A i rrezikon Ligji Antimafie, kursimet e emigrantëve shqiptarë?

0
29

Eduard Prifti, 12.12.2009

Ligjin “antimafie”, ekspertët po e cilësojnë të frikshëm për emigrantët. Paçka se realiteti kamuflohet dhe ngjyroset, për ekonomistët, është e qartë që Qeveria e ka zhytur shtetin në krizë të thellë financiare, pasojë e paaftësisë, vjedhjeve dhe emocionalitetit idiotesk në investime. Kriza po tentohet të fshihet me të gjitha mënyrat.

Ajo është shkaku kryesor i nervozizmit prej psikopati që manifestojnë këto ditë krerët e shtetit. Po bëhet gjithçka që të gjenden para. Me të gjitha mënyrat. Gjoba pa fund me arsye dhe pa arsye mbi qytetare e bizneseve. Këto të fundit janë zhytur në frikë dhe kaos përballë një shteti të lajthitur, por edhe të falimentuar financiarisht.

Mbi 50 milionë euro gjoba iu vunë arbitrarisht pa asnjë arsye ligjore karburanteve jo shumë ditë më parë. Ato u bënë bllok dhe kërcënuan se do t’i mbyllnin të gjitha pikat e karburantit dhe do paralizonin vendin nëse qeveria do vijonte super-gjobitjet. Vetëm përballë këtij paralajmërimi, qeveria u tërhoq.

Sot kemi përballë një ligj të ashtuquajtur antimafie. Qëllimi është i dyfishtë: Kërcenim i rivalëve politikë dhe kritikëve të qeverisë nga njëra anë, rrëmbime pasurish nga ana tjetër.

Edhe vetë emigrantët rrezikojnë një ’97 të dytë. Askush nuk e ndalon dot një qeveri-bande në krizë për para të nxjerrë (bazuar në ligj!!) një urdhër për bllokimin e llogarive të tyre në Shqipëri, me një kusht si ato që kanë cituar dy ditë më parë disa ekspertë bankash: “Kush ka mbi 15 mijë euro kursime, i bllokohen derisa të sjellë dokumentacionin që provon ligjshmërinë e tyre” (!). E nëse kjo ndodh si mund të provojnë mijëra emigrantë “ligjshmërinë” e kursimeve kur dihet se kanë punuar dhe punojnë vite të tëra në të zezë?

Piramida kësaj here është vetë shteti, humbja e kursimeve të kujton rënien e piramidave të 12 viteve më parë. Kush nuk mëson nga historia, është i ndëshkuar të vuajë përsëritjen!


*Autori eshte ekonomist, jeton ne Athine.