Nga Mero Baze, 22 Shtator 2012
Në disa komente online, por dhe mesazhe të miqve të mi prej ditës së djeshme, është shtuar shumë pyetja “a e zuri veza e atij aktivistit të AK Berishën në Romë? Gazeta Tema botoi një foto të momentit kur ai po gjuante makinën, por nuk kemi një foto të makinë së bërë me vezë. Me gjasa mund dhe të mos e ketë zënë, ose nuk është fotografuar nga shpejtësia e madhe me të cilën është larguar.
Problemi nuk është të hetojmë deri në detaje skenën e gjuajtjes me vezë apo me miell. Kam idenë që dhe qesja me miell e ish- të burgosurit politik nuk e preku Berishën, pasi ishte brenda makinës së blinduar. Por ajo i dhembi më shumë se sa granata e hedhur tek këmbët e tij në vitin 1997. Ai arrestoi tre ish- të burgosurit politikë të komunizmit për atë qese mielli dhe pushoi nga puna 20 policë. Kjo është një shenjë që mielli nuk i ka prekur kostumin, por trurin, dhe e ka trembur më shumë se sa një bombë e hedhur mbi të.
Edhe në rastin e vezës së hedhur ndaj tij në Romë, nuk ka shumë rëndësi fakti se deri ku arriti veza, a e preku makinën dhe a mbrojti policia italiane, por ka rëndësi fakti që atij i është prerë oreksi tek dreka e kryeministrave që e priste pas portës së hekurt, ku u qëllua me vezë. Nga të pestë kryeministrat, ai ishte i vetmi, që populli i tij e priti tek dera me protesta. Kaq mjafton për ta vrarë atë më shumë se sa me një vezë. Natyrisht ai nuk mund të pushonte nga puna policët italianë dhe nuk mund t’i ankohej Montit që kishte lënë djemtë e vajzat e AK para vilës ku do të drekonin.
Diferenca mes miellit në Tiranë dhe vezës në Itali është se fuqia e tij për të reaguar ndaj protestuesve është e ndryshme në të dy vendet. Në Tiranë ai mundi të bënte reprezalje, të terrorizonte policinë duke i pushuar nga puna, të arrestonte dhe të përndiqte ish- të burgosurit dhe të përndjekurit e komunizmit, por në Itali thjeshtë mund të turfullonte dhe maksimumi të mos hante drekë siç thuhet që ka bërë në drekën në Montin.
Por ajo për të cilën ne duhet të jemi të vëmendshëm është të shikojmë se si do të reagojë ai ndaj vezës së gjuajtur në Itali kur të kthehet në Tiranë. Mos harroni se ai do ta falë atë vezë. Keni për të parë se si në takimet publike të AK do të shfaqen të fortët e Berishës për të prishur mitingje apo për të dhunuar drejtuesit e tyre.
Keni për të parë gjuhën që ai tashmë do të përdorë ndaj tyre dhe ndaj drejtuesit të AK. Ajo shfaqje e djemve, veshur me flamuj kuq e zinj në Romë, që protestonin kundër kryeministrit të tyre, është një turpërim shembullor që i është bërë atij, pikërisht atje ku ai mendon se mund të fitojë vetëm, duke blerë Perëndimin me lekët e pista të korrupsionit në Shqipëri. Ajo shfaqje është më shumë se sa një vezë e prishur mbi makinën e tij.
Ai personalisht do ta pranonte me qejf ta qëllonte dikush dhe me gurë, por jo në atë vend, ashtu siç do të dëshironte që të përleshej dhe me armë me dikë, por jo ta curronin me një qese mielli duke hyrë në Kuvend. Si njeri që ka dhunën mjet për arritjen e qëllimit, ai ndjehet dyfish i dhunuar nga ideja që kundërshtarët nuk po e dhunojnë, por po e turpërojnë. Dhe beteja e re që do të kemi para me të tani do të jetë beteja për t’u shmangur dhunës që ai do të provokojë. Ai nuk e duron dot ç’burrërimin dhe është i frikësuar se mielli dhe vezët mbi të do të kthehen në një simbol proteste si preshi ndaj Tritan Shehut në vitin 1997. Ndaj duhet të përgatitemi të ndalim sindromën e dhunës që mund të diktojë tani e tutje aktet e tij politike ndaj kundërshtarëve.
Dje në një takim socialistësh u shfaq një njeri me aparat në dorë për të filmuar “armiqtë” kundër pushtetit. Do të shfaqen dita ditës huliganë, tropojanë të pirë, pastaj dhe policë që do të mbrojnë agresorët nga opozita. Është spiralja spontane që ai ndjek për tu treguar të gjithëve se nuk mund ta ç’burrërojë kush. Nuk ka gjë që e çmend më shumë se sa ideja se dikush po tallet me të duke e trembur me vezë dhe miell, të cilat së bashku në fytyrën e Berishës nuk bëjnë dot ëmbëlsirë, edhe sikur t’i shtosh sheqer.







