A është e lirë një grua e mbuluar?

0
23

Nga Mustafa Nano

Timothy Garton Ash është një gazetar, të cilin e lexoj me shumë ëndje. Edhe kur qëllon që s’jam dakord me të, e lexoj me po aq ëndje. Siç e lexova dhe sot. Kish shkruar një artikull në the Guardian. Dhe merrej me ligjin francez që u ndalon grave myslimane përdorimin e burqa-s (ky ligj është miratuar nga anëtarët e Asamblesë Nacionale dhe hyn në fuqi të hënën). Dhe çfarë qëndrimi mbante? O, po kjo merret me mend. Ai është një liberal me damkë (për pak desh shkruajta liberal par excellence, por m’u kujtua vërejtja që më bëjnë shumë lexues lidhur me përdorimin e fjalëve të huaja, dhe fap, ndërrova mendje; e zëvendësova me përcaktorin “me damkë”; por kuptohet, nuk është e njëjta gjë). Rrjedhimisht ai është kundër këtij ligji.

E niste bukur shkrimin. E niste duke thënë: “Unë besoj se njerëzit duhet të jenë të lirë të publikojnë karikatura kundër Muhametit; unë besoj se njerëzit duhet të jenë të lirë të veshin burqa; në një shoqëri të lirë, burrat e gratë duhet të jenë në gjendje të bëjnë, thonë, shkruajnë, vizatojnë e veshin atë që ua ka qejfi, përsa kohë që duke bërë kështu nuk shkaktojnë ndonjë dëm kushedi se çfarë (significant harm) për të tjerët.” Jeni dakord me sa më sipër?

Jam i prirur të besoj se shumica e njerëzve bien dakord. Por kjo puna e “dëmit jo kushedi se çfarë” duhet përkufizuar. Dhe Garton Ash nuk e bën këtë. Pse? Kam përshtypjen se nuk e ka të lehtë, s’ka gjë se ai lë të kuptohet që s’ka pse ta bëjë, pasi termi është i qartë e i kuptueshëm. Në fakt, nuk duket kështu; askush nuk e ka të lehtë të bëjë një përkufizim të tillë, e aq më pak mund të jetë me mendjen se përkufizimi i tij do të pranohet nga të gjithë. E nga ta dimë ne, fjala vjen, nëse i shkaktojmë dëm (dhe çfarë dëmi) tjetrit, ndërkohë që bëjmë e publikojmë një karikaturë të Muhametit?

Mirëpo, Timothy Garton Ash ecën me logjikën që ka një konsensus lidhur me këtë gjë. Dhe thotë: “ata francezë që janë në favor të idesë së ndalimit të burqa-s, duhet të na tregojnë neve se çfarë dëmi u vjen nga gra që vinë vërdallë me fytyrë të mbuluar”. Dhe më poshtë merret me tre argumentat, mbi të cilat janë bazuar ata që e kanë votuar këtë ligj, dhe ata që janë dakord me ta. Ia vlen ta ndjekim në arsyetimin e tij, e ndërkohë unë do t’i lejoj vetes të shpreh ndonjë mendim mbi mendimin e tij. Së pari, thonë armiqtë e burqa-s, “gratë me fytyrën tërësisht të mbuluar janë një kërcënim për rendin publik”. Jean-François Copé, i cili është dhe kryetari i Bashkimit të Lëvizjes Popullore (partia e Sarkozy-së), përmend një grabitje me armë të kryer në periferitë e Parisit nga kriminelë të maskuar me burqa.

Të tjerë theksojnë frikën prej kamikazesh, që mund ta fshehin identitetin me anë të burqa-s. Timothy Garton Ash e hedh poshtë këtë argument si të stisur e të kërkuar. E vërteta është se mund të ketë keqbërës që mund ta fshehin fytyrën poshtë një veshjeje me simbolikë e domethënie fetare (si burqa), por praktika e deritashme nuk na e nxjerr këtë si një problem të frikshëm. Keqbërësit kanë përdorur që nga kohë që s’mbahen mend burqa-t e tyre, dmth kanë vënë një palë çorape të errëta në kokë, dhe yxhum përpara. Për më tepër, të gjithë e dimë se kamikazet e maskojnë një bombë fare kollaj brenda një çante shpine. Kjo është ajo që ka ndodhur. Atëherë? Atëherë ky është një argument që s’qëndron; të paktën s’ta mbush mendjen shumë. Jam me Garton Ash-in në këtë pikë.

Argumenti i dytë i anti-burqa-istëve është: “një shoqëri e hapur është ajo, në të cilën ne mund të shohim fytyrat e sho-shoqit”. Gorton Ash thotë se i pëlqen kjo si ide, por …. nuk vonon shumë dhe na kujton se zbulimi i fytyrës është një normë legale e vonë e shoqërive perëndimore, dhe se nuk është ndonjë hatá e madhe, nëse ne e ripranojmë këtë rregull për ca e ca, ashtu siç i pranojmë (ne pra, perëndimorët) sho-shoqit rregullin e mbulimit të zonës gjenitale. Ai mund të ketë të drejtë kur thotë se praktikisht Sarkozy dhe të vetët nuk e kanë mendjen tek burqa, por tek votat që duan t’i marrin kandidates tjetër presidenciale, vajzës së Le Pen-it, me emrin Marine; mirëpo, duke thënë këtë nuk është se merret me argumentin në fjalë; përkundrazi, i ikën argumentit, i cili sipas meje nuk është nga ata që mund të hidhet poshtë me një të rënë të lapsit.

Duam të jetojmë në një shoqëri ta hapur? Pse të mos pranojmë një nga rregullat bazë të kësaj shoqërie, dmth nxjerrjen në shesh të fytyrës? Pse u dashka të vëmë në diskutim këtë rregull themelor të shoqërive perëndimore në emër të respektit të një norme fetare shumë të diskutueshme (rëndom të papranueshme) edhe nga shoqëritë e vendeve myslimane? Do doja që Garton Ash të merrej ca më gjatë me këtë argument, por siç ju thashë, ai nuk thotë më shumë se sa kaq.

Vimë tani tek argumenti i tretë, sipas të cilit “dëmi më i madh në këtë mes u bëhet vetë grave të mbuluara”. Silvana Koch-Mehrin, zv.presidentja e parlamentit europian, thotë që “burqa është një burg shetitës”, dhe me këtë lë të kuptohet, se një pjesë e madhe e grave që veshin burqa janë të detyruara prej prindërve e prej burrave ta bëjnë këtë gjë. Çfarë ka Garton Ash kundër? Jo, s’ka ndonjë gjë. Përkundrazi, thotë se “kur i zunë sytë në një ditë të nxehtë në Londër (E dëgjuat? Ditë e nxehtë në Londër. Vetëm një londinez mund të ketë “kurajon” për ta thënë këtë) një vajzë të veshur me të zeza e me fytyrë krejt të mbuluar, të shoqëruar nga një djalë i veshur lehtë, me bluzë me mëngë të shkurtëra, me pantallona të lehta jeans e me atlete sportive, kish menduar se kjo ish tmerrësisht e padrejtë”. Atëherë? Ta mbështesim argumentin në fjalë?

Ah jo, nuk kemi të drejtë ne, thotë ai, që t’i mbushim mendjen vetes me një logjikë paternaliste (ose maternaliste), se “këto gra nuk dinë çfarë është mirë e çfarë është keq”, dhe se prandaj “duhen detyruar të jetojnë si të lira” (çfarë shprehje oksimonorike: t’i detyrosh që të jetojnë të lira). Në këtë mes, arsyetimi sipas meje ka disa të plasura. Së pari, që ka gra të detyruara nga burrat e prindërit e tyre që ta mbajnë burqa-n, kjo nuk mund të vihet në dyshim. E nëse bjemë dakord me këtë, lind pyetja: ç’të keqe ka për këtë kategori grash një detyrim ligjor, që ngrihet kundër një autoriteti (atij të burrave e të prindërve) që nuk don t’ia dijë për vullnetin e tyre? “Por ka gra që e veshin burqa-n me plot dëshirë”, mund të thuhet. Në fakt, edhe kjo nuk mund të vihet në dyshim, por mua do më dukej çudi të mos binim dakord, se dëshira të tilla grave nuk u dalin nga rropullitë, por u lindin në kontekstin socio-kulturor ku kanë lindur e ku janë rritur.

Kështu që rasti i atyre 30 grave myslimane (ndër 32) të përmendura në shkrim, që janë shprehur, teksa janë anketuar, se “ato janë gratë e para të familjeve të tyre që veshin një burqa, se burqa ka qënë një zgjedhje personale, dhe se shumica e tyre e kanë bërë këtë zgjedhje duke mundur rezistencën e burrave, baballarëve e nënave të tyre” nuk shpjegon ndonjë gjë kushedi se çfarë. Ah, nëse nga ky anketim do të dilte se këto 30 gra kishin patur përvoja të ndryshme në jetë, dhe se ishin të arsimuara e të diplomuara në ndonjë universitet, diskutimi do ish ndryshe. Në këto rrethana po, mund të flitej për një zgjedhje të tyren individuale që e kish burimin, në mos tek rropullitë, të paktën tek formimi, kultura e përvojat e ndryshme.

“Sidoqë të jetë, janë ato që zgjedhin”, mund të thuhet prapë. Po, dakord, edhe kjo është zgjedhje individuale, them unë, por nuk është kjo një zgjedhje për t’u sublimuar e shenjtëruar. Këto gra nuk më duken shumë të ndryshme nga ata burra shqiptarë, që “zgjedhin vetë” të bëjnë gjakmarrje. Dhe është e sigurtë që edhe këta të fundit “zgjedhin vetë”; është e sigurtë, për sa kohë që ne të tjerët harrojmë se në kontekste socio-kulturore të prapambetura çdo zgjedhje individuale nuk është asnjë çikë individuale.

Timothy Garton Ash thotë andej nga fundi i shkrimit të tij, se që të jemi në rregull në këtë botë, duhet – dhe në këtë pikë na vizaton një mjedis liberal idilik – që gratë me burqa në kokë ta marrin qetë e shtruar punën e karikaturave për Muhametin, dhe karikaturistët ta marrin shtruar e qetë këtë punën e burqa-ve. Mirëpo, kam frikë se kjo është një mbyllje e kërkuar prej liberali. Pse? Sepse mund të qëllojë që një karikaturist të mos shqetësohet fare nga një grua me burqa në rrugë, por është e zorshme të qëllojë që një grua me burqa të jetë krejt e qetë përballë karikaturës së profetit Muhamet. Dhe thellë-thellë ky është problemi me burqa-n.