A e duam Shqipërinë si gjithë Europa?

0
40

Andrea Stefani

SHQIPTARËT MES LINDJES DHE PERËNDIMIT

Një kapitull i rëndësishëm i librit “Komploti Kundër Lirisë”, që po i ofrohet lexuesit këto ditë në panairin e librit nga shtëpia botuese “Onufri”, analizon faktorët që e vështirësojnë integrimin e shqiptarëve në qytetërimin evropian. Dhe, sipas autorit të librit, Andrea Stefani, vështirësitë kanë të bëjnë me elitat politike shqiptare, elitat ekonomike, me publikun si dhe me vetë Europën e sotme. Lexuesit të “Shekulli”-t po i japim një fragment nga libri që trajton këtë problem:

Jakë ditë e uruar,
që lint nga perëndon.

Naimi

U ngrit fat’ i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri
Mori udhën e Azisë
Duke ikur si i marri.

Naimi

Për Xhenet u nisëm, sosëm në Xhehnem
Shqipëri moj kuçkë, ç’na bëre verem,
Thuaji sikter Europës si den baba den,
Shqipëri moj kuçkë ç’na bëre verem.

Kadare (Viti i Mbrapshtë)

Pyetja e shfaqur në titull mund të rishkruhet: A do të mundin shqiptarët të ripërcaktojnë me sukses identitetin e tyre qytetërimor? Për Hantingtonin procese të tilla kanë qenë jo vetëm të gjata, të dhimbshme politikisht dhe nga ana shoqërore, institucionale dhe kulturore por, përgjithësisht, edhe të dështuara. Që është, në thelb, dështimi i lirisë.

Sepse jo vetëm një individ duhet të ketë të drejtën të zgjedhë por edhe një shoqëri. Nëse një gjë e tillë është e pamundur, atëherë nuk ka shpresë për integrim real në Europë për shqiptarët dhe gjithçka po paraqitet si proces i asociim-stabilizimit, do të rezultojë në një flluskë hipokrito-burokratike që do plasë në fund. E megjithatë është po Hantington që pohon se zhvendosja kulturore e një vendi të përçarë, mund të kryhet me sukses po të plotësohen të paktën tri kërkesa:

“E para, elita politike dhe ekonomike e vendit duhet përgjithësisht ta mbështesë dhe të jetë entuziaste për këtë lëvizje. E dyta, publiku të paktën duhet të ketë dëshirë heshturazi për ripërcaktimin e identitetit. E treta, elementët mbizotërues në qytetërimin pranues, në shumicën e rasteve Perëndimi, duhet të kenë dëshirë ta përqafojë të shndërruarin”. (Po aty fq. 216)

Në të tre këto kërkesa Shqipëria paraqitet me defekte serioze. Ti marrim me radhë:

Elita Politike. Vetë ky libër tenton të rrëfejë dhe shpjegojë shkaqet e paradoksit politik që shfaqet para syve tanë. Sa më shumë vite kalojnë aq më pak entuziaste paraqitet elita politike ndaj projektit perëndimor të demokracisë liberale. Tashmë segmente të kësaj elite nuk janë pjesë e zgjidhjes së problemit por vetë problemi. Nevoja politike ia do që të shprehet me zell për integrimin me Europën. Por lufta për pushtet dhe korruptimi, kanë bërë që në kokë të lidershipeve të lindin tendenca të forta që refuzojnë me vepra atë që pohohet me fjalë dhe me propagandë.

Lufta për pushtet ka bërë që një pjesë e lidershipit të ketë për taktikë manipulimin konstant të zgjedhjeve dhe kjo është as më shumë dhe as më pak, por rrënimi i themeleve të demokracisë. Pa votë të lirë s’mund të ketë demokraci dhe pa demokraci s’mund të ketë integrim me Europën. Nga ana e tij, korrupsioni ka bërë që elitat në pushtet të bëhen kundërshtare të vendosura të shtetit ligjor, të sundimit të ligjit me anë të veprimit të pavarur të pushtetit të drejtësisë.

Pushteti berishist është më tipiku dhe më i vendosuri në këtë rrafsh dhe ne besojmë se kemi dhënë fakte të bollshme për të argumentuar një gjë të tillë. Mania e Sali Berishës për pushtet të përjetshëm e ka bërë që në momente të caktuara, të shprehë dhe aspirata orientimi strategjik që e largojnë Shqipërinë nga qytetërimi Perëndimor dhe e shtyjnë drejt qytetërimit islamik madje edhe atij ortodoks sllav apo më larg, aziatik. Edhe anëtarësimi prej tij i Shqipërisë në Konferencën e vendeve Islamike nuk është e rastit por një taktikë e dhelprës që e lë përherë një dalje nga prapa strofullës së saj.

Në fillim të tranzicionit mes elitës politike dhe asaj intelektuale ishte një tabu, thuajse një “tradhti ndaj popullit”, të përflisje për largimin nga Perëndimi. Por pas 20 vjetësh tranzicion edhe në literaturën politike të kohës ka nisur të qarkullojnë teza haptazi antieuropiane që orientimin drejt Europës e perceptojnë dhe e denoncojnë si tradhtim të një pjese të rëndësishme të kulturës kombëtare. Madje ka sekte intelektuale që iu kundërvihen fort deri edhe idealeve perëndimorëzuese të figurave të shquara të rilindjes kombëtare.

Thamë se është arritur deri aty sa të mburrin skllavërimin e shqiptarëve nën perandorinë osmane dhe natyrisht, të dalin edhe në mbrojtje të lëvizjes antieuropiane të Haxhi Qamilit duke rënë kështu në pozitat e ish-diktatorit Enver Hoxha që si antiperëndimor i thekur, e mburrte atë si një lëvizje përparimtare të fshatarëve shqiptarë.

Elita ekonomike. Kemi argumentuar se aty ku nuk ka borgjezi të vërtetë, nuk ka as edhe një klasë biznesmenësh që i janë dedikuar lirisë dhe së drejtës para së gjithash, për mbrojtjen e interesave të tyre ekonomike nga pushtetet e dhunshme. Borgjezia jonë e këtyre 20 vjetëve i ka lidhur fort interesat e veta ekonomike jo me konkurrencën e lirë dhe ligjin por me tenderat e pushtetit, licencat e ndërtimit, kontrabandat në dogana dhe evazionin fiskal që pjell korrupsion.

Një borgjezi e tillë, që nuk i sheh të kërcënuara interesat e saj nga dhunimi i ligjit dhe lirisë, që nuk e kundërshton por e inkurajon dhe sponsorizon autokratizmin si burim fitimesh korruptive, nuk mund të jetë e dedikuar ndaj projektit europian të integrimit. Madje ajo i bëhet pengesë integrimit të Shqipërisë në Europë sepse kjo do të thotë instalim i shtetit ligjor dhe llogaridhënie për fitimet e paligjshme.

Publiku. Pas atij vrulli fillestar kur i madh dhe i vogël u ngritën në protesta me parullën “e duam Shqipërinë si gjithë Europa (!), entuziazmi ka rënë. Kryesisht për faj të elitës politike, shumica e publikut shfaqet e pezmatuar, e zhgënjyer dhe shprehet se shteti ligjor është një mision i pamundur në Shqipëri. Intrigat, korruptimi dhe lufta e egër për pushtet e elitës politike nga njëra anë dhe pasiviteti, papjekuria e publikut nga ana tjetër, kanë vepruar ndërsjellshmërisht duke hyrë në një rezonancë shkatërruese për projektin e integrimit europian.

Aspiratat e zëshme për të shkuar në Europë, që u shprehën masivisht në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, kishin disa shkaqe. Mbi të gjitha, ishte kundërvënia ndaj një regjimi që duke qenë rreptësisht kundra Europës, kish penguar deri edhe lidhjet fizike të njerëzve me të me anë të një izolimi të përbindshëm. Ndryshimi politik që ndodhi në Shqipëri në ato kohë mund të përligjej dhe të fitonte mbështetje vetëm i zhvilluar nën flamujt e Europës të lirisë dhe demokracisë. Por këtu fshihet edhe diçka tjetër. Në fakt nuk qe arsyeja që brohoriste për Europën por stomaku i zbrazur i shqiptarëve.

Europa nuk ishte liria dhe drejtësia por e kundërta e varfërisë komuniste, e kundërta e tregjeve të zbrazur apo e radhëve të muzgëta të qumështit apo mishit. Europa ishte shoqëria e konsumit, e tregjeve të mbushura, e makinave deri atëherë të ndaluara, e pajisjeve elektroshtëpiake, e këngëve, muzikës, librave, e seksit, diskove, filmave të ndaluar. Shqiptarët e përqafuan Europën, më së shumti, jo si qytetarë të etur për liri por si konsumatorë të uritur. Jo rastësisht, gjëja e parë që bënë shumë prej tyre pasi u hapën tregjet, ishte blerja e një makine. Vetëm pak kohë pas rënies së komunizmit, Shqipëria u shndërrua në një republikë të benzave të përdorur të sjellë kontrabandë. Por kush e lakmon lirinë vetëm për të mirat e saj materiale do të vijë një ditë dhe do ta braktisë atë.

Ndërkaq, vështirësitë ekonomike të tranzicionit, varfëria ekstreme e një pjese të popullsisë, mungesa e drejtësisë dhe prevalimi i dhunës në marrëdhëniet mes njerëzve, kanë bërë që jo pak shqiptarë t’i kthejnë shpinën lirisë si një fantazme që të gjithë e përflasin por askush nuk e ka parë. Dhe kërkojnë shpëtim te forma të ndryshme të tutelës, autoritarizmit dhe nënshtrimit. Nevoja e mbijetesës i ka shndërruar një masë të gjerë të shqiptarëve në mbështetës fanatikë të njërës apo tjetrës parti. Nuk ka rëndësi nëse projekti i liderëve të tyre është në thelb antiliri. Të mposhtur nga sfidat e një “lirie” kaotike, shumë shqiptarë janë arratisur prej projektit të saj. Por arratisja nga liria dhe drejtësia, nuk mund të mos jetë arratisje nga Europa, nga Perëndimi.

Europa. A ka dëshirë Europa ta përqafojë Shqipërinë? Nisur nga filozofia, parimet mbi të cilat ajo ndërtohet, Europa nuk ka asnjë arsye që të mos jetë e hapur ndaj Shqipërisë. Por sa më shumë kohë kalon aq më shumë qëndrimi i saj bëhet një pozicionim i rrjedhur nga vetë performanca e Shqipërisë dhe shqiptarëve në arritjen e standardeve europiane në politikë, ekonomi, struktura institucionale. Europa nuk mund t’i thotë “jo” integrimit të një shteti të formësuar me parametra europiane sepse kjo do të ishte kundër interesave dhe frymës së saj. Por ndërkohë ajo po bëhet gjithnjë e më skeptike për prurje të reja në bashkësinë e saj, edhe nga performanca e dobët e vendeve lindore të integruara së fundi në të si për shembull, Bullgaria apo Rumania.

Madje edhe falimentimi financiar i Greqisë, që solli kaq probleme për kontinentin, nuk mund të mos ndikojë në rritjen e një skepticizmi të tillë. E djegur nga “qulli” Europa ka shumë të ngjarë ti fryjë edhe “kosit”. Shenja të tilla u dhanë që në rastin e heqjes së vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën në fund të vitit 2010. Megjithëse grupet europiane të monitorimit raportonin se teknikisht të dy vendet i kishin plotësuar kushtet teknike të udhërrëfyesit për heqjen e vizave, Franca, Hollanda, Danimarka dhe disa shtete të tjera, votuan kundra heqjes së vizave me këto dy vende, të fundit në Ballkan që nuk e gëzonin një liri të tillë. Rasti u bë shkak për spekulime që nxirrnin si shkak faktorin fetar. Shqipëria edhe Bosnja konsiderohen vende me shumica myslimane.

Por pikërisht për këtë Europa nuk do të ketë rast më të mirë për pranimin e një vendi si Shqipëria me një popullsi relativisht të vogël së cilës i përgjigjet një përfaqësimi të vogël në Parlamentin Europian. Nga njëra anë, pranimi i Shqipërisë do qe një fakt i fortë për të hedhur poshtë spekulimet se integrimi pengohet nga faktori fetar. Nga ana tjetër, Europa nuk do të rrezikonte asgjë në drejtpeshimin e saj politik si në ndonjë një rast tjetër, për shembull, në atë të pranimin të një shteti të madh si Turqia. Por edhe skepticizmi i Europës ndaj Turqisë nuk ka të bëjë me të qenurit popullsi myslimane por me shkallën e oksidentalizimit të turqve. Sikundër ka argumentuar Bernard Luis (Bernard Leëis) transformimi i madh që po ngjet në Turqi që nga rënia e Perandorisë Osmane duhet përkufizuar mbi të gjitha sipas termash qytetërimorë:

“Revolucioni i tyre, ishte ai i Oksidentalizmit – një tjetër hap në marshimin e popullit turk drejt Perëndimit, i filluar 1000 vjet më parë, kur ata hoqën dorë nga Kina dhe u kthyen drejt Islamit. Tani duke hequr dorë nga një pjesë e madhe, ndonëse jo krejtësisht, e trashëgimisë së tyre islamike, ata janë kthyer nga Europa, duke bërë një përpjekje të vazhdueshme e të vendosur për të përshtatur dhe zbatuar mënyrën europiane të jetesës, në qeverisje, në shoqëri dhe kulturë…Në procesin e këtij shndërrimi, një rëndësi themelore ka pasur zëvendësimi i koncepteve të vjetra islamike mbi identitetin, autoritetin dhe besnikërinë”(Bernard Lewis, Lindja e Turqisë Moderne, fq. 542)

Prandaj edhe në rastin e Shqipërisë, skepticizmi europian ndaj saj do të jetë, edhe në të ardhmen, i themeluar vetëm mbi dyshimin nëse janë realizuar standardet europiane apo jo, nëse vërtet Shqipëria është bërë evropiane, apo jo? Pengesë tjetër nuk ka.

Roli i Europës por edhe i krejt Perëndimit në integrimin e Shqipërisë ka të bëjë edhe me një rrafsh tjetër, me misionin e eksportimit të vlerave dhe jo institucioneve të demokracisë perëndimore në Shqipëri. Është një rrafsh ku diplomacia dhe politika europiane (por, kohë pas kohe, edhe ajo e SHBA) për shkaqe të ndryshme, kanë shfaqur mangësi dhe devijime që i kanë kushtuar jo pak konsolidimit të sistemit të demokracisë liberale në Shqipëri.