A ia vlen të vdesësh për Sirinë?

0
23

Vladimir Karaj, Mapo:

ResPublica.al | 15 March 2014

Gazeta Mapo e ka patur lajm kryesor në numrin e sotëm lajmin mbi arrestimet që u janë bërë disa imamëve dhe njerëzve të tjerë lidhur me rekrutimet që u janë bërë disa shqiptarëve për në Siri. Titulli në faqe të parë ëhstë “A ia vlen të vdesësh për Sirinë?”, dhe autori Vladimir Karaj bën një panoramë të plotë të asaj që ka ndodhur. Ja shkrimi i tij që është midis raportimit e komentit:

Të dilje apo hyje në qendër të Tiranës dje ishte një makth. Qindra e mijëra kishin zënë bulevardin në kremtimet “pagane” të Ditës së Verës. Rastësisht, i pari që na tha “gëzuar” ishte një hoxhë. Kjo sigurisht nuk është pamja e një vendi të pushtuar prej ndonjë ekstremizmi fetar të çfarëdolloji, diçka që në njëfarë mënyre duhet të na qetësojë. Ndërkohë, pavarësisht bindjes së përgjithshme se nuk ka një situatë ekstremizmi, arrestimi i 8 personave dhe shpallja në kërkim e 5 të tjerëve ka krijuar një situatë alarmi dhe një gjendje ankthi për krijimin e celulave terroriste apo grupeve të ekstremizmit fetar.

Grupi që akuzohet nga prokuroria si i përfshirë në rekrutimet e luftën së Sirisë, nuk është i pari me të tilla akuza. Më herët, Artan Kristo u mbajt për rreth dy vite në qeli, por u shpall i pafajshëm në Gjykatën e Lartë pak a shumë mbi të njëjtat akuza. Arrestimet e fundit, që vijnë pas zbardhjes së disa rasteve të shqiptarëve që kanë shkuar të luftojnë në Siri kundër diktatorit Bashar al Assad, por që dyshohet se u janë bashkuar grupeve terroriste atje, duket se kanë “zbuluar” rrezikun e përfshirjes së vendit në hartën e shteteve të kërcënuara prej terrorizmit fetar. Por sa real është ky rrezik për Shqipërinë?

Ekstremistët, të veçuar

Akte të tilla deri më tani nuk ka pasur dhe gjuha e urrejtjes që grupe të ndryshme fetare i adresojnë njëri-tjetrit është e përhapur kryesisht në forume dhe media virtuale dhe në të rrallë, në formë letrash kërcënuese apo lajmesh bizare. Nuk bëhet fjalë vetëm për grupe ekstremistësh që pretendojnë se përfaqësojnë islamin, por edhe pjesëtarë të feve të tjera. Përballja e fundit dhe e dukshme e kësaj natyre gjendej lehtë dje në një faqe të krijuar në mbrojtje të të arrestuarve. Komentues në faqe, jo vetëm i akuzonin anëtarët e grupit si “arabë”, por edhe kërcënonin: “Do ju shfarosim nga faqja e dheut!”. Si përgjigje merrnin fotografi kokash të prera në Siri, prej atyre që mbronin imamin e arrestuar.

Gjuha e ashpër, fyerjet, racizmi, kërcënimet e ndërsjellta janë pjesë e zhargonit të përditshëm në faqet e ngjashme. Kryesisht janë të shkruara me një shqipe të keqe, ndonjëherë të pakuptueshme, pavarësisht dialektit që përdor shkruesi dhe reflekton se pjesa më e madhe e të angazhuarve në të tilla debate janë kryesisht të pashkolluar. E gjithë kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se ka një terren që do e ushqente ekstremizmin, për të dalë edhe përtej celulave dhe grupeve të “përjashtuara” në njëfarë mënyre prej komuniteteve të tyre. Madje, në rastin e fundit Komuniteti Mysliman bëri një deklaratë publike distancimi duke cilësuar se hoxha Genci (Abdurrahim) Balla nuk ishte pjesë e Komunitetit dhe se nuk njihej prej tij. Nga ana tjetër, edhe grupime të tjera të myslimanëve në vend kanë bërë distancim nga të arrestuarit. E-zani.com, edhe pse është një faqe që mban qëndrim kritik ndaj mënyrës si drejtohet Komuniteti Mysliman, po ashtu kritikon aktivitetin e të arrestuarve.

Megjithatë, organeve shtetërore u kërkohet që të sqarojnë rastin, duke mos lejuar gjuhën e urrejtjes kundër gjithë bashkësisë islame në vend. “…do ishte e nevojshme që autoritetet e rendit të ishin treguar më të hapur për publikun dhe të qartësonin se kanë qenë udhëheqës fetarë të xhamive të vendit ata që u kanë tërhequr vëmendjen dhe u kanë kërkuar që të ndërhyjnë që imami Genc Balla të ndalte retorikën inflamatore në lidhje me luftën në Siri”, – thuhet në shkrim. Besnik Sinani, një shkrues në faqe “e-zani.com” ngre ndërkohë shqetësimin se në rastin në fjalë, media në vend priret drejt raportimit të videove bizare të shqiptarëve që kanë shkuar në luftën e Sirisë dhe bëjnë thirrje për rekrutime të reja, ndërsa dukshëm kanë lënë mënjanë një fushatë të hoxhallarëve në Kosovë dhe Shqipëri, që u kërkon myslimanëve të mos bien pre e thirrjeve të ngjashme dhe të mos i bashkohen grupeve terroriste. Sinani thotë se media në Shqipëri u fokusua në pjesën e videos që kërcënonte me prerje koke, por sipas tij, pjesa më interesante e saj ishin akuzat kundër hoxhallarëve të përfshirë në fushatë për të dekurajuar rekrutimin e shqiptarëve për luftë në Siri.

“I bëj thirrje çdo vëllai shqiptar që ndodhet në radhët e shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (Emri i grupit terrorist që lufton në Siri) që të largohet dhe ta thyejë armën e tij përpara se ta takojë Zotin e tij me gjak të marrë padrejtësisht”, – citohet nga Sinani një prej hoxhallarëve shqiptarë. Të tjerë njohës të çështjes na thonë se bëhet fjalë për persona që nuk janë të shkolluar mjaftueshëm dhe as e njohin fenë apo rregullat e saj. Njerëz lehtësisht të manipulueshëm. Vetë grupi i krijuar në Facebook, në mbrojtje të të arrestuarve, e bën të qartë se ka një ndarje mes tyre dhe hoxhallarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. “Hoxhallarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë të cilët nuk kanë ngritur zërin kundër burgosjes së hoxhës Abdurrahim Balla, le të marrin mësim nga fjala e urtë popullore: Sot në kojshi, nesër te ti”, -shkruhet në një nga postimet e grupit.

Historia e të arrestuarve

Grupi i të arrestuarve, me në krye Genci Ballën dhe Bujar Hysën dhe të shpallurit në kërkim akuzohen se kanë predikuar për të nxitur shkuarjen e shqiptarëve në Siri dhe kanë organizuar dërgimin e këtyre personave atje. Prokuroria thotë se zbulimi i disa deklaratave bankare dhe prova të tjera të lëvrimit të parave për këtë grup ka hapur mundësinë për të hetuar burimin e këtyre të ardhurave dhe për të zbuluar nëse financimet vijnë prej grupeve të skeduara më parë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. E paqartë është se si bëhej rekrutimi i personave që dërgoheshin më pas në Siri dhe po ashtu, edhe rruga që ata merrnin. Prokuroria po ashtu po punon për të zbardhur dërgimin e fëmijëve dhe grave bashkë me personat e rekrutuar për luftë. Zamir Mani, 39 vjeç nga Shkodra ka denoncuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda imamin e vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re, Genci Abdurrahim Balla se i ka dërguar në Siri bashkëshorten dhe djalin e tij 7 vjeç.

Burri ka thënë se nuk ka dijeni ku ka të birin dhe dyshon se ai është dërguar në Siri. Një tjetër rast është ai i Shkëlzen Dumanit, i shpallur në kërkim, që mendohet se ka marrë me vete në Siri edhe dy fëmijët e tij. Po ashtu nuk dihet kush dhe si është financuar ndërtimi i xhamisë tek Unaza e Re, e cila nuk është pjesë e Komunitetit Mysliman dhe nuk kontrollohet prej këtij të fundit. Ka dyshime se Organizata Humanitare Turke, IHH ndodhet pas këtyre rekrutimeve. E akuzuar për mbledhje mercenarësh për të luftuar kundër Assadit në Siri, mes të cilëve edhe shqiptarë, i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar trillime konspirative për shkak të punës së tyre humanitare. Organizata sidoqoftë ishte pre e një goditje policore disa muaj më parë. 25 anëtarë të saj u arrestuan në Turqi.

Prokuroria thotë se mes morisë së përgjimeve të kryera në xhaminë e Unazës së Re, veç të tjerash ka mundur të sigurojë edhe disa seanca predikimi, ku të rekrutuarve për t’u dërguar në Siri u vendoseshin kushte për kohën e qëndrimit në vendin ku sipas tyre zhvillohej lufta e shenjtë. Në një prej këtyre regjistrimeve, prokuroria thotë se imami i vetëshpallur i Xhamisë së Unazës së Re, Abdurrahim Balla u kërkon ndjekësve të tij që do të dërgoheshin në Siri që duhet të qëndrojnë jo më pak se tre muaj në këtë vend. Ende nuk dihet përse ishte vendosur një kusht i tillë, por imami “kërcënonte” të rekrutuarit, se në rast se ktheheshin përpara se të mbusheshin tre muaj, atë do të largoheshin nga grupi i besimtarëve. “Personat që niseshin në Siri duhet të qëndronin jo më pak se tre muaj në këtë vend.

Ata “kërcënoheshin” me largim nga komuniteti nëse nuk respektonin afatin e qëndrimit prej tre muajsh në Siri”, – tha një burim i prokurorisë. Ndër predikimet publike të Ballës, të publikuara në Youtube janë ato kundër Perëndimit dhe kundër harmonisë fetare. “Bashkojnë të vërtetën me të kotën në emër të harmonisë fetare, në emër të bashkëjetesës mes feve. Ky lloj kurthi ka marrë përmasa shumë të mëdha, përmasa botërore. Në emër të paqes ata duan të shkatërrojnë islamin, ata duan që myslimanët të shkojnë të falen në kishë dhe priftërinjtë të mbajnë meshë në xhami”, -thotë Abdurrahim Balla për tolerancën fetare në një nga këto video. Para gjykatësit, të cilin grupi thotë se nuk e njeh, ata kanë pohuar se predikimet e tyre janë të bazuara në Kuran dhe se nuk kanë bërë asnjë nga veprat për të cilat akuzohen.

Shqiptarët në rajon dhe fondamentalizmi

E ndërsa në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë kryesisht me akuza për predikim të dhunës, në Kosovë gjendja ka qenë më e rënduar. Vetëm pak kohë më parë, një grup në Kosovë u arrestua pasi po përgatisnin një akt terrorist sipas policisë dhe prokurorisë. Menjëherë pas kësaj, dikush që e emërtonte veten si “xhihadist”, kërcënoi policinë e Kosovës me anë të një e-maili. Më herët, deputetë të kuvendit janë kërcënuar dhe ka pasur sulme publike edhe ndaj organizatave të ndryshme. Por dje Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, tha se Shqipëria dhe Kosova janë të sigurta, sa i përket terrorizmit fetar. “Fakti që ka celula dhe goditen nga organet e sigurisë, do të thotë që Shqipëria dhe Kosova kanë bërë hapa të sigurt dhe drejtë për luftimin e këtij fenomeni”, -tha Bushati në një intervistë dhënë për Klan Kosovën. Ndërkohë, po dje në Prishtinë, Kuvendi ka miratuar në parim një ligj që i dënon deri në 15 vjet burg mercenarët që shkojnë për të luftuar në një vend tjetër. Edhe pse për ligjin ka pasur debate dhe kritika që e kanë parë si shumë të përgjithshëm, ai është miratuar në parim dhe pritet të shikohen nen për nen në ditët në vazhdim.

Shqipëria po ashtu ka në parlament një ligj të ngjashëm, që do të dënojnë luftën si mercenar në një vend tjetër. Miratimi i ligjeve vjen vetëm pasi janë raportuar disa të vrarë prej të dy vendeve. Vetëm nga Shqipëria mendohet të ketë 10 persona që kanë humbur jetën në luftën e Sirisë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve që janë dërguar në Siri mendohet se ka rënë në kontakt me grupet terroriste. Nga ana tjetër, shumë besimtarë thonë se nuk është e justifikuar zhurma e madhe rreth rastit në fjalë, duke vënë theksin se bëhet fjalë për një grupim të veçuar. Ata thonë se zhurma dhe mosbërja e qartë e faktit se kemi të bëjmë me një grup me fare pak ndjekës, veçse sa e përshkallëzon situatën, duke nxitur gjuhën e urrejtjes. Përkrahësit e Ballës dhanë dje para gjykatës imazhin e një grupi që njeh veç ligjet e veta, ndërsa thërrisnin “Allahu Ekber”.

Historia e terrorizmit në Shqipëri

Përballja e parë e bujshme e Shqipërisë me terrorizmin nga vendet arabe ka qenë në vitin 1998. Shërbimet sekrete dhe policia e vendit organizoi arrestimin dhe dënimin në masë të disa personave që akuzoheshin për terrorizëm nga Egjipti apo SHBA. Mediat atëherë raportuan se sulmet terroriste në ambasadat e SHBA në Kenia dhe Tanzani ishin hakmarrje për arrestimin dhe dëbimin e anëtarëve të një grupi të quajtur ‘Xhihadi Egjiptian’. Në operacionet për arrestimin u plagos Artan Didi, tani Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërsa mbeti i vrarë një prej të kërkuarve. Ndër të arrestuarit ishte Muhamed al Zavahiri, vëllai i pasuesit të Bin Ladenit në kryet Al-Kaedës.

Muhamet al Zavahiri u shpall i pafajshëm më 2012 nga Gjykata e Lartë në Egjipt për akuzat për terrorizëm. Ndërkohë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Shqipëria ishte ndër të parat shtete që u angazhuan në koalicionin antiterror. Qeveria që drejtohej atëherë nga Ilir Meta, miratoi masa shtrënguese për fondacionet që dyshohej se financonin terrorizmin duke sekuestruar pasuritë e tyre dhe mbyllur aktivitetet apo dëbuar nga vendi anëtarët e tyre. Ndërkohë, deri tani janë 5 raste ku shqiptarë përgjithësisht të diasporës dhe emigrantë prej vitesh janë përfshirë në akte terroriste.