A e do Berisha integrimin e Shqipërisë në BE?

0
48

ResPublica.al, 5 qershor 2012

Revista Business New Europe, me qendër në Bruksel, mbulon zhvillimet ekonomiko-financiare dhe politike në vendet ish-komuniste europiane. Tetorin e kaluar, në një intervistë dhënë kësaj reviste, Berisha kishte deklaruar se anëtarësimi në BE i Shqipërisë ishte prioriteti i tij kryesor. Duke rikujtuar atë thënie të Berishës, revista konstaton tani se zgjedhja e presidentit vetëm me votat e shumicës së udhëhequr prej tij do të ishte një goditje për prioritetin kryesor të deklaruar nga kryeministri shqiptar.

Revista vëren se po shkohet drejt zgjedhjes së presidentit me shumicë të thjeshtë, dhe konkludon: “Ndërkohë që parlamenti do të shmangte zgjedhjet e parakohshme, kjo [zgjedhja e njëanshme e presidentit] do ishte një goditje për prioritetin kryesor të Berishës – kështu na tha në tetor – që është anëtarësimi në BE.”

Më tej, në artikullin e Business New Europe shkruhet: “Brukseli e ka bërë zgjedhjen konsensuale të presidentit – një post kryesisht ceremonial, edhe pse zyrtarisht drejton sistemin ligjor dhe forcat e armatosura – një test lakmusi për mirëkuptimin mes qeverisë dhe opozitës. Ngërçi ka bllokuar disa reforma të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli dhe për këtë arsye BE e ka ngrirë ofertën e vendit për të përparuar drejt anëtarësimit. Dështimi për të gjetur konsensus në votimin e ardhshëm presidencial rrezikon refuzimin e tretë këtë vjeshtë të aplikimit të Tiranës”.

E. Zaloshnja