Nga Bledar H Prifti
Kam shkruajtur shumë për Ilir Metën dhe LSI, dhe ngahera kam shprehur bindjen se LSI nuk është parti politike por një organizatë primitive që është futur në politike me synimin të plackisë çfarë të mundi nga pasuritë dhe xhepat e shqiptarëve. Dhe ajo e ka dëshmuar këtë më së miri. Kush mendon se Sali Berisha është përgjegjësi i vetëm i situatës, thjesht gënjen veten. Për afro katër vjetë, LSI ka drejtuar tre ministritë më të rëndësishme, siç janë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë, dhe Ministria e Jashtme, dhe ka komanduar mbi 20% të aparatit të shtetit dhe qeverisur mbi 30-40% të interesave të përditshme të shqiptarëve (ekonomia dhe mjeksia janë dy pikat më nevralgjike në jetën e një personi).
Që nga viti 2009, LSI i ka shkaktuar shqiptarëve po aq fatkeqësi sa i ka shkaktuar këtij populli Sali Berisha me kopenë e tij, dhe këtu mund të fusni tragjedinë e 21 Janarit, emërimet e shërbëtorëve të Sali Berishës në krye të bashkisë së Tiranës dhe të Presidencës, dhe një lum fatkeqësish kundër popullit shqiptar që Sali Berisha nuk do të mund t’i egzekutonte pa votat e bashkpuntorit të tij të ngushtë, Ilir Meta. Jam shprehur rregullisht se LSI është një organizatë që nuk ka as më të voglën përgjegjësi elektorale përkundrejt elektoratit pasi pazaret politike mbysin çdo vlerë dhe interes publik.
Edhe pse LSI që prej katër vjetësh drejton tre ministritë më të rëndësishme, edhe pse ajo i premtoi integrim dhe solli veç izolim, hajdutëri, vuajtje, vrasje, dhe skamje, LSI vazhdon të portretizohet si një parti opozitare ose e pa përgjegjshme për cfarë ka ndodhur në shqipëri në këto katër vitet e fundit. Në një shkrim të tijin, Arjan Vasjari e quan këtë fenomen një hipnotizim të politikës dhe shoqërisë nga fenomeni LSI. Për Vasjarin është në kufijt e hipnozës fakti se si një “parti” si LSI e cila po qeveris që prej katër vitesh bashkë me Berishën të na paraqitet kaq e papërgjegjshme për situatën politiko-ekonimike në të cilën dergjen shqiptarët. Por më absurd është fakti se LSI, përmes këtij hipnotizimi, ka arritur të ngrejë në mënyrë fiktive potencialin e saj elektoral dhe mbështetjen që ajo ka në popull.
Dhe këtu fillon për mua fatkeqësia më e madhe e politikës shqiptare dhe e opozitës në veçanti. E hipnotizuar nga fenomeni LSI, opozita vazhdon të jetë në pritje të një bashkpunimi elektoral me LSI. Ndërkaq, Sali Berisha, si i mprehte që është politikisht, e ka kuptuar këtë hipnozë dhe vazhdon ta mbajë larg LSI, dhe jam i sigurt se ai nuk do që tia shikojë “bojën” deri në 23 qershor. Pas 23 qershorit vazhdon avazi i vjetër i Saliut. Kam frikën se opozita, në mardhënie me LSI nuk po shikon realitetin por po sillet nën ndikimin e hipnozës duke i interpretuar gjërat ashtu siç do të donte opozita të ishin. Analizohet një koalicion i mundshëm por në të futen vetëm ata element të koalicionit që i pëlqenjë apo i vijnë për mbarë opozitarëve dhe jo ata element real që luajnë kundër interesave të opozitës. Analizohen përfitimet nga koalicioni por injorohen në mënyrë absurde humbjet nga ky koalicion.
Disa pyetje na bëjnë të kuptojmë se cila është shuma reale (positive apo negative) nga mbledhja e përfitimeve dhe humbjeve në rast të një koalicioni PS-LSI. Do të mundohem që të përfshijë në këtë analizë elementë si moral ashtu edhe racional, edhe pse të parët janë objekt debati. Nga ana racionale, arsyeja kryesore së përse PS kërkon një koalicion me LSI është fakti se LSI komandon tre ministri shumë të rëndësishme që kanë mijëra vënde punë, dhe se egziston bindja se votuesit Shqiptar blihen për këto vënde pune. Por këtu injorohet nga ana e opozitës një pyetje shumë e rëndësishme: Nëse LSI i bashkohet opozitës në një koalicion parazgjedhor, a do ta largojë Sali Berisha LSI-në nga pushteti? Bazuar në kushtetutën shqiptare, kryeministri ka fuqinë që të shkarkojë dhe emërojë ministrat e kabinetit të tij. Prania e Nishanit në Presidencë e bën këtë gjë edhe më të lehtë (edhe pse mund të qeveriset me zv/ministra si Nano qëmoti). Unë, dhe çdo mëndje racionale, do të përgjigjej se Sali Berisha do ta largonte në sekondë LSI-në nga qeverisja në rast se ajo vendos t’i bashkohet një koalicioni me opozitën e sotme.
Pyetja e dytë që do të ndiqte të parën do të ishte: Nëse LSI vendos t’i bashkohet opozitës, a do të rrëzohet qeveria Berisha? Në këtë rast unë jam shumë i bindur se largimi i LSI nga qeveria nuk e rrëzon qeverinë pasi shumë elementë të tjerë janë të gatshëm ta zëvendësojnë atë. Këtu duhet shtuar edhe fakti që opozita nuk mund ta rrëzojë qeverinë pa pasur 71 vota për të emëruar kryeministrin e ri. Përsëri, prezenca e Nishanit në presidencë do të luante gjithashtu një rol të rëndësishëm në këtë mes.
Këtu kalojmë tek pyetja e tretë: Nëse LSI largohet nga qeveria (le të themi vet ose me forcë nga Berisha) dhe qeveria nuk bie, atherë çfarë do të bëhet me ata mijëra të punësuarit në ministritë e LSI? A do të vijnnë ato vota tek koalicioni PD-LSI apo do të ndërrojnë padron dhe do të bëhen vota për Sali Berishën? Nëse disa opozitar mendojnë se votat e vendit të punës blihen, atherë ajo duhet të blihet nga kushdo, përfshirë këtu edhe nga Sali Berisha. Nuk mund të thuash Iliri i blen kurse Saliu nuk i blen, pasi realiteti nuk është siç e dëshiron por ashtu siç është ai vet.
Këtu drejtohemi tek pyetja më e rëndësishme: Nëse pas largimit nga Berisha të LSI nga qeveria dhe kalimit të të punësurve të LSI në kampin e Sali Berishës, cili është përfitimi elektoral i opozitës që afron LSI në një koalicion me të? Në këtë rast, opozita jo vetëm që nuk fiton gjë nga një koalicion me LSI, por ajo do të dërrmohet si nga ana elektorale (elektorat) por edhe nga ana politike pasi Partia Socialiste si drejtuese e opozitës do të portretizohet si një parti pa kauzë dhe kredo politike. Berisha nuk do të humbasë aspak kohë për tia faturuar gjithë dështimet e qeverisë, përfshirë integrimin dhe varfërinë, LSI-së dhe korrupsionit që ajo mbolli në cdo qelizë të politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Ky do të ishte një moment fatlum për Berishën për të tërhequr rreth vetes dhe shpërblyer shumë simpatizantë të djathtë që deri më sot kanë pasur rezervat e tyre për qeverinë Berisha-Meta. Në variantin më të keq, nëse të punësuarit e LSI ndjekin LSI (çka është komplet e pakonceptueshme), Berisha do të ketë në dispozicion një arsenal të tërë vënde punësh për përkrahësit e tij, të aleatëve të djathtë, apo të elektoratit të pavarur, i cili sipas opozitës blihet.
Me pak fjalë, këtu i kemi dhënë përgjigje pyetjes: A e forcon Berishën dhe PD nga ana elektorale dhe politike ikja dhe bashkimi i LSI me opozitën? Nga ana elektorale, Sali Berisha do t’i shtonte partisë së tij, në prag të zgjedhjeve, mijëra vota të siguruara përmes ofrimit të vendeve të punës pas ikjes së LSI nga qeveria. Nga ana politike, Sali Berisha do të rilindte dhe do të armatosej me një arsenal të tërë politik që do të legjitimonte çdo sulm kundër opozitës. Në të njëjtën kohë, opozita do të humbiste kauzën dhe të gjithë arsenalin dhe kredon e saj politike pasi nuk mund të sulmosh dot politikisht Sali Berishën dhe në të njëjtën kohë të bashkpunosh me LSI, me atë që për katër vite me radhë komandoi tre ministritë më të rëndësishme të qeverisë Berisha-Meta dhe i shkaktoi këtij populli tragjedi njërzore, sociale, dhe politike. Thjesht votuesit nuk e kapërdijnë dot këtë fakt, dhe opozita nuk ka përse gënjen vetveten. Gjithashtu, një bashkpunim PS-LSI do të krijonte shumë hapsira politike boshe për të pavarurit ose votuesit që nuk duan as PD dhe as LSI, dhe shumica e këtyre votuesve ose nuk do të votojnë ose do të votojnë AK ose FRD.
Pas gjithë këtyre pyetjeve, një pyetje tjetër është shumë e rëndësishme: Cila është rezultantja e votave/mandateve që i shtohen koalicionit opozitar nga ardhja e LSI-së me votat/mandatet që i largohen opozitësh për shkak të koalicionit me LSI. Unë nuk kam numër për këtë gjë por jam i sigurt se rezultantja do të jetë negative; pra opozita më shumë do të humbë sesa do të fitojë nga një koalicion me LSI. Përvec arsyeve racionale dhe morale të lartpërmendura, këtu duhet të inkludohet edhe fakti se një koalicion me LSI në rastin më të mirë do të inaktivizonte një pjesë të bazës opozitare dhe në rastin më të keq do ta përcante atë. Edhe pse në vitin 2007 pati një bashkim midis kupolës së PS dhe LSI, ky bashkim nuk ndodhi realisht në bazën e partive. Tani situata është tejet më e përkeqësuar sesa ajo ishte në vitin 2007, dhe baza socialiste nuk mund të fshijë me një të rënë të lapsit gjithë vuajtjet dhe sakrificat (edhe njërzore) e kaluara për vite me radhë nën regjimin Berisha-Meta. Thjesht njërëzit (në shumicë) nuk mund t’i harrojnë dhe falin kollaj ato monstruozitete që kanë hequr direkt mbi kurrizin e tyre. Duhet bërë paqe me këtë fakt.
Dhe këtë analizë po e mbyll me pyetjen e fundit: nëse cdogjë ecën siç është parashikuar apo edhe ashtu siç nuk është parashikuar, cila është mundësia që LSI, pavarësisht koalicioneve parazgjedhore, të formojë përsëri një qeveri koalicioni me Sali Berishën dhe PD? Përgjigjia ime do të ishte se një koalicion paszgjedhor i LSI me PD do të ishte mëse normal dhe “moral” pasi për katër vite me radhë Berisha dhe Meta na treguan se ata janë në gjendje të dy të formojnë një lidhje organike që, fatkeqësisht, do të rezultonte fatkeqe për shqiptarët. Jam i bindur se, nëse në një koalicion me PS, LSI do të merrte mandate mjaftueshëm për të krijuar një qeveri koalicioni me Berishën (edhe nëse koalicioni PS-LSI do të dilte fitues), Ilir meta do ta braktiste opozitën për postin e kryeministrit që Berisha do t’i ofronte Metës.
Kjo do të ishte mëse racionale pasi është normale që Meta të pranojë postin e kryeministrit me Berishën dhe Lul bashën sesa postin e zv/kryeministrit me Edi Ramën. Disa në krahun e opozitës nuk duan ta pranojnë këtë fakt dhe argumentojnë se kjo gjë nuk është praktikë botërore. Përgjigjia ime është: Mos vallë ishte praktikë botrore që një forcë e majtë të formonte një qeveri koalicioni për të mbajtur në pushtet (në vazhdimësi) një kryeministër të djathtë? Mblidheni mëndjen, çdogjë mund të ndodh në politikën shqiptarë dhe çdogjë mund të pritet nga Ilir Meta dhe Sali Berisha. Mblidheni mendjen dhe jetoni me realitetin shqiptar dhe jo me atë realitet që do të donit të jetonit, dhe aq me keq me realitetin hipnotizues të organizatës LSI!