TemA, 4 Janar 2013
A general view shows the Paradeplatz square and the headquarters of Swiss banks UBS and Credit Suisse in Zurich
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë një shembull në përplasjen e tyre me Zvicrën sa i përket taksave.
Banka Wegelin, më e vjetra në Zvicër, duhet të paguajë për shkak të evazionit fiskal një shumë prej 74 milion dollarësh për autoritetet amerikane. Pasi të bëjë një gjë të tillë, ajo do pushojë së ekzistuari.
Banka e themeluar në vitin 1741 u vu në qendër të hetimeve të amerikanëve pasi drejtuesit e saj u sollën veçanërisht në mënyrë agresive. Pavarësisht paralajmërimeve nga amerikanët, banka vazhdoi që të merrte para nga klientët e saj duke mos pyetur për origjinën e tyre. Sipas hetuesve, banka ka ndihmuar amerikanët që të fshehin një shumë prej 1.2 miliard dollarë.
Edhe pse shuma është shumë e vogël në krahasim me depozitat gjigande që janë në bankat zvicerane, sërish kjo ngjarje ka implikime shumë të mëdha. Në këtë mënyrë mund të vihet në diskutim ekzistenca e bankave të mëdha. Ajo që është në rrezik është fshehtësia e informacionit nga bankat, që deri më tani është mbrojtur kaq shumë nga Zvicra.
Në telashe është edhe qeveria zvicerane, së cilës i është kërkuar nga SHBA që të ofrojë emrat e atyre që bëjnë evazion fiskal.
Autoritetet amerikane po hetojnë ndërkohë edhe 11 institucione bankare zvicerane, mes tyre edhe bankat e mëdha Credit Suisse dhe Julius Baer. Kundër punonjësve të pesë sipërmarrjeve janë ngritur paditë.
Zvicra ka tentuar të negociojë me amerikanët për të arritur marrëveshje të ngjashme me ato të arritura me Gjermaninë e Britaninë, ku bankat zvicerane taksojnë klientët e huaj.
Por amerikanët kanë qenë më këmbëngulës.
Mesazhi është i qartë: ose del sekreti, ose ikën banka.