A jeni n’terezi a jo?

0
39

Analiza Nga ANILA BASHA, 11 Gusht 2013

Pak ditë e ndajnë kabinetin e ri nga marrja e detyrave për administrimin e punëve të vendit, dhe debatet kryesore tek të cilat fokusohet politikbërja janë: një qeveri në ikje që ka bojkotuar totalisht zyrat e shtetit, dhe një qeveri në ardhje në përpjekje për të filluar punët në vend pa mandatin e duhur.

Ajo që bie në sy në këtë panoramë politike, është fenomeni social. Qeveritë ikin e vijnë. Njerëzit e thjeshtë, ata që nuk mbajnë detyra publike, janë aty, duke dëgjuar përditë ngjarjet e kronikë së zezë që u err sytë e mendjen, e duke menduar sesa e pasigurt është jeta e gjithsecilit prej nesh nga një administratë që është zgjidhur nga zinxhirët, e të një populli që në këtë periudhë, më shumë se çdo here tjetër duhet t’i shkojë më për shtat shprehja: a jeni n’terezi a jo? Dje, në ambientet e spitalit të Tiranës, (QSUT) mora vesh lajmin se një vajzë 18 vjeçare i kishte dhënë fund jetës duke pirë lëndë helmuese.

Të paktën, provat e para flasin për një vdekje të tillë. Mjekët nuk të japin dot sqarime nëse vajza ka pasur sherr me prindërit, apo nëse i ka ndodhur diçka tjetër. Fakti që është i trishtueshëm dhe të vret, ka të bëjë me guximin e një vajze të re, në moshën e saj më të bukur, t’i japë fund jetës. E ç’rëndësi ka nëse flasim për një “dashuri” të lënë në mes, apo për prindër që nuk e kanë lejuar vajzën e tyre të bëjë jetën që do.

A janë në terezi këta njerëz? Ndoshta duhet ti thërrasim arsyes në një moment kur mendojmë se gjërat nuk ecin siç duhet e kur shohim se realiteti që na rrethon është i zymtë, i pashpresë, e pa të ardhme.

Shqipëria sipas gjithë raporteve të brendshme e ndërkombëtare dallohet për një rini vitale, energjike, me dëshirën për të jetuar e punuar, me vullnet për të arritur aty ku do. Ka një problem që nuk është i vogël, por që nuk mund të jetë thelbësor derisa të çojë në zgjidhje tragjike. Problem mbetet varfëria, mungesa e emancipimit, edukata qytetare e morale në shkolla, çështje të komunikimit dhe perceptimit të realitetit nga një shoqëri paragjykuese siç vazhdon ende të jetë shoqëria shqiptare. Sigurisht, të dy perceptimet, pra ai i rinisë vitale, dhe varfërisë e moskuptimit të tejskajshëm, janë duke vrapuar paralel me njëra tjetrën.

Eshtë detyrë e shoqërisë dhe institucioneve shqiptare, të marrin në dorë situatën për të krijuar dhe hartuar politika e programe, që shkojnë përtej stanjacionit të tejzgjatur të mungesës së emancipimit të një rinie vitale si kjo e sotmja. Vajza që i dha fund jetës mbrëmjen e dy ditëve më parë, sigurisht nuk i ka menduar këto fenomene. Nuk i ka shkuar nëpër mend se herët në moshën e saj do të gjente guximin brenda vetes për t’i dhënë fund jetës. “Janë rrethanat që ia përcaktuan”, më tha një koleg në punë ndërsa e diskutonim këtë çështje. Por, a jeni në terezi a jo?

Cilat rrethana? Në cilën shkollë në republikën e Shqipërisë edukata qytetare, pse jo madje, edhe ajo seksuale (parimisht jam për ta përfshirë këtë si lëndë në gjimnazet e vendit), janë lëndë që merren seriozisht nga stafi pedagogjik apo nga institucionet që e kanë për detyrë të hartojnë politikat arsimore, siç në rastin konkret i takon ministrisë së Arsimit? Askund. Gjimnazistë të lënë në mëshirën e fatit (ndoshta jo në Tiranë, por bëni një vëzhgim nëpër rrethe); Gjimnazistë që u mungojnë programet dhe orët jashtë mësimit, aktivitetet sportive e kulturore, olimpiadat e konkurrimet në fusha të ndryshme, në fund të fundit, aktivitetet kreative që u zhvillojnë mendjen dhe ju japin mundësi të kalojnë kohën larg klubeve e cigares.

Disa kohë më parë, shkruajta për këtë fenomen duke nisur nga korrupsioni në maturat 2013, pas konstatimit, se në rrethe të ndryshme të vendit, tezat e provimeve të maturës ishin dhënë për nxënësit nga vetë nga mësuesit, vetëm e vetëm për përfitim elektoral. Unë nuk e di nëse kjo do të ndodhë sërish nesër, ose jo. Por për një gjë jam tejet e sigurt: me këtë rini, duket se nuk janë në terezi as shoqëria e as institucionet. E nëse një gjë e tillë ndodh, brezi i të rinjve që po rriten, që janë çdo ditë e më shumë të ndikuar nga ngjarjet dhe fenomenet që ndodhin rreth tyre, sidomos fenomeneve negative që edhe vetë media u jep më shumë hapësirë, kjo do të ishte një goditje e madhe për gjeneratën e re që po rritet.

Qeveria e re duhet ta mendojë këtë shumë seriozisht, me politika sociale e arsimore, që të mundësojë në radhë të parë arsimimin dhe kualifikimin e tyre, dhënien e mundësive të drejta dhe të barabarta për kualifikimin universitar, shkollat profesionale, apo edhe rrugët dhe mundësitë sesi të dalin nga krizat ekonomike, familjare e psikologjike. Ata thjesht duan një dorë. Ne si shoqëri, thjesht duhet të zgjasim dorën për t’i kapur.