A është i kapur Berisha nga krimi?

0
35

Nga Tema

Në një nga fjalimet më kryesore që do mbante kryeministri, Sali Berisha, pas zgjedhjes në vitin 2005, do të deklaronte se krimi kishte kërkuar që ta blinte, por ai nuk do të dorëzohej.

Jam këtu për t’iu drejtuar qytetarëve shqiptarë dhe ju, totalisht me një sens apartiak. Po pse e them këtë? Sepse dua të jem shumë i sinqertë me ju. Gjatë këtyre muajve ka pasur, jo vetëm anëtarë të opozitës, por ka pasur dhe anëtarë të mazhorancës, të cilët më kanë kërkuar mua simbiozën, madje kanë insistuar që pse të mos i marrim ne ato miliarda pará, që burojnë nga kanalet e zeza të krimit! Jo dhe jo, ka qenë përgjigjja ime kategorike. Sepse krimi është antishteti, sepse paratë e krimit janë shkatërrimi i shtetit.

Pa shtet s’ka liri, s’ka dinjitet, s’ka të ardhme, s’ka siguri, s’ka asgjë, s’ka komb. Ka vetëm rrënim të përditshëm të tij. Ndaj dhe unë kam bërë zgjidhjen time. Mund t’ju them se krimi i organizuar shqiptar ka qenë në gjendje të më paguajë mua, jo dhjetëra, por qindra milionë që unë të vazhdoja simbiozën me ta. Por zero tolerancë; kjo është politika ime. Për shkak të kësaj politike unë kam ndërmarrë këtë nismë. Quajeni personale, quajeni politike – unë qëndroj në një betejë, në të cilën ju garantoj se shqiptarët do të dalin të fituar. A arriti krimi i organizuar këto përmasa, të cilat u bënë të llahtarshme për Evropën?! Po dhe po.

Do t’u rrëfej një gjë shumë interesante. Më keni dëgjuar gjatë viteve të shkuara, më shumë se çdo shqiptar tjetër, të lakoj emra vrasësish, banditësh, trafikantësh këtu në parlament, para medieve dhe kudo. E bëja me një qëllim, e bëja për t’iu treguar të gjithëve se nuk mund të mposhtnin këta xhelatë dhe hanxharë krimi kurajën e një populli. Nuk mund të mposhtet kuraja qytetare, ajo është më e fuqishmja.

Gjatë gjithë këtyre viteve unë kam jetuar i qetë në banesën time pa roje te dera, bashkë me bashkëshorten time. Po pse? Sepse kjo skuadër vrasësish, trafikantësh, natën kryente krimet, ditën drekonte me kryeministra dhe ministra. Ndihej tërësisht e sigurt dhe thoshin: “Le t’i bjerë qemanes Sali Berisha, pa ne pasurohemi”. Dhe ja ku i kemi këta që na përkrahin”, – do të shprehej Berisha në fjalimin e mbajtur në seancën për largimin e ish-kryeprokurorit, Theodhori Sollaku.

Tani është momenti që kryeministri të pyetet, nëse i ka pranuar ato qindra miliona dollarë e euro që i janë ofruar nga krimi.

Berisha duhet të përgjigjet se kush ishin ata të opozitës dhe të mazhorancës që i ofruan pará dhe a janë gjëkundi para drejtësisë ata.

Tani që ai mban në kabinet dy ministra që kanë ndyrë duart në aferat më të zeza dhe të rënda korruptive në vend, ai duhet të na përgjigjet për këtë.

Tani që ai ka në koalicion Kokën e Klanit të Zemunit, që e akuzonte pareshtur për kontrabandë dhe trafiqe dhe që u arrestua për këtë, duhet patjetër të përgjigjet.

Tani që ai ka në koalicion Dritan Priftin, për të cilin në prokurori ndodhet një nga dosjet voluminoze për korrupsion, ai do të duhet të na përgjigjet.

Tani që në burg ndodhet Rezart Taçi, të cilit i ka falur ARMO-n dhe i ka dhuruar me vendim antikushtetues monopolin e naftës në vend, ai duhet të na përgjigjet.

Do na duhet gjithmonë të rikujtojmë se është ai Taçi që e ka akuzuar para zgjedhjeve të vitit 2005 se lëviz kontrabandën e naftës në vend.

Përndryshe do vijojmë të besojmë atë që thotë sinqerisht Koka, që Berisha donte t’i zinte vendin atij. Madje më keq, se ai po vazhdon simbiozën me ta.