TemA, 1 Maj 2013
E përditshmja Dita është marrë që prej daljes së saj në treg me çështjen e konfliktit mes familjes Haklaj dhe kryeministrit Sali Berisha.
Në një nga dëshmitë e mëparshme, kjo e përditshme ka raportuar se atë ditë kur u vra Azem Hajdari, Haklajt në fakt kishin ardhur në Tiranë me një tjetër qëllim. Shënjestra e tyre duket se ka qenë kryetari i PD në atë kohë, Sali Berisha.
Fakti që kryeministri Sali Berisha shfaqet rregullisht me jelek antiplumb, edhe kur është pisku i vapës, ka bërë që të shtohen spekulimet se ai ruhet nga dikush.
E përditshmja Dita merr këto spekulime dhe raporton se frika e Berishës mund të vijë nga ky i ri, nip i Haklajve, i larguar nga Shqipëria në maj të vitit 2002, pas vrasjes së babait të tij në Tropojë.
Gazeta shkruan se ai është një qitës i shkëlqyer dhe është stërvitur si komando në Gjermani.
Atij nuk i lejohet që të hyjë në Shqipëri, edhe pse nuk është në kërkim dhe nuk ka kryer ndonjë vepër penale.
Madje Dita shkruan se në gusht të vitit 2009 ka pasur një incident me të, që ka vënë në alarm truprojat e Berishës./ep