TemA, 28 Mars 2013
Sali Berisha inauguroi një shtatore të Adem Jasharit, heroit kosovar.
Në fjalën e tij, Berisha tha se ai qëndron pas Skënderbeut.
“Adem Jashari, i derdhur sot në këtë shtatore madhështore nga skulptori i shquar Muntaz Dhrami, ka një fole të përjetshme në zemrën e të gjithë shqiptarëve. Ai do të prehet aty për sa kohë do të jetojë flamuri i tyre legjendar, sepse ai, pas Skënderbeut, është flamurmbajtësi më dinjitoz, më trim, më burrëror i këtij flamuri. Ai u faktoi shqiptarëve dhe botës se heroizmi i këtij kombi nuk ka kufij, se sakrifica e tij për liri dhe dinjitet kombëtar nuk njeh kufij, se është i gatshëm për çdo çmim, për lirinë dhe dinjitetin e tij, të kombit, të vendit të tij,” tha Berisha.
Por një dëshmi tronditëse e botuar në të përditshmen Dita tregon se Berisha mund ta ketë shitur Jasharin tek serbët.
Nënkoloneli në rezervë, Sokol Poga, i dekoruar në Kosovë për ndihmën ndaj UÇK, tregon se si Adem Jashari i ka thënë se si shteti shqiptar i ka shitur tek serbët.
“Në vitin 1993, duke qenë në ilegalitet, Adem Jashari erdhi në Shqipëri të takojë vëllain e tij Rifatin, që vinte nga Gjermania dhe mori pjesë në diplomimin e njërit nga anëtarët e celulave të UÇK-së, Kadri Veselit, që u stërvit në Tiranë dhe gjatë luftës ishte shefi i G-2 (ZKZ,), ndërsa pas luftës, ishte shefi i shërbimit sekret të Kosovës. Ademi më tha: “Sokol! Më vjen keq, më dhemb në shpirt. Na ka dekonspiruar shteti shqiptar, na shiti tek shkjau!”, Kur grupi i Adem Jasharit mbaroi programin e përgatitjes në Shqipëri, Ademi dhe të tjerët që u kthyen në Kosovë, menjëherë u përballën me dekonspirim. Me të vajtur në shtëpi Ademi, tek Jasharajt shkoi policia serbe natën e vitit të ri. Si pasojë e dekonspirimit të bërë nga shteti amë e njëjta gjë ndodhi dhe me elementët e tjerë, të stërvitur në Shqipëri, të cilët, u detyruan të lënë Kosovën dhe të shpërndahen kryesisht në Zvicër, Gjermani e Austri. Vetë Ademi prej atëherë qëndroi në ilegalitet”, rrëfen Poga./ep