A ia vlen barra qeranë z.Arvizu?

0
47


Shekulli – Redaksionale, 18.02.2011

Në rreth 20 vite, shqiptarët me zor mbajnë mend ndonjë rast kur është mbyllur ambasada amerikane apo të jenë paralajmëruar shtetasit amerikanë për rreziqe në Shqipëri gjatë një proteste etj. Kjo sjellje e matur ka qenë një arsye më shumë për besimin e madh që shqiptarët kanë tek serioziteti i një vendi të madh si SHBA-të.

Por ajo që është bërë kaq rrallë në 20 vite, po ndodh thuajse rëndom këto javët e fundit sa herë opozita në këtë vend njofton protesta. Edhe dje Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ka bërë prapë thirrje qytetarëve amerikanë që të kenë kujdes etj, etj gjatë zhvillimit të protestës së opozitës. Sa qytetarë amerikanë ka në Shqipëri vallë? Është e vështirë të lajmërohen ata pa bërë deklarata publike? Nëse po, cili është qëllimi i këtyre deklaratave?

A bëhen të tilla në vende të tjera të Europës, kur njoftohen protesta? Dhe çfarë është kjo mungesë serioziteti me tekstin e deklaratave që dalin nga ambasada amerikane? U lëshua dje në mesditë një deklaratë për kujdes në deklaratën e PS-së, disa orë më vonë, erdhi një tjetër tekst nga ambasada, i korrigjuar, ku hiqeshin ca fjali dhe shtoheshin ca të tjera (!). Shtohej një paralajmërim i dytë për kujdes edhe në protestën e PD-së më 20 shkurt (!). Dukej sikur dikush u kish thënë: “Ej, futni dhe ata të PD-së se po bën muuu që po mbani anë”.

Edhe disa ditë më parë, u korrigjua një deklaratë (e padëgjuar më parë) e ambasadorit në fjalë, për korrupsionin në Shqipëri. Edhe një deklarim i mëparshëm për një “burrë shteti” që mbiu në Tiranë, u tha se ishte lëshuar në një kontekst të caktuar etj, etj.

Nuk dimë nëse ambasadorit amerikan ia shkruajnë apo ia përkthejnë gjërat të tjerët, apo vetë ai bëhet pishman e i rishkruan, apo ndoshta e ngatërron Shqipërinë me nivelin e Uzbekistanit, ku ka punuar më parë, apo ndoshta gjithë kjo sjellje fsheh poshtë ndonjë gjë më të ulët se thjesht real-politika, por duhet thënë që këto deklarime, përgënjeshtrime e rideklarime nuk janë aspak serioze.

Shqiptarët e dinë që të huajt mund të luanin një rol të jashtëzakonshëm në këtë moment. Në veçanti këtë rol mund ta luanin amerikanët, dhe kjo për një mori arsyesh që lidhen me rrjedhën e zhvillimeve shqiptare gjatë 20 viteve të fundit, apo me fuqinë e tyre për të kondicionuar e zbutur sjelljen e kryeministrave lunatikë të provincave të botës. Mirëpo, tek përfaqësuesi i rradhës i SHBA-ve në Tiranë, publiku shqiptar nuk po gjen asgjë të tillë.

Përkundrazi, piaca është ulur aq shumë, sa po na duket sikur po flet ndonjë drejtor i administratës së Berishës dhe jo një diplomat. Për të ardhur keq që në një vend si Shqipëria, ku SHBA-në me të vertete e duan dhe e respektojnë të gjithë, të ketë një nivel të tillë përfaqësimi.

Në redaksinë e Shekullit nuk kanë të reshtur këto ditë letrat dhe emailet e protestës ndaj deklaratave të tij. Më poshtë po shtojmë një pjesë nga një letër e një prej lexuesve tanë në Shekulli Online: “Zotrinj të Ambasadës së SHBA-ve! Tragji-komike kjo thirrje juaja ndaj shtetasve amerikanë! Nuk jemi aq naive sa te mos kuptojme se këto thirrje jane per dekurajuar pjesemarrjen në demostratë. Jo zotërinj, mos shpërndani thirrje të tilla ndaj amerikanëve!

Shqiptaret e çdo krahu politik janë miqtë tuaj, ndoshta nga më besnikët që ka njohur historia e shtetit Amerikan.

Shqiptaret e kane treguar me vepra kete simpati që me ardhjen e ish-Ministrit Bejker, kur ai u prit ne Tiranë si askund tjeter ne botë. Shqiptaret priten si askund tjeter, me nderimet me te medha, edhe ish-Presidentin Bush, pamvarsisht se vetë populli Amerikan e quante ate Presidentin me me pak Popullaritet te Amerikes në histori.

Pranuam edhe ironinë e agjensive të lajmeve që deklaronin se një Pritje e tillë Bushit nuk i ish rezervuar askund ne Bote,bile as as ne Teksasin e tij! Zotërinj! Shqiptaret sot demostrojne per te drejtat e tyre te neperkembura nga nje Qeveri e korruptuar deri në kockë! Ata nuk mund të aprovojnë deklaratat jo serioze dhe që nuk i përgjigjen së vërtetës për politikanin më klloun e më të papërgjegjshëm që ka njohur Shqiperia ndonjeherë.

Kur e quani “burrë shteti”, këtë vrases të Demokracise së brishtë shqiptare, mos pritni duartrokitje. Shqiptaret janë një popull i vogël, por shumë i vëmendshëm ndaj miqve të sinqertë. Ata nuk kerkojne asgje prej jush vecse te zbatoni për demokracinë shqiptare standartin që keni në vendin tuaj dhe jo dy standarte, nje per vehte dhe nje per te tjeret, e, sidomos kur ky tjetri ju ofron nje miqesi te denje dhe te sinqertë!..”

Kjo është vetëm një nga qindra letra që lexohen në Shekulli Online.
Për fat të keq, për herë të parë, në Shqipëri, ka një lloj fryme revolte popullore ndaj një përfaqësuesi amerikan. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që SHBA-të të shihen me antipati në Shqipëri.

Jemi vërtet vend i vogël, por kur mendon që jemi i vetmi popull pro-amerikan i rajonit, çdo ndjenjë e tillë, përbën një problem që i tejkalon disa herë interesat e një njeriu apo të një momenti. Siç e kemi theksuar edhe herë të tjera, ambasadori amerikan ka axhendën e tij dhe krizën nuk mund ta zgjidh ai por vetë shqiptarët.

Por kjo nuk do të thotë që SHBA-të t’i lejojnë vetes të humbin – apo qoftë edhe të ndajnë më dysh në ndjenjën filoamerikane – të vetmen shoqëri totalisht pro tyre në rajon. Kjo do ishte e tepërt. E për çfarë gjithë ky risk? Për të mbrojtur një kartë të djegur si Berisha. A ia vlen barra qeranë z.Arvizu?