Nga Mero Baze, 20 Shkurt 2012
Dy ushtarakë shqiptarë në Afganistan janë vrarë, tha Ministria e Mbrojtjes. Disa orë me pas, për ta bërë këtë ditë të dhimbshme joserioze, si çdo gjë tjetër, tha se njëri ka vdekur, ndërsa tjetri është në koma. Episodi i humbjes së jetës së tyre është i pakuptueshëm për ne që jemi qindra kilometra larg, për më tepër kur thuhet se u vranë nga zjarri i hapur nga policia lokale, por ne pranojmë fatin e tyre si ushtarë të NATO-s. Ata u vranë si të tillë. Edhe pse situata në atë vend është absurde dhe shpesh ka kundërvënie të policisë lokale ndaj forcave ndërkombëtare, ne duhet të pranojmë që të qenit pjesë e NATO ka dhe taksën e saj.
Por ndërsa dy ushtarakët tanë u qëlluan si ushtarë të NATO-s, të gjithë ne na bren dyshimi dhe makthi nëse ata janë trajtuar si gjithë ushtarët e NATO-s që kanë shkuar në atë vend. Për shumë vende anëtare të NATO-s shkuarja në një mision shërbimi paqeruajtës siç është dhe ai Afganistanit është një procedure krenare dhe dinjitoze, është një hallkë e rëndësishme në karrierën e një ushtaraku dhe mbi të gjitha shoqërohet me një staturë respekti dhe privilegjesh në vendet e tyre pas misionit. Ndryshe nga këto vende, ushtarakët shqiptarë që marrin pjese në misionet e NATO-së kalojnë shpeshherë në një procedurë poshtërimi paraprak, sidomos ata ushtarakë që vijnë nga familje të varfra apo me probleme sociale.
Në një kabllogram të ambasadës së SHBA në Tiranë, drejtuar Departamentit të Shtetit, shkruhej tre vjet më parë se një ushtarak i lartë i ushtrisë shqiptare, që sot është Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, merr ryshfet deri në 7 mijë dollarë për të çuar një ushtar në misionet paqeruajtëse. Siç dhe e ka pranuar vetë më pas ambasadori Withers, raportimet e tij nga Shqipëria kanë qenë serioze dhe të mbështetura mbi burime që ambasada e SHBA në Tiranë ka siguruar brenda ushtrisë. Ato janë raportime reale dhe janë përcjellë në Uashington si shqetësim për një vend që po pranohej në NATO.
Sonte, kur miliona shqiptarë kanë pritur me hidhërim lajmin e vrasjes së ushtarëve të tyre në Afganistan, gjëja e parë që të shkon në mendje është nëse i kemi poshtëruar këta njerëz kur i kemi nisur në luftë? Kjo është një pyetje që mundon sot qytetarët, që kërkon të ngushëllojë familjet e tyre. Ne sot jemi të gatshëm t’i nderojmë ata dy ushtarakë, të përlotemi dhe të bëjmë ceremoni madhështore për pritjen e tyre në atdhe, por të gjithë kemi atë dyshimin që bren si krimb fasadën e kësaj feste të shtirur. A i kemi respektuar njësoj dhe kur i nisëm të gjallë? A u ka kërkuar lekë ai oficeri i lartë që më vonë u bë shef shtabi? A u ka kërkuar lek dikush tjetër? A kanë shkuar ata aty vërtetë si ushtarë të NATO-s, apo kanë shkuar thjesht si hallexhinj që kanë paguar gjobën tek ushtarakët tanë të korruptuar, pjesë e një sistemi të korruptuar?
Këto janë pyetje që i rëndojnë sot në supe kësaj shoqërie më shumë se dy arkivolet e ushtarakëve të vrarë. Ata po kthehen në atdhe si dëshmorë të NATO-s, por mund të kenë ikur në Afganistan si klientë të ndonjë ushtaraku të lartë.
Nga ky makth nuk na shpëton dot askush. Është taksa që një shoqëri e korruptuar i paguan mungesës së moralit dhe shtetit ligjor, nepotizmit dhe politikës tribale, sekserllëkut që është ngritur në sistem dhe humbjes së besimit tek shteti ligjor. E vetmja gjë që kemi në dorë është një lutje për Shefin e Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, që i ka dalë së paku emri nga dokumentet amerikane që ka bërë pisllëqe të tilla. Lutja jonë është se nëse ai ka marrë para për të dërguar këta dy oficerë, ose nëse di se ka marrë para dikush që këta dy ushtarakë të shkojnë në Afganistan, të mos dalin t’i presin në Rinas dhe sidomos të mos shkojnë t’i shoqërojnë në familjet e tyre.
Njerëzit mund të zihen ngushtë dhe mund të mos ua përmendin, por ata duhet të kenë burrërinë të rrinë larg arkivoleve. Biles me kaq nam të keq sa kanë marrë, është mirë të mos shfaqen askund. Ka plot shqiptarë që do të dinë t’i nderojnë dy djemtë e tyre që u qëlluan në emër të një misioni paqeruajtës. Ka miliona shqiptarë që marrin pjesë në dhimbjen e familjeve të tyre. Mos ta prishim paqen e kësaj dhimbje duke parë në ekran të përlotur ato fytyra që kërkojnë pare për t’i nisur djemtë tanë në luftë.
Derisa të sigurohemi që edhe djemtë tanë nisen plot dinjitet në këto misione si ushtarë të NATO-s, është mirë që ata të cilët na e kanë thyer këtë besim dhe e kanë prishur këtë fat dinjitoz për ushtarakët shqiptarë të rrinë larg atyre arkivoleve. Ato po kthehen të mbuluar me flamurin shqiptar dhe atë të NATO-s plot nderime e respekt, por ne ende nuk e dimë si kanë ikur. Dhe nuk ka si ta dimë në një vend ku Ministria e Mbrojtjes tallet me lehtesi dhe jeten dhe vdekjen e tyre, duke na dëshmuar se s’ka marrë mundimin të flasë as me spitalin, duke e bërë joserioze dhe ditën e dhimbjes për ta, duke ia hequr kuptimin sakrificës së tyre, siç i kanë hequr kuptimin seriozitetit të këtij shteti.







