëgjohet”, neveria e kësaj hipokrizie, përzierë me ngazëllimin e tyre, provuan të kundërtën.

Marifetxhinjtë juristë të PD-së, të specializuar në cepkatje, shqyerje dhe shtrydhje ligjesh, duket se as ata nuk janë gati për sfidën e re të një realiteti, plani për përthyerjen e të cilit kish synuar tjetër gjë: Jo çdo zë të dëgjohej, por vetëm disa nga ata, me nota çiftelie në sfond. Të tjerët jo. Dëgjimi që kërkoi kolegji i zërave çfarëdo, me nota çfarëdo, ndërsa ndaluan triumfin në shpirtrat e të parëve, fashitën sakaq dëshpërimin nga zemrat e të dytëve, opozitarëve.

Ngutshëm lind pyetja: Kjo drejtësi e paqartë (ky amortizim kundërshtish), kjo vajisje, ky dyshim i ngritur rishtas për të rrafshuar dyshimet e vjetra, a janë një veprim i drejtë i Kolegjit Zgjedhor? Vështirë të ketë një përgjigje të prerë. Gjykuar mbi reagimet pasuese, tonet e ulëta, vullnetin e palëve për të pritur transparencën e paralajmëruar, nëse vërtet do ketë të tillë, pra gjykuar mbi këto, përgjigjja për disa është, po. Por, nga ana tjetër, supozimi se ky vendim duket pjesërisht i pranueshëm nga opozita, ashtu si pjesërisht u pranua padia e tyre, do të shndërrohej në një lajm, në një fakt, sikur kjo gjykatë, duke dhënë një vendim koherent, mos e përdorte atë për qëllime të tjera.

Duket se, në njëfarë mënyre kjo gjë ka ndodhur. Përshtypja se kjo gjykatë, më shumë se dhënien e një vendimi të drejtë, synoi bashkë me këtë vendim përmirësimin e imazhit apo reputacionit të saj, mund të jetë e gabuar, po aq sa për disa arsye mund të jetë edhe e drejtë. Reputacioni i një gjykate është po aq i rëndësishëm sa edhe drejtësia që ajo shpall. Në vijim të kësaj, të përdorësh pikërisht një vendim drejtësie për t’i dhënë autoritet dhe përzotshmëri autoritetit që ke (pra, gjykatës), është një çështje që vështirë të shtjellohet në kahen e duhur për një konkluzioni konkret. Prandaj, natyrshëm lind pyetja: A ka dhënë drejtësi të shëndetshme Kolegji Zgjedhor këtë herë, apo ky vendim, më shumë se drejtësisë i shërbeu cilësisë së vet, autoritetit dhe besueshmërisë së Kolegjit?

Gjasat janë që midis dy opsioneve, rritja e autoritetit të Kolegjit Zgjedhor është synuar më shumë (fraza drejtuar një deputeti socialist: “mos e ngri zërin, të gjithë jemi mirë nga veshët, dëgjojmë mirë shyqyr zotit”, ndihmon në këtë arsyetim). Duke i lënë palët gojëthatë (sidomos opozitën) por edhe pa zë, (sidomos mazhorancën), gjyqtarja Haveri preu shiritin e një vullneti të ri, që në këtë rast është “rritja” e autoritetit gjyqësor. Në njëfarë mënyre, kjo e zhvendosi kureshtjen në fytyrat e shqiptarëve me shpejtësinë e dritës. Për mirë ose për keq, diçka funksionoi ndryshe mes pelerinave të zeza. Njerëzit nuk ndjenë aq drejtësinë, dhe as thjesht autoritetin e tyre, por mbase kuptuan rrufeshëm si asnjëherë tjetër, fuqinë e ardhshme të drejtësisë që buron tek pavarësia e saj.

Gjyqtarët kanë diçka të përzotshme, një lloj pushteti hyjnor dhe kjo natyrisht, nuk vjen për shkak të rasos priftërore që mbajnë e aq më pak për shkak të personalitetit që kanë. Arsyeja e këtij pushteti është tjetër gjë. Fakti se ata gjatë misionit futin duart e tyre në lëngun mavi të fatit njerëzor, ju jep atyre një ngjashmëri të supozuar me Zotin, me shenjtorët, që luajnë me fatet e bijve të Zotit njëlloj..

Megjithatë, me gjithë qenien e këtyre zotërve të vegjël që quhen gjykatës, të paktën deri tani fryma e shenjtërimit nuk ka ekzistuar në dhënin e drejtësive të tyre dhe arsyeja dihet. Drejtësia shqiptare ka qenë zakonisht e padrejtë për shkak të korrupsionit dhe autoritetit të munguar të gjykatave tona. Shtrirë si metastazë në tranzicion, korrupsioni i heshtur, i frikshëm dhe gjithësundues i klasës politike, i ka deleguar pandershmëri duke e infektuar edhe sistemin tonë gjyqësor. Aq sa, ajo që duhej të dukej normale në një demokraci normale, regëtimi i autoritetit të këtij sistemi, ka munguar krejt, madje më keq akoma, ka sunduar e kundërta e tij..

Sot ky autoritet synohet të rivihet dhe në një kuptim, sinjali i sapodhënë nga gjyqtarja Haveri nuk është pak. Vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor, duke synuar krijimin e autoritetit zgjedhor në këtë rast, nëse e ka synuar vërtetë, ngjan me diçka të pazakontë e plot shpresë. Prandaj, drejtësia e dhënë nga ky autoritet, ndonëse jo fort e qartë, që do të thotë, ndonëse jo fort e shëndetshme, duket se ka këtë gjë të veçantë që, në njëfarë mënyre, ishte një hap për ngritjen e prestigjiozitetit të gjykimit tek ne.

Ndërkohë, lufta juridike “dhëmbë për dhëmbë” vazhdon… Kalëron hipokrizia e zërave të mazhorancës, që është gati të përpëlitet në furrën e djallit, mjaft që “çdo votë të numërohet, dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet”. Pasi rezultati u ndryshua sy ndër sy dhe ujku u duk në tavolinë, ata tregojnë ende, herë gjurmët e tij, herë dhëmbët e pushtetit që kanë. Oratoria e juristëve demokratë me në krye Rusmalin dhe me garniturë, derivatet e tij, Alibeajn, Hoxhan apo Manjanin, është e tillë që krijon sakaq barrierën mes tyre dhe juristëve përballë, si një epërsi të tyren.

Sipas tyre, nuk është se po shqyrtohen vetëm zgjedhjet, por po gjykohen edhe ata, vetmitarët ligjorë të arenës, juristët opozitarë, por edhe gjykatësit vetë, dhe prandaj këta oratorë janë gati të përballen me kureshtjen e pafajshme të njerëzve: “Janë vjedhur vota në 8 maj? Joooo! (në kor). Ç’është ajo? Asnjë copë! Ju e patë rezultatin lakuriq në ekran. Vendas e të huaj. Ndërkombëtarë inteligjentë dhe shqiptarë naivë, që s’keni haber nga drejtësia. U dëgjua zëri i çdo qytetari shqiptar, me përkujdesjen tonë.

Me sakrificën tonë që kundërmon aromë ndershmërie dhe përkushtimi. Gjithçka në dritën e diellit ka qenë. Ne jemi në pushtet, por ujqërit nuk jemi ne! Egërsirat i ka opozita, ata kërcënojnë. Ne jemi kecërit dhe roskat demokrate në vijën kristal të të madhit Zot. Në përfaqësojmë mirësinë, se kemi lënë pas babëzinë dhe kurthet e pushtetit, joshjen, dashurinë për të. Ne murgërojmë shpirtrat tanë për të mirën e shqiptarëve. A e patë? Diamant kish në arenë. Shenjtërim zgjedhor. Prandaj shqiptarët na duan. Nuk është faji ynë për këtë gjë, as i tyri. Ne do të jemi në pushtet, se ne jemi demokratë të Saliut, liderit, madhështorit, legjendarit, veriorit, monarkut, kaq”.

Nuk ka të ndalur as kundërshtia e opozitës ndaj këtij realiteti përthyerës që thamë, ku e vërteta vështirë të jetë e vërtetë dhe drejtësia vështirë të jetë drejtësi. Është një çlirim, një shkëputje, madje a është ky vendim i Kolegjit fillimi i një epoke në të cilën jo vetëm autoriteti i drejtësisë, por edhe vetë ajo do të funksionojë, apo gjithë ky vendim është një marifet, si të tjerë pas, një fantazi, një farsë e shkëlqyer e shpurës së Kryeministrit për të futur edhe një herë jo vetëm opozitën, por edhe ndërkombëtarët në një kurth të ri?

Përgjigjen nuk mund ta japë veçse rrjedha elektorale e kohës këto ditë rinumërimi. Mbetet të shohim se si Ristani vetullvarur do të ntrashë zërin gjatë numërimit të votave, jo më për të vulosur mediokritet të ri, por për të krijuar edhe ky një autoritet të ri të Komisionit Zgjedhor. Mbetet të shohim nëse ajo që pritet do të jetë pastrimi apo përbaltja, fodullëku i tejmë, mashtrimi do ta ndotin dhe mbulojnë këtë komision edhe më.

Debati vazhdon, me zhurmë, shkulm e potere, siç natyrshëm kërkon një vullnet kolektiv për të sistemuar punët e pushtetit dhe për t’u çliruar nga mallkimi i padrejtësisë. Shqipëria e polarizuar, e shqyer, e çmeritur prej politikës së keqe, duke u ndodhur brenda një cikloni, lufton e përpëlitet të hyjë në rrugën e moralit, në rrugën e identitetit, në rrugën që i imponon historia e vështirë pas. Tej klasës politike shqiptare, Europa për të shëmbëllen jo aq si një shpresë, jo aq si një mundësi, por si një sfidë. Është koha që shqiptarët të tregojnë se pjesë e së tërës, mes popujve të tjerë të Europës, janë të aftë të përmbysin sundimet, të vetëqeverisen dhe të prodhojnë drejtësi njëlloj si ata.