Nga Erion Braçe, 16 Korrik 2012
A është Sali Berisha i “barabartë me qytetarët”?
Po Shkëlzen Berisha?
Po Lulzim Basha?
Po Fatmir Mediu?
Po Albana Vokshi?
Po Genc Ruli?
Po Arben Imami?
Sapo dëgjova Sali Berishën të thotë dy gjëra:
E para, “heqja e imunitetit do rrisë transparencën dhe do ulë korrupsionin e administratës”!!
Sali Berisha është tërësisht abuziv. Administrata është pa imunitet ndaj ndjekjes penale. A, po, Sali Berisha i ka dhënë imunitet çdo administratori, duke e mbrojtur përballë prokurorisë apo duke e shpëtuar paq në gjykatë. Ndaj ata s’i dënon kush.
E dyta, “heqja e imunitetit është interes qytetar, sepse zyrtari duhet të jetë i barabartë para ligjit me qytetarin”!
Në fakt politikani ka imunitet- deputet apo ministër. Deputeti dhe ministri pa imunitet është interes publik, pasi gjykimi i korrupsionit është interes publik.
Por unë dua të pyes:
Ai është i barabartë Sali Berisha me qytetarin?
Sali Berisha në më shume se një rast ka shkelur personalisht ligjin. Në 21 Janar, për vrasjet atë dite ai ka marrë përsipër autorësinë e urdhrit për vrasje!!
E hetoi kush Sali Berishën? Po një qytetar që shkel ligjin, madje ka kryer krim, e ka privilegjin e Berishës? Natyrisht që s’e ka! Sepse Sali Berisha është pushteti sot dhe ai e dhunon Prokurorinë!
Shkëlzen Berisha ka të faktuar lidhjen direkte me Ministrinë e Mbrojtjes në rastin e Gërdecit, biznesi ku u vranë 26 shqiptarë, mes tyre edhe fëmijë!!
E hetoi kush Shkëlzen Berishën? Po një qytetar që shkel ligjin, madje ka kryer krim, e ka këtë privilegj? Natyrisht që s’e ka! Sepse Shkëlzeni ka babin Kryeministër e ai doli e i tha Prokurorisë se “djali im i takon ministrat se ka qenë me ta në lëvizjen e Dhjetorit”!!
Lulzim Basha ka të ngritur akuzën për abuzim marramendës me mbi 280 milion dollarë në tenderimin e rrugës Durrës- Kukës.
A u gjykua Lulzim Basha? Po një qytetar që bën të njëjtën shkelje ligjore e ka privilegjin e Lulzimit? Natyrisht që s’e ka! Sepse Lulzimi është “djali i gjetur” i Sali Berishës, Sali Berisha është Kryeministër dhe ai e dhunon Gjykatën e Lartë për të!
Fatmir Mediu e ka të ngritur akuzën për përfshirje në biznesin kriminal të Gërdecit me pasojë vrasjen e 26 shqiptarëve.
A u gjykua Fatmir Mediu? Po një qytetar tjetër me po të njëjtën shkelje ligji, a e ka këtë privilegj? Natyrisht që s’e ka! Sepse Fatmiri e di mirë lidhjen e Shkëlzenit me Gërdecin, po të flasë ai, i biri i Kryeministrit do të ketë një dëshmi të fortë për fajësi mbi kurriz!! Ndaj për të shpëtuar të birin, Kryeministri shpëton edhe Fatmirin, duke dhunuar Gjykatën e Lartë!
Po privilegjin e Gencit, Albanës, Arbenit, deputetë e ministra, e ka kush tjetër, qytetarë domethënë? Ata as u dërguan para një gjykate fare.
Në fund fare, po privilegjin e Ndrea Prendit, vrasja e të cilit më 21 Janar është provuar nga FBI-ja, e ka kush? Ai vrau e s’u dërgua në burg! Ai vrau dhe rri në shtëpi! Sepse Sali Berisha tha: Unë nuk e zbatoj urdhrin e prokurores lavire.
Ky është superimuniteti. Ky ka kthyer vrasjen, vjedhjen, në të pandëshkueshme në këtë vend. Kush vret e vjedh për pushtetin ka imunitetin që e jep Berisha para kujtdo, prokuror apo gjykatës qoftë.
Ndaj heqja e imunitetit ligjor për funksionin nuk mjafton. Për këtë arsye duhet prokurori e gjykatë e pavarur.
Heqja e imunitetit të Berishës është interes kombëtar. Shporrja e tij ndal krimin dhe korrupsionin, kthen ndëshkueshmërinë.
Rrëzimi i sistemit të Berishës kthen barazinë mes qytetarësh.







